E mërkurë, 9 Korrik, 2025

TRE PIKAT E BDI

Kanë javë që në rrjete sociale, publikojnë fushën e gjelbër me shenja të pikësimit. Tash kanë nisur me shprehjen “Diçka e mirë po vjen”, por askush nga Bashkimi Demokratik për Integrim nuk tregon se ç’është kjo e mirë. Madje as kryetari i integristëve Ahmeti nuk tregon, por paralajmëroi se do të jetë diçka e ngjashme me idenë për “kryeministër shqiptar”.

“Më 5 qershor përsëri familja jonë do ta dalë me një platformë që fillimisht ashtu diskutabile dhe me debat shumë të madh që ishte, “Kryeministrin i parë shqiptar”, edhe kjo platformë do të ketë debat shumë të madh, por do e lej 5 qershorin”, deklaroi Ahmeti.

Ka kohë që funksionarë të BDI-së së Ali Ahmetit postojnë foto me tre pika të bardha dhe me sfond të gjelbërt, pa mos treguar domethënien e tyre.

Ahmeti, gjatë qëndrimit në Lokovë, tha se të shtunën do të shpaloset projekti i madh i kësaj partie. Tha se do të jetë një ide me përmasa të “kryeministrit shqiptar”.

Kryeministri Zoran Zaev duket se ka informacione për përmbajtjen e projektit të BDI, por nuk ka dhënë asnjë detaj. Nëse para një viti e pat kundërshtuar idenë për “kryeministrin shqiptar”, tani duket se e përkrah idenë e re të Ahmetit.

“Unë do ta them atë që e di sepse kuptohet jam i informuar nga zëvendësi im në Qeveri. BDI ka një punë të mirë për ta kumtuar të shtunën. Është e bukur sepse është në korrelacion me punën e Qeverisë, është e bukur sepse është moderne dhe sepse është adekuate për shekullin 21. Mua më pëlqen që kështu mendohet në nivelet më të lartë të BDI-së. Unë do ta lë që BDI vetë ta kumtoje sepse kjo është agjenda e tyre. Besoj se kjo është në frymën e përparimit të ambientit politik në shtet”.

TV21 raporton se fraza “Diçka e mirë po vjen” mund të ketë lidhje me zgjedhjet lokale. Por shton se “megjithatë, kjo mbetet për t’u parë të shtunën.”

“Çfarë ka për të qenë befasia e radhës nga kampi politik i Integristëve në prag të zgjedhjeve lokale të së vjeshtës?”, pyet Tv Klan Klan Maqedonia.

“Kënga e njohur flet për të kuqen…. E kuqja dominoi fushatën e fundit elektorale të integritsëve të Ali Ahmetit, por ditët e fundit në statuset e funksionarëve  më të lartë partiak defiloi  një fotografi bojë jeshile e pastërt që për disa ditë u shoqërua me  shenja pikësimi – pikëpyetje e tri pika. Sqarim për këtë nuk dha këto ditë as zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani”, raportoi Klan Maqedonia. /KDP

 

 

Të fundit