E shtunë, 15 Mars, 2025

VIDEO/ Xhelal Neziri: Shqipëria mund t’i çelë negociatat para RMV-së, nuk ka pse mbetet peng

Analisti politik Xhelal Neziri, foli për situatën e hapjes së negociatave të RMV-së me BE-në, në një lidhje të drejtpërdrejtë me Euronews Albania. Për shkak të mosmarrëveshjeve mes RMV-së dhe Bullgarisë, RMV-ja nuk e ka të sigurt marrjen pjesë në Konferencën Ndërqeveritare që do të mbahet muajin tjetër.

Z. Neziri tha se fakti që Bullgaria ka aktualisht qeveri teknike, ka penalizuar dy vendet që të arrijnë marrëveshje me njëra-tjetrën. Ai tha se qeveria teknike në Bullgari nuk ka legjitimitet që të marrë një vendim.

“U prit që në zgjedhjet Parlamentare në Bullgari të prodhonin një qeveri legjitime që do të mund të relaksonte atmosferën armiqësore ndaj RMV-së në Bullgari, mirëpo rezultatet e zgjedhjeve çuan në zgjedhje të reja, të parakohshme në korrik. Me takimin e fundit në nivel presidentësh, çështja mbartet nga qeveria në nivel të dy presidentëve. Presidenti është i vetmi institucion në Bullgari që mund të ketë legjitimitet që të arrijë një marrëveshje me Shkupin”, u shpreh z. Neziri.

Z. Neziri tha se sipas tij, nëse nuk arrihet një marrëveshje midis Bullgarisë dhe RMV-së, atëherë gjasat janë që Shqipëria t’i çelë negociatat përpara.

“Mendoj se do të kemi një ndarje për shkak se Shqipëria nuk mund të mbetet peng e një kontesti i cili nuk dihet se sa vite do të zgjasë”, u shpreh analisti Neziri.

Xhelal Neziri tha se entuziazmi për integrimin në BE nga RMV-ja rrezikon të bie për shkak se ky shtet ka bërë kompromise të mjaftueshme por ende nuk është marrë vendimi i hapjes së negociatave.

“Shqetësimi është te fakti që sa më shumë që zgjat kjo bllokadë, bie entuziazmi dhe besimi në integrimin në BE dhe zbehet ajo perspektivë evropiane për të cilën RMV-ja sakrifikoi shumë”, tha analisti politik.

Ai informoi se ekziston një propozim nga ana e Spanjës, i cili mund të zbusë marrëdhëniet midis RMV-së dhe Bullgarisë dhe të ndezë një dritë jeshile për çeljen e negociatave me BE-në për RMV-në, në qershor të këtij viti.

“Propozimi portugez për kapërcimin e problemit dhe që i ka dhënë një shtytje pozitive, është një propozim që mbështetet nga Brukseli dhe Gjermania, ku parashihet edhe inkuadrimi i ekspertëve dhe historianëve të jashtëm të cilët do të pastronin dilemat që kanë të bëjnë me historinë apo me gjuhën maqedonase, të cilat i konteston Bullgaria. Ka propozime të ndryshme në atë dokument që mendoj se mund të shtyjnë palët drejt pajtimit”, tha Xhelal Neziri.

Të fundit