E mërkurë, 24 Prill, 2024

MAQEDONI E VERIUT: A DO TË RIKUPEROHET KULTURA PAS PANDEMISË?

Shkruan: Valon Sallai

 

Askush nuk din të thotë nëse kultura, e cila edhe ashtu ishte në nivel jo të kënaqshëm që para pandemisë, do të mund të rikuperohet së shpejti apo ka ndryshuar një herë e përgjithmonë mënyra se si krijimtaria artistike dhe kulturore shfaqet para publikut. Covid-19, apo ndryshe i njohur edhe si armiku i padukshëm, dëmtoi rëndë kulturën në periudhën e kaluar. Publiku nuk mund të ishte i pranishëm në ngjarjet kulturore kurse artistët nuk kishin për kë të performonin. Situatën nuk e ndihmoi as shfaqja e përmbajtjeve artistike në rrjetet sociale. Kjo ishte një mënyrë të cilën shumica e artistëve dhe krijuesve e provuan për herë të parë dhe nuk mohojnë se u ka munguar emocioni dhe adrenalina që jep prania e publikut kur ai është fizikisht aty.

Në vitin që lëmë pas teatrot filluan të rimbushen pas një pushimi pothuajse një-vjeçar. Drejtori i Teatrit të Tetovës Bekim Smaili, është i kënaqur që diçka së fundmi ka lëvizur në drejtim të mirë.

“Si çdo institucion tjetër që gjatë pandemisë pësoi sfida të shumta, ashtu edhe Teatri Tetovës pati vështirësitë e veta. Disa shfaqje të parapara për vitin 2020, detyrimisht u realizuan në vitin 2021. Ne arritëm të nxjerrim me sukses premierën e shfaqjes “Propozimi i ariut” në regji të Elmaze Nura. Ndërsa aktualisht po punojmë në përgatitjen e premierës së radhës dhe së shpejti do të jetë gati shfaqja në gjuhën maqedone “Dasma provinciale” në regji të Tea Begovska”, deklaroi Bekim Smaili drejtori i Teatrit të Tetovës.

Me mbylljen e dyqaneve dhe anulimin e eventeve e pësoi edhe industria e modës. Krijuesit e kësaj kategorie u përpoqën të përshtaten me platformat virtuale, ku javët e modës si nëpër vende të ndryshme të botës, ashtu edhe tek, ne, u transmetuan në platforma virtuale. Për dizajnerët nuk ka dyshim që situate e re ka vështirësuar aktivitetet e modës që nga fazat përgatitore e deri tek prezantimi i produktit përfundimtar para publikut.

“Si fillim me mbylljen e ngjarjeve kulturore në përgjithësi ra interesimi i njerëzve për të bërë kërkesa sa i përket veshjeve të dizajnuara që ne si dizajnues të modës ofrojmë. Pastaj pamundësoi organizimin e eventeve të ekspozitave tona personal me publik për të prezantuar punën tonë para publikut, gjë që na çoi në përpjekje për të organizuar evente mode në mënyrë virtuale. Natyrisht se efekti në publik nuk ishte i njëjtë si organizimet me prezencë fizike”, tha dizajnuesja e modës Blerta Osmani.

Kjo nuk mbaron këtu.

“Pandemia e COVID-19 po ndryshon në mënyrë të vazhdueshme dhe të pashmangshme botën e modës përderisa ende vazhdon të “mbretërojë” në tokë”, shton Osmani.

Osmani është edhe organizatore eventesh. Pas një kohe të gjatë mbylljeje totale, kufizimi i kapaciteteve me të cilat gastronomitë mund të punonin ishte ndër masat e para dhe më të rëndësishme nga autoritetet shëndetësore e cila akoma është në fuqi.

“Nuk ishin të ndaluara vetëm organizimet e dasmave, por edhe shumë evente të tjera të ndryshme kulturore, të cilat organizoheshin në hapësirat e biznesit tonë gastronomik. Kjo çoi deri në pamundësimin e një numri të konsiderueshëm të organizimeve kulturore në biznesin tone”, shtoi Osmani.

