Më 26 dhe 27 maj 2021, Ministri i Shtetit për Evropën, Michael Roth do të bëjë një vizitë në Republikën e Maqedonisë Veriore, njofton Ambasada Gjermane në Shkup, përcjell KDP.
Roth do të ketë bisedime me kryeministrin, Zoran Zaev, me zv.kryeministri Nikolla Dimitrov, me përfaqësuesit e partive politike
si dhe shoqërinë civile.
Çështja e historisë dhe gjuhës me Bullgarinë, që ka bllokuar vendin në nisjen e bisedimeve për anëtarësim, pritet të jetë në qendër të bisedave në takim.
Angel Dimitrov, bashkëkryetar i Komisionit të Përbashkët për Çështje Historike nga pala Bullgare, ka thënë sot se historianët maqedonas humbën 3 vjet në ngurrimin për të pranuar formulimin e Marrëveshjes së Miqësisë dhe Fqinjësisë së Mirë, e cila bën të qartë se Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut kanë një histori të përbashkët.
Dimitrov ka theksuar se nuk është serioze që pala maqedonase të akuzojë Bullgarinë për mungesë progresi për shkak të proceseve politike në atë vend në lidhje me zgjedhjet parlamentare. Në intervistë, Dimitrov ka thënë se ishin historianët maqedonas ata që përdorën zgjedhjet në vendin e tyre si një justifikim për të bllokuar punën e Komisionit të Përbashkët dhe se kjo bllokadë vazhdoi me pretekstin se ekziston një pandemi e koronavirusit.
Ai është shprehur i prerë se presioni i jashtëm nga të gjitha vendet anëtare të BE, i shpresuar nga politikanët dhe historianët në Shkup, nuk do të çojë në një ndryshim të pozitës në Bullgari.
“Unë nuk jam një politikan, unë jam larg nga sferat politike, por si një person me një përvojë diplomatike mund të them se nuk ka asnjë mënyrë për të qenë nën presion nëse mbrojmë qartë pozicionet bullgare” ka thënë historiani, i cili më parë ka qenë ambasador bullgar në Maqedoninë Veriore.
Sipas tij, problemi më i madh është se Komisioni i Përbashkët është ende i bllokuar në Mesjetën e hershme, dmth. Pala maqedonase, siç thotë ai, kundërshton karakterin bullgar të mbretërisë së Samuelit, e cila sipas Dimitrov është në kundërshtim me burimet historike dhe arritjet moderne të studimeve botërore.
“Kolegët tanë nuk pajtohen me burimet historike. Ata spekulojnë me ata në shkencat shoqërore, jo me historinë. Sipas tyre, asnjë kombësi nuk u formua në Mesjetë, dhe mbretëria e Samuelit nuk ishte bullgare, por ata thonë se është maqedonase dhe se një komb maqedonas tashmë është formuar. Në këtë mënyrë, ato kundërshtojnë vetveten”, ka thënë Angel Dimitrov.
“Kur kemi një divergjencë të plotë të pikëpamjeve, atëherë besimi në punën kolegjiale dhe profesionale të komisionit të përbashkët humbet”, ka shtuar Dimitrov.
Ai ka njoftuar se në rreth dy javë, pra në qershor, do të mbahet takimi i 14-të i Komisionit të Përbashkët Historik.
“Fillova të pyes veten nëse kolegët tanë maqedonas sillen më shumë si roje të miteve, por tani fillova të mendoj se ata kanë filluar të sillen si ideologë në pozicionin anti-bullgar që kemi qenë dëshmitarë që nga vera e kaluar”, ka thënë Dimitrov.