Analizë e KDP
Kryeministri maqedonas Zoran Zaev nuk është i gatshëm të sakrifikojë identitetin dhe gjuhën e tij nëse ky është çmimi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Këtë ai e bëri të ditur të mërkurën, vetëm një ditë pas takimit me Komisioneri i BE-së për Zgjerim Oliver Varheji, i cili e tha qartë se “pa kompromis me Bullgarinë nuk ka integrim në Union”.
Zaev shpreson që një zgjidhje për mosmarrëveshjen historike me Sofjen të arrihet në muajt e ardhshëm, pavarësisht nga fakti se Bullgaria po përballet me zgjedhje të tjera parlamentare dhe, për momentin, nuk ka asnjë qeveri të zgjedhur me të cilën të negociojë.
Por, është i qartë në një gjë: “Me koston e identitetit maqedonas dhe gjuhës maqedonase, ne nuk kemi nevojë për Bashkimin Evropian, sepse ne do të humbasim pluhurin nga era dhe kush do të hyjë atëherë në BE?”.
Një retorikë e këtillë u ngjan paraqitjeve të ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, i cili pas vetos së Greqisë për integrim në NATO në Samitin e Bukureshtit në 2008, tha se vendit nuk i duhet NATO e as BE nëse preket identiteti maqedonas.
PA MARRËVESHJE ME BULLGARINË MV NGEC, SHQIPËRIA EC PËRPARA
Komisioneri i BE-së për Zgjerim, Oliver Varheji tha dje nga Shkupi se Maqedonia e Veriut mund të ndahet nga paketa me Shqipërinë, nëse nuk arrin të arrijë një marrëveshje me Bullgarinë për çështjet e diskutueshme.
“Ky është një proces i bazuar në arritje. Shqipëria ka arritur kushtet, por nëse nuk ka marrëveshje për Maqedoninë e Veriut, mendoj se do të vijë një kohë kur do të duhet të shqyrtojmë edhe atë opsion,” tha Varheji.
Më parë, Gjermania dhe Austria, përmes ministrave të tyre, përjashtuan mundësinë e ndarjes së të dy vendeve në rrugën për në BE.
Sipas Zaev, një marrëveshje me Bullgarinë është e mundur pavarësisht pasigurisë politike në vendin fqinj.
“Problemi është iracional, dhe ne duhet të gjejmë një zgjidhje. Bullgaria është gjithashtu e interesuar që Maqedonia Veriore të jetë anëtare e Bashkimit Evropian dhe të integrohet në organizata ndërkombëtare si BE,” tha Zaev.
Sipas Kryeministrit, zgjidhja duhet të kërkohet mbi bazën që është vendosur tashmë, dhe kjo është pranimi i të dy palëve që ata ndajnë një histori të përbashkët në mënyrën evropiane të të menduarit.
“Por ata thonë – le t’i gjejmë rrënjët. Ne do t’i gjejmë rrënjët nëse jemi të zgjuar në një mënyrë evropiane”, tha Zaev.
Maqedonia e Veriut, tha Zaev, kërkon ndihmën e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian për heqjen e bllokadës bullgare dhe nisjen e bisedimeve të anëtarësimit me BE-në.
Edhe zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Nikolla Dimitrov ka theksuar gatishmërinë për vazhdimin e bisedimeve, por në anën tjetër, ai ka kërkuar angazhim më të madh nga BE-ja, meqë siç ka thënë, “njerëzit në Maqedoninë e Veriut janë lodhur nga ky debat i gjatë dhe premtimet e njëjta pasi kanë kaluar 20 vjet nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit dhe ende jemi në pritje të nisjes së bisedimeve”.
Duke komentuar deklaratën e komisionerit për Zgjerim dhe Fqinjësi të BE-së, Oliver Varhelyi, i cili nuk ka përjashtuar mundësinë që bisedimet e anëtarësimit të nisin vetëm me Shqipërinë dhe jo njëkohësisht me dy vendet siç ishte thënë më parë, Dimitrov tha se nuk beson se kjo do të ndodhë.
