E premte, 19 Prill, 2024

ANALIZË: STATUSI JURIDIK – KUSHTETUES I SHQIPTARËVE NË MAQEDONINË E VERIUT

Dokumentet themeltare të shtetit bashkëkohor të Maqedonisë së Veriut: Kushtetuta e vitit 1946, ajo e vitit 1974, Kushtetuta e vitit 1991, madje edhe ajo e vitit 2001 shkurt thënë e kanë përkufizuar si shtet të kombit maqedonas, ndërsa pjesëtarët e kombeve tjera, rrjedhimisht edhe shqiptarët janë trajtuar me përkufizime unikale dhe jokonvencionale kushtetuese, madje shumë pak të njohura në të drejtën ndërkombëtare.

 

Shkruan: Sefer Tahiri

 

Hyrje

Maqedonia e Veriut si shtet ka bërë rrugëtim jo të lehtë deri në arritjen e pavarësisë së saj të plotë dhe konsolidimin e saj si shtet sovran dhe i mëvetësishëm. Duke qenë shtet heterogjen në kuptimin etnik, por edhe fetar, atë e kanë përcjellë batica dhe zbatica të shumta, debate politike pafund, tensione ndëretnike, protesta të njërës dhe palës tjetër, madje edhe konflikt i armatosur, i rezultuar me dokument paqësor.

Përkufizimi i saj juridik- kushtetues, që nga koha e mbajtjes së Këshillit Antifashist Çlirimtar Kombëtar të Maqedonisë deri te firmosja e Marrëveshjes së Ohrit, si një dokument me mbështetje ndërkombëtare shpesh është parë nga qytetarët shqiptarë, por edhe të tjerët si përpjekje për “pronësimin” e Maqedonisë përkatësisht shtetformësisë së saj nga shumica maqedonase.

Dokumentet themeltare të shtetit bashkëkohor të Maqedonisë së Veriut: Kushtetuta e vitit 1946, ajo e vitit 1974, Kushtetuta e vitit 1991, madje edhe ajo e vitit 2001 shkurt thënë e kanë përkufizuar si shtet të kombit maqedonas, ndërsa pjesëtarët e kombeve tjera, rrjedhimisht edhe shqiptarët janë trajtuar me përkufizime unikale dhe jokonvencionale kushtetuese, madje shumë pak të njohura në të drejtën ndërkombëtare.

MANIFESTI I KRUSHEVËS

Shtetësia e Republikës së sotme të Maqedonisë nuk ka kontinuitet të drejtpërdrejt me Republikën e Krushevës. Por meqë baza e shtetndërtimit të saj sipas kushtetutave të këtij vendi lidhet shpesh me këtë formacion me premisa shtetërore, i quajtur republikë dhe më shumë për shkak të vlerës historike dhe pozicionit të shqiptarëve në kuadër të saj e marrim në shqyrtim dokumentin e quajtur Manifesti i Krushevës, që ka lindur nga Kryengritja e Ilindenit.

Kjo kryengritje për çlirimin e popullit maqedonas, popullit shqiptar dhe popujt e tjerë nga pushteti osman ka ngjarë më 2 gusht të vitit 1903. Më 3 gusht, pas çlirimit të Krushevës, ka filluar konstituimi i pushtetit të ri revolucionar-demokratik popullor, që në historiografi njihet si Republika e Krushevës, e cila ka zgjatur 10 ditë, pra deri më 13 gusht të vitit 1903.

“Në periudhën e kryengritjes së Ilindenit në vitin 1903, kur përbrenda saj ishin osmanlinjtë, populli maqedonas dhe pjesëtarët e kombeve të tjerë, të cilët kanë jetuar në territorin e Maqedonisë arritën të krijojnë një Republikë të bazuar në parime demokratike. Parimet demokratike ishin të përfaqësuara në Kushtetutën e Republikës së Krushevës. Kuvendi Kombëtar ishte i përbërë nga 60 përfaqësues të të gjitha përkatësive (20 maqedonas, 20 vllahë dhe 20 shqiptarë) dhe ishte zgjedhur qeveria e përkohshme gjashtë anëtarëshe’’. Menjëherë pas kësaj është zgjedhur një këshill, ndërsa kryetar këshilli zgjodhën Nikolla Karevin, i cili e shpalli Republikën e Krushevës, në të cilën për herë të parë në histori: maqedonasit, vllahët dhe shqiptarët zgjodhën qeveri të përbashkët. Ajo që duhet veçuar është se Qeveria e përkohshme, iu drejtua qytetarëve me Manifestin e Krushevës, me të cilin popullata thirrej në bashkëjetesë dhe luftë të përbashkët për çlirim nga robëria, që ishte një shenjë e bashkëjetesës dhe trajtimit të barabartë të të gjithëve.

