Që nga sulmi ndaj Ukrainës, Rusia ka qenë jo bashkëpunuese. Ndërkohë, ajo është treguar e gatshme për të negociuar, por me kushte: Ukraina duhet të dorëzohet.
Për herë të parë që nga sulmi kundër Ukrainës, Rusia duket e gatshme të bisedojë. Si ministria e jashtme ruse, ashtu edhe ajo kineze thanë se presidenti rus Vladimir Putin është i gatshëm të “fillojë negociatat e nivelit të lartë me Ukrainën”. Sipas Kremlinit, bisedimet mund të zhvillohen në Minsk, në kryeqytetin e Bjellorusisë. Moska do të dërgojë një delegacion për këtë qëllim, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Më herët, presidenti ukrainas Volodymyr Selenskyj bëri disa propozime për takime. Herën e fundit, ai iu drejtua Putinit duke thënë: “Le të ulemi në tryezën e bisedimeve për të ndaluar vdekjet e njerëzve”.
Nga e mërkura në mbrëmje deri të enjten – pak para fillimit të sulmit rus – Seleskyj tha në një video-mesazh se siguria e Ukrainës dhe të gjitha vendeve fqinje ishte në rrezik. Për “paqen në Ukrainë dhe sigurinë e qytetarëve tanë”, ai propozoi bisedime. “Për këtë jemi të gatshëm të flasim me të gjithë, përfshirë edhe ju. Në formate të ndryshme dhe në çdo vend”.
Neutralitet për Ukrainën?
Gjatë këtij takimi të mundshëm, mund të bëhet fjalë për një status neutraliteti për Ukrainën. Selenskyj tha se ishte gati të diskutonte këtë temë. Propozimi i Selenskyjt është një hap në drejtimin e duhur, tha zëdhënësi i Kremlinit Peskov, duke njoftuar se qeveria ruse do të analizojë një status të paangazhuar për Ukrainën.
Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, megjithatë, e akuzoi Selenskyn për pandershmëri. Presidenti gënjen kur bën një ofertë të tillë, tha Lavrov. Selenskyj e humbi mundësinë për të folur për një status neutral për Ukrainën kur presidenti rus Putin propozoi pikërisht këtë. Lavrovi shtoi se ai nuk sheh ndonjë mundësi që Rusia ta njohë qeverinë aktuale të Ukrainës si demokratike.
Në të njëjtën kohë, Lavrovi tha: “Ne jemi të gatshëm të negociojmë në çdo kohë, sapo Forcat e Armatosura të Ukrainës t’i përgjigjen thirrjes sonë dhe të lënë armët”.
BE do të vendosë sanksione ndaj Putinit dhe Lavrovit
Për shkak të sulmit ndaj Ukrainës, BE, sipas disa informacioneve, ka shtuar në listën e sanksioneve edhe presidentin rus Vladimir Putin dhe ministrin e Jashtëm Sergei Lavrov. Kjo do të thotë se pasuritë e dy politikanëve të pranishëm në BE do të bllokohen. Veç kësaj ata nuk mund të udhëtojnë më në BE. Ministri i Jashtëm i Austrisë, Alexander Schallenberg tha se BE do të vendosë sanksione kundër Putinit dhe Lavrovit. Schallenberg shtoi se BE nuk do të vendosë ndalim udhëtimi për Putinin dhe Lavrovin në BE, në mënyrë që të negociojë me ta. Edhe ministri i Jashtëm i Luksemburgut Jean Asselborn pret që të arrihet sot një marrëveshje mbi ngrirjen e pasurive të Presidentit Putin dhe ministrit të Jashtëm Lavrov.
Kina i bën thirrje Rusisë të negociojë
Në një bisedë telefonike të Putinit me presidentin kinez Xi Jinping, u fol gjithashtu për bisedime të mundshme. Xi i bëri thirrje Rusisë të negociojë me Ukrainën, raporton transmetuesi shtetëror kinez CCTV. “Kina mbështet Rusinë dhe Ukrainën për ta zgjidhur këtë çështje përmes negociatave”, shtoi ai.
Sipas raporteve, Xi tha se ishte e rëndësishme “të braktiset mentaliteti i Luftës së Ftohtë” dhe “t’i jepet rëndësi shqetësimeve të bazuara mirë të sigurisë të të gjitha vendeve”. Nevojitet një “mekanizëm i balancuar, efektiv dhe i qëndrueshëm evropian i sigurisë”.
Putini i tha Xi-së se operacioni ushtarak i Rusisë në Ukrainë ishte i nevojshëm për të mbrojtur njerëzit nga “gjenocidi”, bëri të ditur Kremlini, një akuzë që Perëndimi e quan propagandë të pabazë.
Kremlini tha se Xi respektoi veprimet e Rusisë dhe ishte gati për koordinim të ngushtë dhe mbështetje të ndërsjellë në Kombet e Bashkuara, ku të dy janë anëtarë të përhershëm me veto të Këshillit të Sigurimit.