“Komisioni Evropian në nëntor të vitit të kaluar propozoi nisjen e bisedimeve me dy shtetet (v.j. Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë). Topi tani është te shtetet anëtare dhe mesazhet nga këto shtete tani po i dëgjojmë. Austria tha se dëshiron dy konferenca ndërqeveritare. Para disa ditësh kjo u tha edhe nga Çekia, ndërsa të njëjtën e bëri të ditur nga Brukseli edhe shefi i diplomacisë gjermane (Heiko Maas). Kështu që kemi një numër të madh të shteteve anëtare që duan dy konferenca apo nisjen e bisedimeve me dy shtetet njëkohësisht”, ka deklaruar Dimitrov, përcjell REL.
Muhamed Halili, ish-diplomat dhe njëherësh kryetari i Këshillit të Ambasadorëve, thotë se Maqedonia e Veriut duhet të arrijë marrëveshje me Bullgarinë, duhet të gjejë një kompromis sado që, sipas tij, realiteti mund të jetë i hidhur.
Halili nuk pret që të ketë ndarje të Maqedonisë së Veriut nga Shqipëria sa i përket nisjes së bisedimeve, por gjithashtu nuk pret që bisedimet për anëtarësim të nisin në muajin qershor.
Deklaratën e kryeministrit Zaev se pret marrëveshjen me një qeveri teknike në Bullgari, ish-diplomati Muhamed Halili, e vlerëson si përpjekje për të zbutur problemin.
“Çdo qeveri merr përsipër rrezikun dhe të arriturat, por në politikë rreziku është më i rrezikshëm për forcat politike sesa të arriturat, ka efekte më negativ dhe asnjë qeveri teknike, e cila formohet për shkaqe dhe qëllime të caktuara, për shembull si të shkohet në zgjedhje të reja në Bullgari, nuk ka atë kapacitet, pasi vetëm qeveritë politike mund të arrijnë marrëveshje fuqiplote dhe të qëndrueshme”, deklaroi Halili.
KU QËNDRON PROBLEMI?
Bullgaria, në nëntor të vitit 2020, ka bllokuar nisjen e bisedimeve të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE, duke e kushtëzuar me arritjen e marrëveshjes në lidhje me kërkesat e saj për identitetin dhe gjuhën maqedonase.
Sofja nuk e konteston identitetin maqedonas pas vitit 1945, por kërkon nga Shkupi që të pranojë se gjuha dhe identiteti, para kësaj periudhe, kanë pasur “rrënjë bullgare”.
Fillimi zyrtar i bisedimeve të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë pritej të ndodhte në një konferencë ndërqeveritare në muajin dhjetor. Vendimi i Bullgarisë, sipas VOA-s, përbën një sfidë të mëtejshme ndaj ish-republikës jugosllave, së cilës iu desh të binte dakord për të shtuar fjalën “Veri” në emrin e saj zyrtar për të zgjidhur një mosmarrëveshje prej dekadash me Greqinë, me qëllimin për “të pastruar” rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE. Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë iu desh të prisnin deri në mars të këtij viti që t’iu hapej drita jeshile për bisedimet e anëtarësimit në BE, pasi Franca kishte shprehur skepticizëm në vitin 2019 lidhur me rezultatet e tyre mbi çështje të lidhura me demokracinë dhe luftën ndaj korrupsionit.
Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe katër vende të tjera të Ballkanit Perëndimor, si Bosnja, Kosova, Mali i Zi dhe Serbia po përpiqen t’i bashkohen BE-së pas luftërave etnike të viteve 1990 që çuan në shpërbërjen e Jugosllavisë.
Futja e Ballkanit Perëndimor në BE do të ndihmonte në rritjen e standardeve të jetesës dhe do të zbuste rritjen e ndikimit rus dhe kinez në rajon, thonë mbështetësit e kësaj qasjeje.
Bullgaria, e cila prej kohësh i ka nxitur përpjekje për integrimin në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor, kërkon garanci në kuadrin e negociatave në mënyrë që Shkupi të prodhojë rezultat mbi një traktat miqësie të vitit 2017 me Sofjen, që trajton kryesisht çështje historike.
Sofja zyrtare gjithashtu kërkon garanci se Maqedonia e Veriut nuk do të mbështesë asnjë pretendim ndaj një pakicë maqedonase në Bullgari. Bullgaria kërkon që dokumentet zyrtare të BE-së të shmangin përmendjen e “gjuhës maqedonase”, që thotë se rrjedh nga bullgarishtja.