Revista gjermane “ZUERST”, shkruan se një “Non-paper” i ri po qarkullon lidhur me kufijtë e Kosovës dhe Serbisë, raporton Hashtag.al, përcjell KDP.
Sipas kësaj reviste, ky “non-paper”-i ri përfshin një total prej 16 pikash dhe ku Kosova parashikohet si pjesë e Serbisë. Ky dokumenti sugjeron, që 873 mijë shqiptarët e Kosovës “duhet të marrin shtetësinë e Republikës së Serbisë”.
Revista gjermane e cila pretendon se disponon këtë dokument jo-zyrtar, thotë që kjo nuk shkel asnjë pikë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të 10 qershorit të vitit 1999 .
Në këtë “Non-paper” propozohet që zgjedhjet e përbashkëta të mbahen në Kosovë dhe Serbi në prill të vitit të ardhshëm – “në të gjitha nivelet”.
“Guvernatori i zgjedhur i Kosovës duhet ta mbajë gjithashtu detyrën e nënkryetarit të parlamentit serb. Beogradi gjithashtu do të garantonte një status të veçantë për Kosovën për 99 vjet. Lëvizja e mallrave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të fillojë përsëri, siguria e kufirit për jashtë do të merret nga Serbia dhe Kosova së bashku. Ambasadori i serb në Kombet e Bashkuara në të ardhmen do ta ketë një përfaqësues të qeverisë kosovare në krah të tij.”– vijon më tej revista, e cila thotë se nuk e di autorin e këtij dokumenti.
Ky dokument i ri është thelbësisht i ndryshëm nga propozimet e mëparshme – dhe me të vërtetë mund të ringjallë debate midis shqiptarëve të Kosovës. Ai e sheh Kosovën si një provincë të Serbisë, por edhe propozimi i një lloj “partneriteti” midis Beogradit dhe Prishtinës është tani në tryezë.
Në fund revista shton: “një marrëveshje paqësore midis Serbisë dhe Kosovës do të nënkuptojë gjithashtu një gjë mbi të gjitha: SHBA-të të tërhiqen nga Ballkani.”
Njohësi i politikës evropiane, Enver Robelli, në shkrimin e tij në Koha.net, thotë se prapa këtij dokumenti qëndrojnë qarqe të Rusisë që dëshirojnë të minojnë pozicionet e Kosovës në dialog. “Sot nëpër mediat ballkanike po qarkullon një lajm i një «reviste» gjermane të quajtur «Zuerst» mbi një «non-paper» të ri mbi Kosovën. «Dokumenti» thuhet se përmban 16 pika dhe, në thelb, parasheh kthimin e Kosovës nën Serbi për «99 vjet». «Zuerst» pretendon se e ka dokumentin në fjalë, por nuk publikon faksimilen apo ndonjë pjesë të saj.”