.Serbia votoi në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për rezolutën që dënon agresionin e Rusisë në Ukrainë, por ritheksoi qëndrimin e saj se nuk do të vendos sanksione kundër Kremlinit.
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, tha të mërkurën në mbrëmje se vendi i tij nuk do të dërgojë armë në Ukrainë dhe as nuk do të lejojë kalimin e armëve “që dërgohen në zonat e luftës”.
Ai tha se ajo çfarë po ndodhë në Ukrainë dhe rreth saj, është vetëm fillimi dhe se “trysnia” mbi Serbinë do të rritet në ditët në vijim.
“Serbia është në situatë të vështirë dhe sot më pak se kurrë ka mirëkuptim për pozicionin e saj”, tha ai.
Presidenti serb tha se ndër nismat e radhës mund të jetë përjashtimi i Rusisë nga Kombet e Bashkuara dhe pas kësaj “mbetet trysnia mbi Kinën për ta ndryshuar Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit. Pas një ndryshimi të tillë nuk do të kemi asnjë bazë ligjore mbi të cilën të thirremi në të drejtën ndërkombëtare dhe të ruajmë integritetin tonë territorial, siç e kemi sot dhe pastaj do të pasojë njohja e pavarësisë së Kosovës nga ato vende të NATO-s dhe BE-së, që nuk e kanë bërë këtë deri më tani”.
Presidenti serb tha se ministria e Jashtme e Serbisë ka përgatitur një notë proteste, pasi presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi se Turqia do të mbështesë anëtarësimin e Kosovës në NATO.
“Nëse do ta dorëzojmë ose jo (atë notë) do të vendosim sonte. Sigurisht, nuk e shohim këtë si një veprim miqësor”, tha presidenti serb.
Të martën, presidenti turk Erdogan pas një takimi me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Turqia “nuk ka nevojë për lejen e askujt për të mbështetur procesin e anëtarësimit në NATO. Ne kemi ndërmarrë hapa, siç bëmë në rastin e njohjes, po ashtu do të bëjmë edhe për procesin e anëtarësimit të Kosovës në NATO”, tha presidenti Erdogan./VOA
Thank you for a heartwarming welcome @RTErdogan!
Our meeting & discussions once more reconfirm the special bonds between our two countries & peoples.
Thank you for your support since our darkest days, throughout our state building process, & for our Euro-Atlantic future. 1/2 pic.twitter.com/OGZgqpzanO
— Vjosa Osmani (@VjosaOsmaniPRKS) March 1, 2022