DOKUMENTET E KAÇPM-së

Maqedonia e Veriut subjektivitetin e saj juridik- shtetëror me atributet e tij e fitoi më 2 gusht të vitit 1944, kur në manastirin Prohor Pçinski mbahet Kuvendi Antifashist për Çlirimin Popullor të Maqedonisë. Në Kuvend apo KAÇPM miratohet Deklarata për te drejtat themelore të qytetarit të Maqedonisë demokratike.

Në nenin 1 të Deklaratës thuhet:

  1. Të gjithë qytetarët e shtetit federativ maqedonas janë të barabartë para ligjeve, duke mos parë kombësinë e tyre, gjininë, racën dhe besimin fetar.
  2. Pakicave kombëtare në Maqedoni iu sigurohen të drejtat dhe jeta e lirë kombëtare.

Ballina e vëllimit KAÇKPM- Dokumente dhe Deklarata për te drejtat themelore të qytetarit të Maqedonisë demokratike

Përderisa në Manifestin e Kuvendit të parë të KAÇKPM-së drejtuar “kombit maqedonas, kombësive në Maqedoni dhe emigracionit maqedonas”, ekziston thirrja drejtuar siç qëndron në dokument “vëllezërve arnautë (në fakt shqiptarëve), turq dhe vllahë”. Në të thuhet se “pjesa më e rëndë kaloi (mendohet në luftën v.j) dhe se interesat e popujve tanë janë të njëjta”. Theksohet se bijtë e shqiptarëve, turqve dhe vllahëve kanë marrë pjesë në Ushtrinë maqedonase dhe kanë marrë vende komanduese, ndërsa luftëtarët e Luftës Nacional – Çlirimtare kanë marrë pjesë në Kuvendin e Parë Popullor Maqedonas, i cili proklamon barazinë e të gjitha kombësive në Maqedoni. Përmes kësaj thirrje kërkohej që të mobilizohen të gjitha forcat në Maqedoni që të realizohen parimet e KAÇKPM-së, ndërsa iu bëhej thirrje që të marrin pjesë në mënyrë të barabartë në luftën kundër okupatorit, që të mund të marrin pjesë në mënyrë të barabartë në ndërtimin e Maqedonisë së lirë- atdheu i lirë i të gjitha kombësive.

Përderisa më 4 gusht të vitit 1944 është publikuar Shpallja e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Maqedonisë drejtuar kombit maqedonas, siç thuhej kombësive të Maqedonisë dhe Ushtrisë Nacional-Çlirimtare për mbajtjen e Kuvendit të parë të KAÇKPM-së.  Në të thuhej:

Shqiptarë, turq, vllahë dhe hebre

            Shteti i ri maqedonas është edhe shteti Juaj. Ajo është e bazuar mbi parimet e        vëllazërimit midis të gjithë kombësive që jetojnë në vendin maqedonas. Në          themelet e saj,             është krijuar barazia luftarake, e farkëtuar midis Jush dhe maqedonasve në luftën e         sotme nacional- çlirimtare kundër okupatorëve fashistë. Por për këtë atdhe të ri- shtetin           maqedonas në Jugosllavinë demokratike dhe federative- Ju duhet të kontribuoni edhe        më tej. Në radhë të parë nuk duhet tu lejoni okupatorëve fashistë tu bëjnë xhelatë mbi    vëllezërit tuaj, të cilët tashmë tre vite derdhin gjak për lirinë tuaj dhe të tyre. Bëhuni             pjesë e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare të Maqedonisë e cila është edhe ushtria Juaj. Të      dini se sa do të luftoni sot, aq të drejta do të keni nesër. Populli në Maqedoni për secilin            do të pyes se ku ka qenë dhe kujt i ka shërbyer.

Pas Luftës së Dytë Botërore, Kuvendi Kushtetues i Republikës Popullore të Maqedonisë më datën 31 dhjetor të vitit 1946 miratoi Kushtetutën e parë të Maqedonisë.

Gazeta zyrtare e Republikës Popullore të Maqedonisë, e botuar më 1 janar të vitit 1947

Ky akt juridik në nenin 12 trajton shqiptarët dhe të tjerët, duke i cilësuar si pakicë kombëtare.

Neni 12

Pakicat kombëtare në Republikën Popullore të Maqedonisë kanë të drejtën për      mbrojtjen e zhvillimit të tyre kulturor dhe të drejtën e lirë të përdorimit të gjuhës së tyre.

