E mërkurë, 16 Korrik, 2025

POLICIA SHQIPTARE CAKTON KUFIJTË E PLAZHEVE PASI SEZONI KA FILLUAR, REAGOJNË TURISTËT

Reagime të shumta kanë ardhur nga pushuesit në Shëngjin për shkak se policia, në mes të ditës, i ka larguar me agresivitet nga çadrat ku po bënin pushimin, njofton KDP. Problemi i paraqitur me kufijtë e plazheve kishte shkaktuar 4 të vdekur në velipojë, pasi dy pronarë hotelesh ishin zënë se kush ku duhet të vendosë shezllonget. Incidente janë regjistruar edhe në pjesë tjera të bregdetit.

“Na larguan me agresivitet”. “Këtë punë u desh ta bëjnë në maj, e jo tani pasi plazhet janë plot me turistë”. “Kur dola nga uji mi kishin hedhur gjërat bashkë me çadrën”. “Tërë ditën policë dhe gjeodetë kemi parë teksa ziheshin me pronarë hotelesh. Ne kemi ardhur për pushime”.

Këto ishin reagimet e turistëve nga Kosova, Maqedonia e Veriut, por edhe nga pjesët tjera të Shqipërisë që qëlluan në plazhin e Shëngjinit përderisa caktohej kush ku duhet t’i vë çadrat me shezllonget.

Kryeministri Edi Rama, ndërkohë, në një konferencë për shtyp sot njoftoi se “Policia e Shtetit do të jetë e pranishme në të gjithë vijën bregdetare dhe do të konfiskojë në vend çdo lloj çadre, shezloni apo strukture tjetër ndihmëse që nuk është e përputhur me bazën dokumentare të subjektit”.

Rama tha se “jo të gjitha subjektet private duan ta kuptojnë si funksionon ky proces, në ndonjë rast edhe vetë ndonjë bashki e caktuar nuk e ka kuptuar procesin, apo nuk do ta kuptojë, duke krijuar konfuzion dhe premisa për konflikte”.

Por, tha Rama, “një gjë është e padiskutueshme se, ajo që është përcaktuar si kornizë e këtij procesi do të zbatohet me hir ose me pahir”.

“Dua t’i bëj thirrje sot të gjitha atyre subjekteve që nuk janë në rregull me dokumentacionin dhe kanë operuar me teorinë e faktit të kryer që të largohen nga sipërfaqet që nuk u takojnë me ligj dhe me rregull”, tha Rama.

Rama tha se “plazhet janë të popullit, të qytetarëve dhe për aq sa subjektet private janë të përfshira në procesin e garantimit të sezonit turistik janë edhe të tyre si përgjegjësi, aty ku është njohur ligjërisht”.

Kryeministri theksoi se “është shumë e qartë edhe nga pikëpamja financiare kjo skemë e re e administrimit të hapësirës së plazheve ka krijuar më shumë të ardhura dhe për sektorin publik, institucionet publike, bashkitë dhe më shumë hapësira për qytetarët që nuk duan të jenë pjesë e hapësirave ku plazhi administrohet nga privati”.

“Besoj se përtej disa rasteve që janë bërë publike apo edhe disa rasteve të tjera që nuk janë bërë publike por janë problematike, në tërësi baza është pozitive, por duhet të konsolidohet që piku i sezonit, korriku dhe gushti të jenë absolutisht të garantuara në këtë aspekt”, tha Rama.

“U përsëris subjekteve që nuk janë aty, ku janë vendosur me teorinë e faktit të kryer, duhet të largohen vetë dhe të mos humbasin edhe atë bazë materiale që kanë siguruar se do t’ju merret dhe nuk do t’u kthehet më mbrapsht si mjet uzurpimi i paligjshëm i hapësirës që nuk është e tyre, por është e publikut, e qytetarëve”, tha Rama.

Të fundit