E mërkurë, 16 Korrik, 2025

Gjermania ka ndryshuar prapë listën e vendeve për udhëtime

Qeveria federale ka vendosur të pezullojë një pjesë të madhe të kufizimeve, të vendosura më parë ndaj Portugalisë, Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, si dhe Rusisë, Indisë dhe Nepalit, për shkak të përhapjes në këto vende të varianteve veçanërisht ngjitëse të virusit Corona. Instituti Robert Koch njoftoi se këto vende do të hiqen nga lisa e vendeve të variantit të rrezikshëm të virusit dhe do të futen në listën e vendeve me rrezikshmëri të lartë, prej ditës së mërkurë, shkruan DW. Kjo do të thotë se të gjithë udhëtarët nga këto vende prapë mund të futen në Gjermani.

Personat e vaksinuar plotësisht dhe ata që janë shëruar nga Covid-19, nuk janë të detyruar të futen në karantinë, ndërsa personat e tjerë duhet të futen në karantinë, por mund ta shkurtojnë ate.

Me heqjen e këtyre vendeve nga lista e vendeve me variante të virusit, dhe renditja në vende me rrezikshmëri të lartë, hiqet edhe ndalimi i udhëtimit të shtetasve të këtyre vendeve në Gjermani, që do të thotë se hyrja në Gjermani është e mundur përsëri për të gjithë personat që duan të vijnë në këtë vend.

Kancelarja Angela Merkel kishte njoftuar që javën që shkoi se mund të ketë lehtësime për disa vende, por pa përmendur emrin e tyre. Një javë më parë, në samitin e BE-së në Bruksel, ajo kishte këmbëngulur pa sukses, për rregulla unike për udhëtime në BE, me qëllim parandalimin e përhapjes së variantit Delta të virusit Corona.

Ky variant është përhapur ndërkohë dukshëm edhe në Gjermani, pavarësisht faktit që numri i infektimeve në këtë vend ka rënë shumë kohët e fundit dhe është shumë më i ulët se në Portugali apo Britani të Madhe. Pas heqjes së këtyre pesë vendeve nga lista e vendeve të variantit Corona, tani kanë mbetur vetëm edhe 11 vende në këtë listë. Ndër to janë edhe Brazili, Uruguai, Afrika e Jugut dhe disa vende në Afrikë.

Të fundit