Sipas ekspertes për çështjet e politikës nga qendra e Berlinit e “Këshillit Europian për Marrëdhëniet e Jashtme, (European Council on Foreign Relations), Jana Puglierin, presidenti amerikan, nuk mund të presë, që menjëherë që me udhëtimin e parë të farkëtojë një aleancë të fortë kundër Kinës. “Ky do të jetë një akt barazpeshimi”, thotë Puglieri. Me Pekinin kërkohet po ashtu bashkëpunim në çështjet ekonomike dhe në mbrojtjen e klimës. BE vërtet që ka vendosur sanksione kundër qytetarëve kinezë për shkak të shtypjes së pakicës uigure, por nuk është shprehur shumë qartë në çështjen e Hongkongut si SHBA.
Për Joe Biden ka rëndësi, që në fund të samitit të ketë një përkrahje të qartë për më shumë investime të perëndimit, me qëllim që të shmanget influenca kineze në Afrikë dhe Europën Lindore.
Nga takimi i Joe Bidenit me presidentin rus, Vladimir Putin, javën e ardhshme në Gjenevë, ekspertja Jana Puglierin nuk pret shumë. Konfliktet me Rusinë për shkak të Ukrainës dhe Bjellorusisë janë çimentuar së tepërmi, sipas saj. E rëndësishme është që Joe Biden të japë sinjalin, se perëndimi flet me një zë.
Ndryshe nga paraardhësi, Donald Trump, presidenti Biden nuk i sheh europianët si kundërshtarë, por si partnerë të vlefshëm, shprehet eksperti për politikën e Jashtme i Të Gjelbërve në Parlamentin Europian, Reinhard Bütikofer. Edhe diplomatë të tjerë shprehen pozitivisht. “Sundon një atmosferë e mirë. Në tavolinë ka vullnet për t’u angazhuar. Është tërësisht ndryshe se në kohët e mëparshme”, i tha një diplomat i BE Deutsche Welles.
Në samitin e europianëve me presidentin Biden do të bëhet fjalë që të lihen mënjanë konfliktet tregtare dhe doganat ndëshkuese, që kishte inciuar presidenti Trump. Shenjat për këtë janë të mira, sipas një drafti të deklaratës së samitit, por Jana Puglierin paralajmëron nga një eufori e tepruar. Europianët janë skeptikë, nëse Joe Biden do të mund të qëndrojë në kursin e ri të bashkëpunimit ndërkombëtar.
Ka ende tema për debat, si për shembull tërheqja e trupave nga Afganistani, grindja për gazsjellësin Nord Stream 2, dhe propozimi i SHBA që të pezullohen përkohësisht patentat për vaksinat kundër Coronës, që nuk gjen miratim në BE. Kryeministri britanik, Boris Johnson kërkon të arrijë, që vendet e pasura të japin më shumë vaksina drejt vendeve më të varfra. BE e eksporton ndërkohë një pjesë të madhe të vaksinave të prodhuara.