E premte, 21 Mars, 2025

PSE KONFLIKTI IZRAELITO-PALESTINEZ BËHET TEMË PARËSORE TE NE?

Konflikti izraelito-palestinez duket se po bëhet temë globale. Lobohet dhe kërkohet mbështetje për një nga palët gati nga secili shtet. Debati është ndezur edhe në rrjetet sociale. Qëndrime dhe argumentime për dhe kundër me tonalitet tifozerie. Shumë emocione e pak arsye. Çfarë pozicioni duhet të kenë shtetet, shoqëritë apo individët për konflikt? Çdo gjë përcaktohet nga interesat shtetërore, vlerat shoqërore por edhe nga niveli manipulimi të opinionit publik.

Shkruan: Xhelal Neziri

Mjafton një fotografi (madje edhe e rejshme) ta bëjë një pjesë të opinionit publik urrejtës patologjik të “tjetrit”. Para se ta definojë “tjetrin”, ajo pjesë e opinionit e identifikon veten me një palë. Zakonisht zgjedh palën më të dobët (solidarizim, empati), ose me të cilin ka elemente të përbashkëta (fetare, rrugëtim, status), apo e zgjedh palën më të fuqishme (pragmatizëm, mundësi përfitimi).

Walter Lippmann, në veprën e tij Opinioni Publik (1922) thekson rolin e mediave në formimin e opinionit publik për një temë të caktuar. “Na tregohet për botën përpara se ta shohim.  Ne i imagjinojmë shumicën e gjërave para se t’i përjetojmë ato. Dhe ato paramendime, përveç nëse edukimi na ka bërë të vetëdijshëm, qeverisin thellësisht të gjithë procesin e perceptimit”, thotë Lippman.

Kjo vlen edhe me përplasjet e fundit në Jeruzalem dhe Gaza. Ne nuk kemi informata gjithëpërfshirëse për të gjykuar, por ndërtojmë qëndrim vetëm duke imagjinuar situatën ashtu si na tregohet. Pasi të ndërtojmë qëndrimin ne e forcojmë duke absorbuar vetëm informacione që e konfirmojnë, duke refuzuar çdo gjë që e demanton atë qëndrim. Këtu përfundon kërkimi i së vërtetës pasi kemi të bëjmë me “disonancë konjitive”, ku besojmë çdo gënjeshtër që konfirmon qëndrimin tonë të gabuar dhe refuzojmë çdo të vërtetë që na rrënon atë qëndrimin.

Cili duhet të jetë qëndrimi i opinionit tonë publik ndaj konfliktit izraelito-palestinez?

Parti dhe figura politike të ndryshme në Maqedoninë e Veriut, Kosovë dhe Shqipëri dolën me qëndrime të ndryshme. Grupe majtiste, islamike dhe liberale morën anën e Palestinës, duke organizuar edhe marshe kundër Izraelit. Nga ana tjetër, qeveritë e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut i dhanë të drejtë Izraelit të mbrohet nga raketat e Hamasit, e vënë në listën e organizatave terroriste nga ana e SHBA dhe BE. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, në një cicërrimë të postuar sot, vendosi të gjithë flamujt e vendeve që kanë përkrahur vendin e  tij, ku flamuri shqiptar ishte i dyti pas atij amerikan. Aty ishte edhe flamuri i Maqedonisë së Veriut, por jo edhe i Kosovës të cilin Izraeli e kishte njohur si shtet i pavarur së fundmi. Palestina, ndërkohë, vazhdon të kundërshtojë shtetësinë e Kosovës dhe të mbajë anën e Serbisë.

Edhe presidenti amerikan ballafaqohet me përplasje brenda partisë Demokratike, të cilët kërkojnë një pozicionim më të ashpër ndaj Izraelit dhe mbrojtje më të vendosur të të drejtave njerëzore të palestinezëve. Të mos jesh Trump nuk do të thotë se ke ndryshuar politikën e jashtme amerikane, i thanë disa senatorë demokratë Bidenit.
Këtu, megjithatë, duhet të kihet parasysh fakti se qëndrimi zyrtar apo shtetëror dallon nga ai individual. Marrëdhëniet midis shteteve i përcaktojnë tre faktorë: vlerat, parimet dhe interesat. Në marrëdhëniet ndërkombëtare Kissinger thotë se vlerat dhe parimet shpesh zbehen apo harrohen, por interesat asnjëherë. Në këtë kontekst shtetet nuk udhëhiqen nga empatia apo e drejta, por vetëm nga pragmatizmi.

Konflikti izraelito-palestinez shpesh definohet si ndërfetar, pra një luftë midis hebrenjve dhe myslimanëve. Apo shkohet edhe më tej – paraqitet si luftë e Perëndimit kundër Islamit. Konjuktura të ndryshme politike të shteteve me shumicë myslimane e përdorin këtë përplasje për mobilizim të brendshëm dhe për rritjen e ndikimit të jashtëm në vende me numër të konsiderueshëm të myslimanëve. Këto shtete njihen si mbështetësit më të mëdhenj të Palestinës, por numrat tregojnë  se e përkrahin vetëm me fjalë. Të dhënat e OECD thonë se nga viti 1993 e deri në 2017 SHBA dhe BE kanë dhuruar për Palestinën afër 14 miliardë dollarë. Norvegjia është e treta si dhurues më i madh me afër 2 miliardë dollarë, kurse më pas vijnë Mbretëria e Bashkuar, Suedia dhe Kanadaja me nga 1 miliardë dollarë.


Para disa ditësh në Prishtinë, kurse sot në Shkup u organizua një protestë në mbështetje të Palestinës. Kjo ngjalli shumë reagime pro dhe kundër në opinion, duke lënë të pasqaruar dilemën se çfarë qëndrimi duhet mbajtur për pamjet e tmerrshme që vijnë nga zonat e konfliktit. Nëse ne si shoqëri jemi deklaruar se përkrahim vlerat perëndimore, atëherë qëndrimi jonë individual duhet të burojë nga përpjekja për mbrojtjen e lirisë, jetës dhe dinjitetit njerëzor si dhe pronës private, si vlera themelore euroatlantike. Dihet se ky cikël i dhunës nisi nga aksioni i dëbimit të palestinezëve nga një lagje në Jeruzalemin lindor. Por, raketat e organizatës terroriste Hamas poashtu kanë cënuar pronën private, lirinë dhe jetën e shumë hebrejve. Andaj këto parime nuk nënkuptojnë bërjen tifo për njërën palë në konflikt, por në fokus duhet të kenë njeriun, lirinë dhe dinjitetin e tij. Pra, dhembshuria dhe reagimi duhet të jetë i njëjtë për çdo jetë njeriu të humbur, pa marrë parasysh nëse është arab apo hebre.

Jo çdo gjë që lexohet në rrjetet sociale është e vërtetë. Observimi bardh e zi prodhon paragjykime, të cilat më pastaj bëhen qëndrime të gabuara që rëndë ndryshojnë.

Të fundit