Zëdhënësi kryesor i Komisionit Evropian Eric Mamer, ka thënë të hënën në një konferencë për media se qëndrimi i Bashkimit Evropian rreth ideve për ndryshimin e kufijve në rajonin e Ballkanit Perëndimor, është i qartë dhe se nuk ka nevojë për asnjë ndryshim kufijsh, përcjell KDP.
Ai i ka bërë këto deklarata kur është pyetur se cili është qëndrimi i presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen rreth ideve për ndryshim të kufijve, qoftë përmes dyshimeve se për këtë ka pasur një “non paper” slloven, apo ideve të tilla që qarkullojnë nëpër qarqe të ndryshme.
“Përveç letrës që përmendet, e së cilës i referohen shumë e ne nuk e kemi parë, nuk jemi në dijeni për idetë tjera për këtë dhe e dini shumë mirë pozicionin e qartë të BE-së që e kemi përsëritur shumë herë. Ne nuk jemi në asnjë mënyrë në favor të çfarëdo ndryshimi të kufijve. Duhet ta lëmë këtë çështje të mbyllur një herë e përgjithmonë. Pa marrë parasysh se a kanë ardhur letra, a do të vijnë letrat apo jo, qëndrimi ynë është shumë i qartë në këtë çështje”, ka thënë zëdhënësi i Komisionit Evropian Eric Mamer.
Tash e më shumë se një javë, mediat në rajon, por edhe më gjerë, kanë shkruar për idetë për ndryshimin e kufijve të vendeve në rajonit të Ballkanit si mundësi për të zgjidhur çështjet e mbetura si të pazgjidhura nga procesi i shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.
Mediat në Bosnje e Hercegovinë dhe në Slloveni kanë shkruar se për këto ide kryeministri slloven Janez Jansha, vendi i së cilit merr së shpejti edhe kryesimin e radhës të BE-së, kishte dorëzuar një “non paper” me këtë ide.
Por, në BE kanë thënë disa herë se “nuk e kanë parë një letër të tillë”.
Disa shtete të BE-së, e më së shumti Gjermania, janë shprehur kundër ideve të tilla duke i quajtur si të rrezikshme.
ÇFARË PËRMBANTE NON-PAPERI?
NON-PAPER
Ballkani Perëndimor – një rrugë përpara
1. Situata
Çështja kryesore e rajonit të Ballkanit Perëndimor – anëtarësia e të cilit në BE është e garantuar kur të gjitha vendet plotësojnë kushtet në përputhje me vendimin e Këshillit Evropian të marrë në Selanik në vitin 2003 – është problemi i pazgjidhur i çështjeve kombëtare të serbëve, shqiptarëve dhe kroatëve. Ish-Mbretëria e Jugosllavisë dhe RSFJ-ja e pasluftës fshehën problemet dhe i lehtësuan ato. Problemet u ndezën pas shpërbërjes së RSFJ-së. Marrëveshjet e Dejtonit ndaluan luftën në Bosnjë, ndërsa fushata e NATO-s i dha fund spastrimit etnik të Kosovës gjashtë vjet më vonë. Paqja u vendos me përpjekjet e BE-së dhe NATO-s, u bënë premtime të perspektivës evropiane, përparim është bërë në Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, por çështjet kryesore megjithatë mbeten të pazgjidhura. Në parim, Marrëveshjet e Dejtonit mohuan statusin e arritur në konfliktet e armatosura, ndërsa zgjidhjet praktike mundësuan de facto njohjen e saj. Bazuar në metodat ekzistuese dhe ritmin e zgjidhjes së problemit, është e vështirë të imagjinohet perspektiva evropiane e Serbisë dhe Kosovës, anëtarësimi në BE për Bosnjë dhe Hercegovinën është plotësisht i përjashtuar. Në veçanti, Turqia, përfitoi nga kjo periudhë boshe duke rritur ndjeshëm ndikimin e saj në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Maqedoninë e Veriut. Përveç Turqisë dhe pak politikanëve lokalë dhe mbështetësve të tyre, të cilët personalisht përfitojnë nga kaosi dhe institucionet jo funksionale, askush nuk është i kënaqur me situatën në Bosnjë dhe Hercegovinë. Serbia, Kroacia dhe Shqipëria kanë qeveri të qëndrueshme për momentin dhe politikanët e tyre të zgjedhur janë të aftë të marrin vendime strategjike.
