E shtunë, 9 Nëntor, 2024

ZGJEDHJE TË PARAKOHSHME PARLAMENTARE? SECILA PARTI ME MATEMATIKAT E VETA

Opozita i kërkon, kurse pushteti thotë se nuk është koha për zgjedhje të parakohshme. Megjithatë, vlerësohet se gjithçka do të varet nga zgjidhja e problemit me Bullgarinë, por edhe nga dinamikat që do të imponojë lufta midis Rusisë dhe Ukrainës.

 

Shkruan: Enis Shaqiri

 

Partitë politike në Maqedoninë e Veriut kanë qëndrime të ndryshme lidhur me temën e zgjedhjeve të parakohshme. Kjo temë është hapur nga opozita pas pamundësisë së fillimit të negociatave shkaku i bllokadës nga ana e Bullgarisë.

Tani, duket se gjithçka varet nga zgjidhja e problemit me Bullgarinë, por edhe nga dinamikat që do të imponojë lufta midis Rusisë dhe Ukrainës.

Hristijan Mickovski

Ishte lideri i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickovski, i pari që në fund të vitit të shkuar e hapi temën për nevojën e zgjedhjeve të parakohshme.

Është përgjegjësi sa më parë të ketë zgjedhje të parakohshme pasi shteti po mbytet në krizë ekonomike dhe nga pandemia me KOVID, njerëzit po e humbin jetën, kriza energjetike është duke trokitur në derë, arsimi është katastrofal, ndërsa deficiti buxhetor për vetëm 40 ditë është më shumë se 11,2 miliardë denarë. Prandaj është nevojë që të ketë zgjedhje të parakohshme që politikanët në Qeveri të dalin të shohin se cili është besimi i popullit”, tha Mickovski.

Ideja e tij u përkrah edhe nga sekretari i përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari.
Ai madje paralajmëroi edhe protesta në rrugë për rrëzimin e Qeverisë.

“Do të veprojmë si opozitë, do të jemi shumë më të ashpër, shumë më të vrazhdë, shumë më agresiv kështu që do ta kërkojmë drejtësinë me çdo kusht”, tha Taravari.

Një figurë e rëndësishme brenda ASH-së tashmë është edhe i pari i të rinjve, Omer Ajdini. Në një prononcim për KDP ai numëron arsyet se pse vendi duhet të shkojë në zgjedhje.

Omer Ajdini

“Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut janë sa të domosdoshme aq edhe të pashmangshme. Janë të domosdoshme sepse kjo qeveri nuk e ka legjitimitetin e mjaftueshëm që të marrë vendime për ne, duke e ditur që kjo qeveri u votua në krah të deputetëve të “vetkidnapuar” dhe me vota të partive politike që morën vota pikërisht kundër kësaj qeverie. Prandaj duhet ta kthejnë mandatin dhe të dalin përsëri para popullit në mënyrë që qeveria e ardhëshme të ketë legjitimitetin e mjaftueshëm për vendimmarrje afatgjate. Përveç mungesës së legjitimitetit, kësaj qeverie dukshëm i mungon edhe performaca minimale për qëndresë në këmbë. Shtoja kësaj edhe tendencat për të legjitimuar krimin dhe korrupsionin përmes lirimit të kriminelëve, dhe në fund shihet qartë se zgjedhjet janë edhe të pashmangshme”, tha Ajdini.

Arafat Shabani nga Lëvizja BESA deklaroi për KDP se janë për zgjedhje të parakohshme.

Arafat Shabani

Ne si Lëvizja Besa publikisht jena prononcuar se shteti duhet të shkon në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Mendojmë se qeveria e mëparshme (ku ishim edhe ne pjesë e saj) e humbi kredibilitetin dhe në mosplotësimin e qëllimeve dhe objektivave të programit qeveritar. Ndërsa qeveria e re ende më shumë s’ka kredibilitet në ushtrimin e detyrës”, tha Shabani.

Ai shtoi se një ndër arsyet ne zgjedhjeve të parakohshme është edhe çështja e pazgjidhur me Bullgarinë.

