E shtunë, 9 Nëntor, 2024

Rrogë për mbijetesë

Rafije Maksuti, mësimdhënëse në arsimin e mesëm në Tetovë, thotë se gjendja e punonjësve në arsim është rënduar si pasojë e krizës ekonomike, që ka shkaktuar rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore dhe të shërbimeve të tjera.

Në Maqedoninë e Veriut, në arsimin fillor janë të punësuar rreth 20,000 mësimdhënës, ndërsa rreth 8,000 në arsimin e mesëm.

Sipas të dhënave të fundit të Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, paga mesatare e arsimtarëve në arsimin fillor sillet në rreth 21,600 denarë (350 euro), ndërsa në arsimin e mesëm 22,500 denarë (365 euro).

Mësimdhënësja Rafije Maksuti, thotë se me pagat që marrin punonjësit e arsimit, nuk arrijnë të mbulojnë as shpenzimet më elementare për jetë. Ajo thotë se punonjësit në arsim po përballen me nëpërkëmbje të dinjitetit.

“Rroga që marrim është thjesht luftë për mbijetesë, të mos flasim për nëpërkëmbjen e dinjitetit tonë, si njerëz që po shkrimë veten për të përgatitur gjenerata të ardhshme. Në kohën kur gjithandej debatohet për rritje rrogash në profile të ndryshme, arsimi edhe pse është shtyllë kryesore e zhvillimit të shoqërisë, as që merret parasysh. Në kohën kur rriten çmimet e të gjitha produkteve, e vetmja gjë që ulet është dinjiteti i arsimtarit. Kjo shoqërisë tonë do t’i kthehet bumerang, sepse ashtu sikur edhe në krejt profilet tjera që ikin nga ky vend, do të zhduket edhe profili i arsimtarit sepse me këtë rrogë mundesh vetëm të mbijetosh. Në këtë vend fitojmë përshtypjen se nuk ka vlerë asnjë profesion tjetër përveç politikës”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Rafije Maksuti.

Punonjësit e arsimit parashkollor, atij fillor dhe të mesëm në Maqedoninë e Veriut, tani disa ditë janë bërë temë e një debati të ashpër në Kuvend, ku në rend ditë janë ndryshimet në Ligjin për arsimin fillor, që sipas partive në pushtet, mundësojnë rritjen e pagave, por edhe zgjidhjen e statusit të mbi 4,500 punonjësve të arsimit që punojnë me kontrata të përkohshme.

Partia në pushtet, Lidhja Social Demokrate ka akuzuar opozitën maqedonase se po punon kundër përmirësimit të statusit të punonjësve të arsimit.

“VMRO-DPMNE ishte kundër rritjes së pagës minimale dhe kryetarët e tyre nuk bënë asgjë për t’i mbrojtur qytetarët nga kriza energjetike. Sado e papërgjegjshme të jetë VMRO-DPMNE, sado i madh të jetë veprimi i tyre shkatërrues, LSDM-ja dhe shumica parlamentare, këto bllokada të VMRO-DPMNE-së nuk do të lejojnë që të kenë sukses”, ka deklaruar deputetja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska.

Opozita, nga ana tjetër, tha se partitë në pushtet po tentojnë që me çdo kusht të miratojnë ligje të dëmshme.

“Me këtë ligj nuk do të rriten pagat e mësimdhënësve. Ky ligj ka për qëllim vetëm partizimin në arsim… Grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së dhe koalicioni nuk do të lejojnë miratimin e ligjit të dëmshëm për procesin arsimor dhe partizimin e plotë të arsimit. Maqedonia ka nevojë për arsim cilësor”, ka deklaruar zëdhënësja e VMRO-së, Ivanka Vasilevska.

Por, edhe Sindikata e Arsimit nuk pajtohet me zgjidhjen e ofruar, në veçanti me propozimin për rritjen e pagave në përputhje me rritjen e pagës minimale. Në rritje e tillë, sipas Sindikatës, nuk do të ishte më e lartë se 3,000 denarë apo rreth 50 euro. Sindikata, kërkon respektimin e marrëveshjeve kolektive që garantojnë rritje prej 100 për qind të pagave, apo nga 22,000 në rreth 42,000 (rreth 700 euro) për mësimdhënësit e arsimin fillor dhe të mesëm./REL

Të fundit