Albin Kurti është zhytur pa hezitime në fushatën e Shqipërisë. Nëse kur ende nuk ishte zgjedhur kryeministër ai ndërmori një tur në Lezhë, Gjirokastër dbe Tiranë, ai këtë herë, përmes Facebook, ka bërë apel për të votuar kandidatët e Vetëvendosjes në Shqipëri.
Madje ai ka premtuar në statusin për Kreshnik Merxhanin, se do të rikthehet në fushatë në Shqipëri. Për arkitektin gjirokastrit Albin Kurti thotë: “Arkitekti Kreshnik Merxhani është kandidati që unë mbështes në zgjedhjet e 25 prillit. Ai kandidon në Qarkun e Gjirokastrës, numri i tij është 13″. Me një postim tjetër Kurti ka bërë thirrje edhe për të votuar të riun doktorant të Sorbonës, Iliaz Shehun:”Qytetarë nga Lezha e Mirdita, nga Laçi e Shëngjini, mos harroni, në 25 prill, në fundin e fletës së votimit, Iliaz Shehun e gjeni si Kandidat të Pavarur me numrin 13”. E natyrisht ai nuk ka harruar as shefin e zyrës së lëvizjes për Shqipërinë, Bojken Abazin: “Në fletën e votimit të Qarkut të Tiranës për zgjedhjet e 25 prillit e gjeni lehtë në fund të fletës, me numrin 13, aty ku shkruan “Kandidat i Pavarur Boiken Abazi”.
Përpos këtyre apeleve ministra, deputetë dhe zyrtarë të Vetëvendosjes janë zhvendosur në Sbqipëri. Kështu këtë fundjavë ministri i infrastrukturës, Liburn Aliu ka qenë në Tiranë, deputetët Sali Zyba dbe Tinka Kurti në Lezhë.
Kjo “ndërhyrje” në fushatën e 25 prillit ka nervozuar mjaft partinë qeverisëse, e cila i trembet rrjedhjes së votave të majta në drejtim të Vetëvendosjes. Kjo shpjegon dhe faktin që mediat pro Rama kanë shtuar ndjeshëm sulmet ndaj kryeministrit kosovar. Kindër këtij akti kanë dalë edhe pena të opinion bërjes në vend. Kështu pas ditë më parë, Mustafa Nano shkruante: “Albin Kurti nuk ka pse të shtojë në ekuacionin e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Kosovës këtë lloj ambicie, grandomanie të tijën, këtë lloj dëshire të madhe për të luajtur një rol në Shqipëri, apo në të gjithë botën shqiptare. Ai nuk ka pse t’i takojë autoritetet e Tiranës në të ardhmen si rivali i tyre, ndërkohë që mund të takohet ashtu siç duhet të takohet, si mik, si bashkëpunëtor, si partner, si interlokutor”.
Ndërsa Mero Baze ka shkruar: “Përfshirja e Albinit në politikën e brendshme të Shqipërisë është realitet i dy viteve të fundit. E ka bërë si opozitar, tashmë dhe si kryeministër i zgjedhur. Problemi nuk është pse kërkon të garojë në Shqipëri, por përse përpiqet ta mbulojë ambicjen e tij politike me “hipokrizi patriotike”, siç ka bërë 25 vjet.
Kurse shkrimtari shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Kim Mehmeti e sheh si një ogur të mirë përsëritjen e fabulës së Kosovës edhe tek ne: “Në 25 prilli Shqipëria do dëshmojë nëse e ka kuptuar drejtë porosinë që ia dërgoi Kosova: se nuk mund të ndërtosh Shqipëri të re pa e çliruar atë nga gjeneratat e vjetra politike”.
Dhe mes këtyre polemikave, ndonëse tani mban postin e kryeministrit, Albin Kurti vazhdon mbështetjen e kandidatëve të tij në Shqipëri. Ja ç’ka shkruar për ta diët e fundit:
Për Boiken Abazin
E njoh Boiken Abazin prej shumë vitesh, e qysh prej 2010 ai ka mbajtur pozita të larta drejtuese në Lëvizjen VETËVENDOSJE!. Së fundi udhëhoqi Sekretariatin për Marrëdhënie me Jashtë, dhe falë tij, sot organizata jonë është e njohur ndërkombëtarisht.
Boikeni është njeri me etikë të lartë pune. I pakorruptueshëm, por edhe i palodhshëm. Ai është e kundërta e populistit, është njeri i fjalëve shumë të matura, sepse vazhdimisht dëshiron ta mbështesë qëndrimin me argumente të forta logjike.
Boikeni përfaqëson vlerat e një socialdemokracie të re për Shqipërinë – larg pazareve me monopolistët, kundër pabarazisë neoliberale, dhe solidar me qytetarët, aktivistët, punonjësit, të papunët e studentët.
Në fletën e votimit të Qarkut të Tiranës për zgjedhjet e 25 prillit e gjeni lehtë në fund të fletës, me numrin 13, aty ku shkruan “Kandidat i Pavarur Boiken Abazi”.
Për Iliaz Shehun
Me Iliaz Shehun jam takuar para disa viteve, kur ai jetonte e studionte filozofi në Paris. Sot, ai është ligjërues universitar në Shqipëri. Aktivist i Lëvizjes qysh prej 2010, ai kërkon mbështetjen tuaj si Kandidat i Pavarur për deputet në Qarkun e Lezhës, me numër 13.
Synim i VETËVENDOSJE!-s është që të rinjtë si Iliazi t’i kthejë në Atdhe, sepse vetëm kështu mund ta bëjmë ndryshimin që njerëzit kaq shumë e duan dhe që popullit e shtetit i nevojitet.
Doktorant në Sorbonë, Iliazi është njeriu i duhur për të çuar përpara një projekt të mirëfilltë moderniues dhe evropianizues. Nuk munden më figurat, praktikat dhe idetë e konsumuara për 30 vjet, të prodhojnë dot ndonjë gjë të re sot.
Për Kreshnik Merxhanin
Kreshnik Merxhani përveçse është aktivist i Lëvizjes VETËVENDOSJE! është një prej specialistëve më të mirë shqiptarë në fushën e trashëgimisë kulturore, si arkitekt restaurues. Ai ka kontribuar shumë, me ekspertizën e vet, jo vetëm për restaurimet e perlave gjirokastrite, por edhe për mbrojtjen e Gjirokastrës e Beratit nga UNESCO.
Kapaciteti profesional i Kreshnikut dhe lidhjet e tij të mira me institucionet ndërkombëtare si UNESCO, EuropaNostra etj. do të na duhen shumë edhe në Kosovë, për të ruajtur e promovuar trashëgiminë tonë botërore.
Burimi: Lapsi.al