Njëra prej çështjeve në kërkesat tona për zgjedhje të parakohshme është edhe çështja e dështimit në politikën e jashtme, ne integrimet euroatlantike, gjithashtu pjesë përbërëse e saj edhe çështja me Bullgarinë”, theksoi Shabani.

Nga ana tjetër, partitë në pushtet që përbëjnë shumicën parlamentare prej 64 deputetë, janë kundër propozimit të opozitës. Sipas tyre, vendi është ende i angazhuar për Agjendën evropiane dhe zgjidhjen e çështjes me Bullgarinë.

I pari i Qeverisë, Dimitar Kovaçevski, tha se zgjedhje do të ketë, por në vitin 2024. Ai përjashtoi mundësinë të ketë takim liderësh në këtë temë.

Marko Mihajlovski

“Qëndrimi i LSDM-së është se nuk ka nevojë për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Qytetarët në zgjedhjet e korrikut 2020 shprehën qartë vullnetin dhe besimin për udhëheqjen e vendit në katër vitet e ardhshme dhe ia besuan koalicionit të udhëhequr nga LSDM-ja. Zgjedhjet e rregullta parlamentare do të mbahen në vitin 2024”, tha për KDP Marko Mihailoski, kryetar i forumit rinor në nivel republikan të LSDM-së.

Në pyetjen nëse Maqedonia e Veriut dështon përsëri në procesin e negociatave me Bullgarinë, Mihailoski u përgjigj: “Në mosmarrëveshjen me Bullgarinë, shteti nuk do të dështojë, por do të kërkojë dhe gjejë një zgjidhje të pranueshme reciprokisht. Kryeministrat e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe të Republikës së Bullgarisë Dimitar Kovaçevski dhe Kiril Petkov sollën energji të re dhe horizonte të reja për zgjidhjen e mosmarrëveshjes dhe forcimin e marrëdhënieve bilaterale dhe bashkëpunimit ekonomik. Identiteti maqedonas është i mbrojtur, si dhe gjuha maqedonase. Komisionet mblidhen, historia duhet t’u lihet historianëve dhe ne duhet të angazhohemi për të ardhmen. E ardhmja jonë është në BE, nuk kemi alternativë tjetër.”

Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) me qëndrim se për momentin “zgjedhjet nuk janë zgjidhje”.

Valmir Aziri

Zgjedhjet nuk janë zgjidhje, realisht më shumë do të shkaktonin krizë institucionale pasi që dihet mirëfilli pesha e partive politike në elektorat dhe zgjedhjet do jepnin lartë-poshtë rezultatin e njëjtë . Kjo qeveri i ka objektivat e qarta dhe mundësitë reale për të çuar përpara proceset eurointegruese dhe në një shtet normal me demokraci funksionale dhe vetëdije të lartë qytetare çdo opozitë fillimisht do të përkrahte politikat integruese të vendit të vet dhe në rend të dytë do të ishin interes partiake dhe politikat ditore andaj opozita e vendit në vend që të kërkojë dhe të shpikë kauza të rrejshme për tu mbuluar dështimin e saj që të krijojë një shumicë të qeveritare me partinë radikale Levicën, andaj do të duhet të shohë drejtë qëllimet e mira të kësaj qeverie dhe të njëjtat ti përkrah ato”, tha Valmir Aziri nga BDI.

Sipas tij, integrimi në Bashkimin Europian është synimi i vetëm dhe i pa alternativë i RMV- së.

“Nëpërmjet dialogut dhe krijimit të mirëbesimit mes fqinjëve dhe duke u kushtuar me tepër rëndësi temave që na bashkojnë se sa atyre që na ndajnë, unë besojë thellësisht se është e mundur marrëveshja me shtetin fqinjë të Bullgarisë”, deklaroi Aziri.

Ndryshe, nga viti 2006 vendi nuk ka pasur zgjedhje të rregullta. Deri më tash ka mbajtur pesë cikle zgjedhore parlamentare, të gjitha të parakohshme. Krizat politike dhe matematikat e partive kanë qenë nxitës së shpalljes së tyre.

Të fundit