Autor: Blerim Shala
Dokumenti i para dy javëve i Josep Borrellit, Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, i quajtur ‘Working Paper’, i cili artikuloi qartë dhe saktë Diagnozën politike, diplomatike dhe gjeo-politike (madje), për situatën e tanishme në Ballkanin Perëndimor, dhe njëkohësisht, shfaqi dobësitë e rëndomta të BE-së kur bëhet fjalë për Terapinë që duhet aplikuar për ta zëvëndësuar këtë pasigurinë e tanishme në shtetet e WB6, me një stabilitet afatgjatë, megjithatë, mund të krijojë rrethana më të mira në këto anë të Evropës, të cilat do të duhej të ishin reflektim edhe i intensifikimit të Procesit të Berlinit.
Tek e mbrama, Diagnostifikimi i duhur, jo vetëm në shëndetësi, por edhe në politikë dhe diplomaci, është ajo gjysma e parë e suksesit, pa të cilin nuk mund të ecet para.
Në të kundërtën, kur nuk ka Analizë të qëlluar të gjendjes aktuale politike në një shtet dhe në një rajon, secili Propozim për ta zgjidhur një çështje, një problem, e lëre më krizë, do të jetë i gabuar.
Në Ballkanin Perëndimor, dhe jo vetëm këtu (dihet çka po ndodhë në Ukrainë, tash e sa vjet, së fundit, edhe në Bellorusi, pas rastit të aterimit të dhunshëm të një aeroplani në të cilin gjindej një opozitar i regjimit të sotëm të Presidentit Lukashenko), është duke u zhvilluar, së paku qe dhjetë vjet a më shumë, një përplasje gjeo-politike në mes të Perëndimit dhe Rusisë, e cila viteve të fundit është pasuruar edhe me praninë gjithnjë e më të madhe ekonomike të Kinës.
Ky konfrontim bazohet mbi të gjitha në një ‘Status kalimtar’ të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor (Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Serbisë) , sa i përket procesit të integrimit të tyre të plotë në Bashkimin Evropian.
Në të vërtetë, ‘Statusi kalimtar’ për këto shtete, tash e tre vjet, është shndërruar në një ‘Status të paqartë’ në këtë ndërmarrje të përbashkët të BE-së dhe të WB6, sepse procesi i zgjerimit të BE-së pësoi një vendnumërim politik dhe organizativ, i cili, siç zatën edhe konstatohet tërthorazi në Dokumentin e Borrellit, nuk i solli gjë të mirë kësaj pjese të Evropës. Përkundrazi, vetëm sa intensifikoi ndërhyrjet e shumëfishta të Rusisë dhe të Kinës dhe shtoi shqetësimet për të ardhmen e këtyre shteteve.
Po mos të ishte fushata politike dhe diplomatike e SHBA-së dhe e Aleancës Veri-Atlantike, për anëtarësimin e Malit të Zi dhe të Maqedonisë së Veriut në Paktin NATO, kush e di se si do të përfundonin veprimet e Rusisë në këto dy shtete që acaruan shumë gjendjen në Mal të Zi dhe në Maqedoninë e Veriut në vitet 2016 dhe 2017.
Shqipëria tashmë është shtet anëtar i NATO-s, teksa Kosova ka një Mision to NATO-së (që nga 10 qershori i vitit 1999, pas miratimit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së), apo, KFOR-in, gjë që kontribon në ruajtjen e një makro-stabiliteti në këto anë të Evropës.
Serbia e ka të kumtuar një lloj të ‘Neutralitetit ushtarak’, teksa Bosnja dhe Hercegovina, për shkaqe të njohura e ka të pamundur aktualisht të funksionojë si duhet, jo vetëm brenda vetes por edhe në këtë rrafshin ndërkombëtarë, gjë që reflektohet edhe në këtë çështje.
Sidoqoftë, të gjitha gjashtë shtetet e WB6, e kanë të shpallur në mënyrë shumë të prerë synimin e tyre për tu bërë pjesë e BE-së, prandaj, kjo vlerë e përbashkët, si dhe sprovat gjeo-politike, të njohura nga të gjithë dhe të pranuara edhe nga vet Kryediplomati i Bashkimit Evropian, do të duhej të bashkoheshin në një Plan të ri të qartë, në të gjitha aspektet e mundshme (duke përfshirë edhe kornizën kohore brenda së cilës mund të ndodhë përfshirja e WB6 në BE), të BE-së, për anëtarësimin e këtyre gjashtë shteteve në BE.
Aktualisht, janë disa dinamika politike në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Kjo e para për nga rëndësia, e anëtarësimit të gjashtëshes së WB6 në BE, është aktualisht fare e mjegulluar kur bëhet fjalë për afatin kohor të konkludimit të këtij procesi.
Ai Plani tre-fazor i Jean-Claude Juncker, ish-Presidentit të Komisionit Evropian, i prezentuar në ‘Strategjinë e zgjerimit të BE-së me shtetet e Ballkanit Perëndimor’ (në muajin shkurt të vitit 2018), sipas të cilit, në vitin 2025 mund të ndodhë (në variantin më të mirë), anëtarësimi i Malit të Zi dhe Serbisë, pastaj, në fazën e dytë, i Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, dhe në të tretën, i Kosovës dhe Bosnjës dhe Hercegovinës, nuk është më në fuqi.
Deri para pak muajsh, në Bruksel me gjasë pakkush ka qenë i gatshëm që të shqyrtojë mundësinë që në këtë dekadë ku jemi, të ketë fare zgjerim të BE-së.
Por teksa kjo dinamika politike evropiane në WB6 (e cila ndryshe, është të thuash vendimtare për të shtyrë para Agjendën e reformave të thella politike, ligjore dhe ekonomike, brenda këtyre shteteve), është e paqartë, dinamika gjeo-politike, të cilën e imponojnë Rusia dhe Kina, ndodhë të thuash vazhdimisht, apo, ajo njeh ditët, javët dhe muajtë e aktivizimit të saj.
Veçmas Rusia, po të ketë mundësi, do ta shfrytëzojë sa më shumë që është e mundur këtë shpërputhje të dy dinamikave, me synim që ta ndryshojë tërësisht orientimin e disa shteteve të WB6 për tu bërë pjesë përbërëse e BE-së, dhe për t’i lidhur ato shtete edhe formalisht me Rusinë, gjegjësisht me Projektin e Presidentit Putin të zgjerimit të ‘Orbitës’ ruse në këto anë të Evropës.
Për këtë shkak, Dinamika agresive gjeo-politike e Rusisë dhe Kinës në hapësirën e WB6, do të duhej të shtynte BE-në dhe Perëndimin në përgjithësi (në një partneritet trans-atlantik i cili është edhe ashtu në ri-vënie e sipër nga ana e Administratës së Presidentit Biden në muajtë e kaluar), që të përgatisin një kundërpërgjigje gjeo-politike në trajtë të një Plani të detalizuar për anëtarësimin e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE.
Qasja e sotme e BE-së në këtë aspekt mund të cilësohet me atë të të moçmen si ‘shumë pak dhe me vonesa’, ndërrsa ajo nuk mund dot ta ngadalësojë mësymjen gjeo-politike të Moskës dhe të Pekinit.
BE-ja duhet të ndryshojë shumë, nëse synon që ta ushtrojë atë rolin për të cilin edhe është e thirrur në këto anë të Evropës. (KlanKosova)