E shtunë, 15 Mars, 2025

GJUKANOVIQ: PO RREZIKOHET RRUGA EVROPIANE E MALIT TË ZI

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, ka deklaruar se përzgjedhja më e mirë politike për vendin e tij, por edhe për gjithë Ballkanin Perendimor në tërësi është integrimi në strukturat euro-atlantike. Mungesa e perspektivës së qartë evropiane për rajonin, ka tërhequr vërejtjen ai, ka rritur ambiciet e vendeve të treta të cilat paraqiten me platforma të tjera që në të kaluarën jo të largët rajonit i kanë kushtuar shtrenjt.

Kritik ndaj zhvillimeve të fundit politike në vendin e tij dhe në rajon, por edhe ndaj vendosmërisë së munguar të Brukselit për bashkimin e Evropës, presidenti malazez, Milo Gjukanoviq, konstatoi të mërkurën stagnimin serioz të integrimit të Ballkanit Perendimor në familjen evropiane dhe për pasojë edhe paraqitjen e ‘Non paper’- ave të ndryshëm. Kjo ka shtuar ambiciet e të ashtuquajturave palë të treta të cilat, tha ai, paraqiten me platforma kundërthënse duke trimëruar bartësit e politikave retrogradetë që në të kaluarën jo fort të largët i kushtuan shtrenjt rajonit – me viktima të shumta në njerëz.

‘Një gjendje e këtillë e perspektivës së mjegullt evropiane për Ballkanin Perendimor krijon hapësirë reale për aktualizimin e disa politikave, besonim të refuzuara, gjithësesi retrograde, dhe të mundura në vitet e hershme të nëtëdhjeta. U mashtruam: Sikurse po shohim, nuk është fjala vetëm për ‘Non paper’-at, fjala është se këto ide jetojnë edhe në rajon edhe jashtë rajonit. Janë ato ide që nuk besojnë në demokracinë shumetnike në Ballkanin Perendimor dhe ofrojnë si alternativë kalimin në rikonfigurim dhe riorganizim tjetër shtetëror në rajonin tonë dhe që në vend të shteteve ekzistuese shumetnike, të vendosim tre shtete të mëdha, kombëtarisht dhe fetarisht homogjene – Serbinë e Madhe, Shqipërinë e Madhe dhe Kroacinë e Madhe,’ – deklaroi presidenti malazez duke u angazhuar për hapjen e qartë të perspektivës evropiane për Ballkanin Perendimor si digë e vetme mbrojtëse, sikurse u shpreh, nga politikat nacionaliste për shtete të mëdha.

Presidenti Gjukanoviq në konferencën e sotme të shtypit, në prag të 21 majit, 15 – vjetorit të Pavarësisë së Malit të Zi, ka akuzuar qeverinë për atë që ai e ka cilësuar si revanshizëm brutal politik dhe jo vetëm kaq:

‘Kemi edhe rrezikimin e prestigjit ndërkombëtar të vendit si për shkak të lëshimeve të palejueshme në sistemin e sigurisë, ashtu edhe për shkak të mesazheve anticivilizuese nga pocicione të larta të Qeverisë që nuk i ka hije një shteti i cili është përcaktuar për rrugën evropiane dhe që është anëtar i NATO-s. Injorimi i parimeve evropiane për transparencën, bashkëpunimin dhe inkluzivitetin në përkufizimin dhe harmonizimin e ndryshimeve në një varg zgjidhjesh ligjore rrezikon seriozisht rrugën evropiane të Malit të Zi dhe besimin e partnerëve tanë evropianë,’ – tha  presidenti Gjukanoviq duke  vlerësuar se preteksti i qeverisë se këtë e bën në emër të luftës më efikase kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është i tejdukshëm dhe arsyetim për vendosjen e kontrollit absolut të pushtetit me qëllim të qërrimit revanshist të hesapeve. Komentet e shefit të shtetit malazez pasojnë paralajmërimin disa herë të theksuar nga qeveria pro-serbe e kryeministrit Krivokapiq, me të cilën është në kohabitacion, se Gjukanoviq dhe bashkëpunëtorët e tij do të përgjigjen pikërisht për veprimtari të jashtëligjshme.

Të fundit