Muajt e fundit për organizatorët e eventeve kanë qenë shpresëdhënëse.

“Megjithëse tani në vitin 2021 pas rihapjes së restoranteve, në bazë të rregullave të Qeverisë edhe pse ishte numri i limituar i pranimit të mysafirëve nëpër restorante, puna ka ecur mirë, por gjithsesi jemi në përpjekje të vazhdueshme për t’u përmirësuar”, deklaroi Blerta Osmani, organizatore e eventeve kulturore.

Një frymë distancimi nga ngjarjet kulturore është krijuar edhe tek disa qytetarë. Ata thonë se pandemia ka ulur entuziazmin për të ndjekur ngjarjet kulturore, kjo si pasojë e një atmosfere të zbehtë nëpër hapësira me publik të përgjysmuar, e të distancuar.

“Konsideroj që dëshira e zjarrtë për të përcjellur eventet kulturore pas pandemisë është “shuar” thënë troç. Kjo definitivisht është pasojë që e kemi nga pandemia! Publiku i përgjysmuar, distanca, frika se mos infektohemi e kështu me radhë”, shprehet një qytetar.

“Ajo që të gjithë pajtohemi, besoj është që si pasojë e pandemisë i kemi tanimë organizimet e vogla apo reduktim të eventeve. Kjo po ma thyen zemrën! Uroj që gjerat të kthehen në normalitet”, shprehet një qytetar tjetër.

Ministria e Kulturës për ngjarjet kulturore, thonë se para pandemisë ka pasur një trend rritjeje, ndërsa në periudhën e pandemisë ka pësuar një rënie prej afro 10 milionë denarësh, sa i përket financimit të projekteve kulturore.

Në vitin 2019 buxheti i Ministrisë së Kulturës ishte 2.925.166.000 denarë, ndërsa mjetet programore ishin 936 milionë denarë. Për vitin 2019, 2630 projekte janë mbështetur nga Ministria e Kulturës.

Buxheti i Ministrisë së Kulturës për vitin 2020 ishte 3.462.483.000 denarë, prej të cilave 980.100.000 denarë për financimin e programit. Për vitin 2020, 3437 projekte janë mbështetur nga Ministria e Kulturës.

Buxheti i Ministrisë së Kulturës për vitin 2021 ishte 3.276.430.000 denarë, prej të cilave 970.100.000 denarë janë të destinuara për financimin e projekteve me interes nacional në kulturë. Sa i përket krahasimit të buxhetit për vitin 2020 dhe 2021, ky buxhet i vitit 2021 është zvogëluar për dhjetë milionë denarë. Për vitin 2021, 2254 projekte janë mbështetur nga Ministria e Kulturës.

Programi vjetor i miratuar në institucionet kombëtare, vendore në fushën e kulturës nuk ka mundur të realizohet plotësisht për faktin se masat apo protokollet për organizimin e eventeve në ambiente të mbyllura (teatro, kinema, filharmonia e të tjera) që lejojnë një përqindje të lejuar janë ende në fuqi.

Ndërkaq për vitin e ardhshëm, buxheti i Ministrisë së Kulturës parashihet të jetë 3.855.548.000 denarë. Për mbështetjen e projekteve me interes në fushën e kulturës për vitin e ardhshëm nga ky buxhet do të ndahen rreth 17 milion euro, e që është 1.5 milion euro më shumë se vitin 2021. Ky buxhet, siç është shprehur ministrja e Kulturës Irena Stefoska në konferencë para mediave, nuk është i mjaftueshëm, por është sjellje e përgjegjshme me paratë publike në kohë krize ekonomike dhe shëndetësore.

 

Ky artikull është produkt i projektit “Young Journalists’ Network” I implementuar nga Democracy Lab. Ky projekt është i mbështetur me grant nga Ambasada e SHBA-ve. Mendimet, zbulimet dhe konkluzionet ose rekomandimet e paraqitura këtu janë të implementuesve/autorëve dhe nuk i reflektojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA-ve.

 

 

Të fundit