E mërkurë, 11 Dhjetor, 2024

Fshati me potencial turistik shndërrohet në deponi masive

Autorë: Albina Sefadini dhe Valon Sallai

 

Fshati Kalisht i Gostivarit në Komunën e Vrapçishtit ende në vitin 2021 nuk ka asistencë për sa i përket pastrimit dhe mbedhjes së mbeturinave. Shkaku i kësaj neglizhence, ky fshat dita ditës është duke u shëndrruar në një deponi masive.

Banorët e këtij fshati thonë se janë të detyruar që mbeturinat t’i hedhin në pika të caktuara në fshat siç janë periferitë ose t’i djegin, gjë e cila po ndikon në shkatërrimin e ambientit jetësor me vetëdije. Sipas banorëve perspektiva e këtij fshati është premtuese, ai mund të shëndërrohet në një fshat ideal turistik në vend, duke zhvilluar dhe promovuar aktivitete të ndryshme rekreative dhe sportive.

Unë personalisht por edhe si kryetar i shoqatës për Kalishtin bashkë me banorët e tjerë disa herë kemi reaguar mbi këtë dukuri që po ngulfat fshatin tonë i cili në një të ardhme të afërt pretendon të jetë një atraksion turistik. Momentalisht fshati ka dy restorante dhe në një të ardhme të afërt pretendon të jetë qendër e parkut nacional të Malit Sharr e në ndërkohë në secilin cep të fshatit ashtu si edhe në qendër të tij po ngulfatet me mbeturina si pasojë e mosangazhimeve institucionale”, thotë Nevrij Ademi.

Pëveç banorëve, këtë fenomen e dënojnë edhe shoqatat ekologjike. Ismet Ramadani, kryetar i Shoqatës ekologjike “Blue River Muzdaçja” thotë apelet e tyre për ndërmarrjen e masave nuk janë dëgjuar.

Ne si organizatë joqeveritare ekologjike shpesh herë kemi ngritur zërin kundër kësaj dukurie në fshatin Kalishtë, Ky fshat tani është bërë një ndër vendet më të mira sa i përket atraksionit turistik por edhe përskaj dëshirës tonë institucionet kompetente nuk ndërmarrin masa në përmirësimin e gjendjes ekologjike në këtë fshat të Malit Sharr. Ne si shoqatë ekologjike u bëjmë apel institicioneve komunale që sa më shpejt të gjejnë zgjidhje për problemin e mbeturinave në këtë fshat sepse po rrezikojmë jetë njerëzish, po rrezikohet flora dhe fauna e i gjithë mjedisi jetësor”, thotë Ramadani.

Banorëve, të cilët thonë se ankesat e tyre po hasin në vesh të shurdhër, me vite u është premtuar rregullimi dhe menaxhimi i këtij problem, e sidomos para zgjedhjeve lokale.

Iu drejtuam Komunës për të marrë përgjigje për shqetësimin dhe problemin që kanë banorët nga ku kryetari Isen Shabani thotë se me ardhjen e tij në krye të pushtetit lokal tek Komuna e Vrapçishtit e ka trashëguar këtë problematikë, jo vetëm për fshatin Kalisht, por për pothuajse të gjitha fshatrat malor të Komunës së Vrapçishtit. Përsëri premtohet zgjidhje e shpejtë e problemit.

Kontrata privato-publike e lidhur me kompaninë për mbledhjen e mbeturinave ka qenë me kohëzgjatje deri në vitin 2021, ku në të nuk kanë qenë të përfshirë fshatrat malorë. Ne si komunë kemi bërë studim fizibiliteti, me qëllim përfshirjen e këtyre fshatrave në sistemin e mbledhjes së mbeturinave. Shumë shpejt do të publikohet edhe shpallja e re për partneritet privato publik dhe shpresojmë që kjo problematikë do të zgjidhet me partnerin fitues”, thonë nga Komuna e Vrapçishtit.

Banorët janë të revoltuar dhe paralajmërojnë se nëse ky problem nuk gjen zgjidhje të menjëherëshme do të detyrohen të dalin në protesta.

Kalishti, një pjesë e vogël e problemit të madh me deponitë në vend

Gjendja e përgjithshme me deponitë në vend çdo ditë e më shumë po përkeqësohet. Çdo ditë krijohen edhe deponi ilegale për te cilat askush nuk mban përgjegjësi. Organizatat joqeveritare pohojnë se në vend ekzistojnë më shumë se 50 deponi të egra, të cilat gjatë stinës së verës digjen dhe ndosin ambientin.

Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor ka preyantuar Planin e ri kombëtar për menaxhim me mbeturinat për periudhën 2020-2030 në të cilin premtohet se deri në fund të vitit 2030 problemit do t’i gjendet zgjidhje duke ndërtuar 6 deponi rajonale dhe duke investuar në sisteme moderne të riciklimit të mbeturinave.

Bëhet e ditur se të ardhurat për ndërtimin e deponisë në rajonin Lindor dhe Verilindor në vlerë prej 43 milion euro janë siguruar, ndërsa sa i përket rajonit të Pollogut është nënshkruar marrëveshje bilaterale ndërmjet qeverive të Zvicrës dhe Maqedonisë me vlerë prej 9 milionë franga zvicerane, për përpunimin e dokumentacionit planifikues për menaxhimin e mbeturinave.

Një premtim më i vjetër për ndërtimin e tetë deponive rajonale daton që në vitin 2004 por pa asnjë arritje konkrete.

Ndërkohë, vetëm 10% e mbeturinave në shtet gjatë një viti arrijnë deri në fazën e përpunimit të tyre. Kjo nënkupton që vendi ka kapacitete shumë të vogla dhe të dobëta në sferën e përpunimit dhe transformimit të këtyre mbeturinave në bio-gaz dhe energji elektrike.

 

Ky artikull është produkt i projektit “Young Journalists’ Network” i implementuar nga Democracy Lab. Ky projekt është i mbështetur me grant nga Ambasada e SHBA-ve. Mendimet, zbulimet dhe konkluzionet ose rekomandimet e paraqitura këtu janë të implementuesve/autorëve dhe nuk i reflektojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA-ve.

 

Të fundit