Partitë që përbëjnë opozitën në Maqedoninë e Veriut kanë qëndrime të ndryshme lidhur me atë që po ndodh në Izrael dhe Palestinë. Ndërkohë që sekretari i përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët (ASH), Arben Taravari, e ka quajtur intervenimin izraelit në Jerusalimin lindor si “terrorizëm nga forcat barbare”, lideri i VMRO-DPMNE-së ka thënë se është i papranueshëm sulmi me raketa i Gazës ndaj Izraelit, njofton KDP.
“I trishtuar po shikoj fotografitë që vijnë nga Palestina. Atje po ndodh një terrorizëm nga Izraeli kundër banorëve të Palestinës, konkretisht Al-Qudsit të cilët janë të pambrojtur duke kërkuar paqe dhe duke u munduar t’i mbrojnë shtëpitë e tyre dhe xhaminë Al-Aksa. Kjo që po ndodh nuk është njerëzore! Terrorizmi nuk ka fe! PAQE! #Peace #FreePalestine”, ka shkruar Taravari në faqen e tij në Facebook.
Pas 15 minutave ai e ka ndryshuar pak postimin duke e hequr fjalën “Izraeli” në kontekst të terrorizmit dhe duke e zëvendësuar me “të tmerrshëm”, gjë që megjithatë nuk ka ndryshuar kuptimin e postimit.
Ndërkohë, Mickovski ka thënë se si parti e ndjekin nga afër situatën në Izrael, duke dënuar sulmet me raketa nga Hamasi.
“Ne jemi duke vëzhguar nga afër situatën në Izrael, rritjen e ndjeshme të dhunës, përfshirë zjarrin e vazhdueshëm të raketave nga Rripi i Gazës në Izrael. Gjuajtja e raketave nga Gaza drejtuar popullatës civile izraelite është plotësisht e papranueshme dhe rrit më tej tensionet në rajon. Në të njëjtën kohë, ne po theksojmë të drejtën e Izraelit për të mbrojtur dhe mbrojtur popullsinë dhe territorin e tij nga sulmet nga organizata terroriste Hamas. Ne i nxisim udhëheqësit politikë në Izrael dhe në rajon të vazhdojnë përpjekjet e tyre të sinqerta për të de-përshkallëzuar konfliktin dhe të veprojnë me vendosmëri kundër ekstremizmit që paraqet probleme serioze të sigurisë dhe rrezikon jetën e civilëve. Ne shprehim ngushëllimet tona më të thella për çdo humbje të jetës dhe urojmë de-përshkallëzimin e situatës sa më shpejt të jetë e mundur, e cila do të nënkuptojë një jetë të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët në atë rajon.”
Ndaj deklaratës së Mickovskit ka reaguar Erdogan Sarac, kryetar i Lëvizjes për Unitet Kombëtar të turqve në Maqedoninë e Veriut. Ai është distancuar nga kjo deklaratë e Mickovskit, edhe pse partia e tij është në koalicionin opozitar të drejtuar nga VMRO-DPMNE.
Liderët që janë pjesë e qeverisë – Zoran Zaev i LSDM, Ali Ahmeti i BDI-së, Menduh Thaçi i PDSH-së dhe Bilall Kasami i BESA-s, apo funksionarë të tyre qeveritarë nuk kanë komentuar akoma situatën rreth konfliktit izraelito-palestinez.
Gjatë ditës së sotme, në Prishtinë është mbajtur një marsh protestues në solidarizim me popullin palestinez. Një protestë e ngjashjme është paralajmëruar të mbahet këto ditë edhe në Shkup.