2. Zgjidhjet
a. Bashkimi i Kosovës dhe Shqipërisë. Në Kosovë 95% e popullsisë dëshirojnë të bashkohen me kombin e tyre shqiptar të origjinës. Situata është e ngjashme në Shqipëri. Kufiri midis Shqipërisë dhe Kosovës de facto nuk ekziston. Pjesës serbe të Kosovës i jepet një status i veçantë (sipas modelit të Tirolit të Jugut).
b Bashkimi me Serbinë i një pjese më të madhe të territorit të Republika Srpska. Çështja kombëtare serbe mund të zgjidhet kryesisht duke u bashkuar me një pjesë të madhe të Republika Srpska me Serbinë. Në këtë rast, Serbia është e gatshme të pajtohet për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.
c Çështja kombëtare kroate mund të zgjidhet:
– duke bashkuar kantonet kryesisht kroate në Bosnjë dhe Hercegovinë me Kroacinë, ose
– duke i dhënë një status të veçantë pjesës kroate të Bosnjë dhe Hercegovinës (duke përdorur Tirolin e Jugut si model)
d. Kështu boshnjakët do të fitojnë një shtet që funksionon në mënyrë të pavarur dhe do të marrin përgjegjësinë e plotë për të. Organizohet një referendum që njerëzit të zgjedhin midis një të ardhmeje të BE-së dhe një jo-BE (Turqi). Për momentin, një shumicë bindëse e boshnjakëve mbështesin perspektivën e BE por, në rastin e vazhdimit të kaosit dhe një ndikimi gjithnjë e më të fortë të Turqisë dhe Islamit radikal, situata mund të përkeqësohet në mënyrë drastike gjatë dekadës së ardhshme. BE, në bashkëpunim me faktorët e tjerë në rajon (për shembull Iniciativa e Tre Deteve), nis zbatimin e një programi ekonomik gjithëpërfshirës për stabilizim, infrastruktura më e mirë dhe lidhja energjetike e rajonit dhe rehabilitimi mjedisor (KE ka përgatitur tashmë pjesë të planit).
f. Pas miratimit dhe ratifikimit të të gjitha vendimeve të nevojshme bilaterale në rajon, negociatat e pranimit për anëtarësimin në BE dhe NATO janë përshpejtuar.
3. Hapat
a. Në një procedurë të heshtur, mundësitë për të zbatuar planin kontrollohen me vendimmarrësit në rajon (në proces)
b. Në një procedurë të heshtur, mbështetja për planin kontrollohet me vendimmarrësit në bashkësinë ndërkombëtare (në proces)
c. Përgatitet një program gjithëpërfshirës i komunikimit për të paraqitur planin para publikut duke marrë parasysh atmosferën e ndryshme në pjesët individuale të rajonit
d. Nëse BE, Shtetet e Bashkuara dhe shumica e vendimmarrësve rajonalë pajtohen me planin dhe hapat për zbatimin e tij, BE merr iniciativën dhe e zyrtarizon atë.
e. Një proces komunikimi që synon grupe të ndryshme të publikut fillon.
f. Të gjitha procedurat e kërkuara dypalëshe zyrtare për zbatimin e planit të cilat janë të sinkronizuara dhe të finalizuara në aspektin ligjor vihen në lëvizje sipas një sekuence logjike.
g. Nëse procedura e heshtur e kontrollit dhe korrigjimet e planit zbulojnë se marrëveshja e nevojshme e vendimmarrësve rajonalë dhe ndërkombëtarë nuk mund të garantohet, letra non-paper mbetet një letër non-paper deri në zhvillimet e mëtejshme.