E premte, 19 Prill, 2024

SHEMBULL I SHTETIT LIGJOR PËR PUSHTETARËT NË SHKUP: MASAT ANTI-COVID BËJNË QË KRYEMINISTRJA TA ANULOJË DASMËN

Ndërkohë që opozita në Maqedoninë e Veriut shpalosi listën e funksionarëve që partive qeveritare që nuk paguajnë parking në Shkup, një shembull i respektimit të ligjit vjen nga Zelanda e Re, përcjell KDP.

Kryeministrja, Jacinda Ardern, ka anuluar dasmën e saj, pasi ka prezantuar masat e reja kufizuese për të parandaluar përhapjen e COVID-19.

Ardern të dielën ka konfirmuar se dasma e saj me Clarke Gayfordin është anuluar, dhe ceremonia do të mbahet  në një kohë tjetër.

“Unë nuk jam ndryshe ndaj zelandezëve tjerë të cilët janë prekur aq shumë nga pandemia. E më e rënda ka qenë pamundësia për të qenë me të dashurit nganjëherë kur kanë qenë shumë të sëmurë. Kjo është dukshëm më e rëndë sesa dëshpërimi që po e ndjej unë”, ka thënë Ardern, raporton BBC.

Zelanda e Re do të mbyllet për shkak të përhapjes së variantit të ri Omicron.

Në masat e reja kufizuese, lejohen maksimalisht 100 persona dhe atë të vaksinuar, në ngjarjet e ndryshme, ndërsa maskat janë obligative në shitore e transport publik.

Zelanda e Re ka regjistruar 15.104 raste me COVID-19 dhe 52 të vdekur.

Ndryshe, ditë më parë, Naum Stoillkovski nga VMRO-DPMNE tha se së paku 400 funksionarë nga Lidhja Demokrate, LSDM-ja dhe BDI-ja nuk paguajnë parking në Shkup.

“Veturat në lista ka në emër të Borçe Jakimovskit dhe Vladimir Kronevskit, të cilët janë ish-drejtorë të parkingut në Shkup, përndryshe anëtarë të kryesisë së Bashkimit Demokratik të Pavle Trajanovit, pjesë e koalicionit qeveritar të LSDM-së dhe BDI-së. Ka automjete në emër të Slavçe Jovanovskit, këshilltar aktual në Qytetin e Shkupit. Ndryshe, edhe ai pjesë e kryesisë së Lidhjes Demokrate të Pavle Trajanovit”, tha mes tjerash Stoillkovski.

Të fundit