 

KUSHTETUTA E VITIT 1974

Rendi kushtetues i Maqedonisë përjeton ndryshime rrënjësore në vitin 1974, siç ndodhën në tërë ish Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë. Këto ndryshime sollën cilësi të re në raportet ndëretnike, duke hapur mundësinë juridike për realizimin e disa të drejtave kolektive të shqiptarëve. Njëra ndër to ishte ajo e shkollimit të lartë në kuadër të Akademisë Pedagogjike, në të cilën pas dy viteve studime diplomonin mësuesit e grupit klasor dhe arsimtarët e lëndëve të ndryshme, që i mësonin nxënësit e shkollave fillore nga klasa e pestë deri në të tetën.

Kushtetuta e ndryshuar u miratua më 25 shkurt të vitit 1974 (Gazeta zyrtare, numri 7 i vitit 1974). Kushtetuta e vitit 1974 në aspektin formal juridik garantonte barazi të plotë të shqiptarëve duke i emërtuar si kombësi.

Kombi maqedonas, së bashku me kombësitë në Maqedoni, në luftën e përbashkët   nacional-çlirimtare së bashku me kombet dhe kombësitë tjera jugosllavë, e krijoi           Republikën Socialiste të Maqedonisë, si shtet nacional i kombit maqedonas dhe shtet i           kombësisë shqiptare dhe turke në të, në të cilën u realizuan aspiratat historike të kombit           maqedonas për liri kombëtare dhe mëvetësi shtetërore, të kombësive për barazi dhe të               popullit punonjës dhe të gjithë njerëzve punonjës për shoqëri socialiste.

           

Gazeta zyrtare e Republikës Socialiste të Maqedonisë, e botuar më 25 shkurt të vitit 1974.           

Nëse i referohemi të drejtës ndërkombëtare për një popullatë të caktuar që ka përkatësi të ndryshme etnike nga shumica apo kombi shtetformues garantohet statusi i pakicës etnike apo minoritetit. Në të vërtetë në ish sistemin komunist në Jugosllavi shqiptarët e Kosovës dhe viseve të tjera të ish federatës, përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut së bashku me hungarezët e Vojvodinës, të vetmit gëzonin statusin e kombësisë. Një term i shpikur nga klasa politike e asaj kohe, i panjohur në të drejtën ndërkombëtare, i cili jo vetëm që nuk ka bazë juridike- ndërkombëtare, por nuk ka bazë as linguistike-semantike.

Përderisa në nenin një dhe dy saktësohet barazia juridike- kushtetuese për shqiptarët dhe turqit.

Neni 1

Republika Socialiste e Maqedonisë është shtet kombëtar i kombit maqedonas dhe shtet i   kombësisë shqiptare dhe turke në të, e bazuar mbi sovranitetin e popullit mbi pushtetin          dhe vetëqeverisjen e klasës punëtore dhe të gjithë njerëzve punonjës dhe bashkësisë      vetëqeverisëse socialiste demokratike të njerëzve punonjës dhe qytetarëve, të popullit   maqedonas dhe të barabartëve me të, kombësia shqiptare dhe turke.

Në kapitullin e 11-të të Kushtetutës me titull “Barazia e kombësive” thuhet qartë “kombi maqedonas dhe kombësitë në Republikën Socialiste të Maqedonisë kanë barazi dhe kanë të drejta dhe detyrime.” (neni 177).

Sipas Kushtetutës së vitit 1974, gjuha shqipe dhe turke kanë pasur statusin e gjuhës zyrtare.

Neni 178

Çdo kombësie i garantohet e drejta që lirisht të përdor gjuhën e vet, të shpreh dhe            zhvillojë kulturën e vet dhe të formojë institucione dhe organizata që i sigurojnë këto të       drejta. Kombësitë kanë të drejtë të përdorin flamurin e kombësisë.       

Gjithashtu sipas Kushtetutës së Republikës Socialiste të Maqedonisë, në vendbanimet, në të cilat jetojnë siç thuhej kombësitë “edukimi dhe arsimimi i pjesëtarëve zhvillohet në institucione edukative dhe shkolla përkatësisht në klasa, në të cilat edukimi dhe arsimimi zhvillohet në gjuhën e kombësisë përkatëse.” Në jetën publike dhe shoqërore, në rajonet ku kanë jetuar pjesëtarët e kombësive, gjuha dhe alfabeti i kombësive kanë qenë të barabartë me gjuhën maqedonase. Gjuhët e kombësive janë përdorur edhe në procedurat pranë organeve shtetërore dhe institucionet që kryenin autorizime publike.

 

(Vazhdon)

Të fundit