E martë, 25 Mars, 2025

PRAPASKENAT E DËSHTIMIT TË ZGJEDHJES SË VJOSA OSMANIT PËR PRESIDENTE SHTETI

Në momentin kur Albin Kurti e Vetëvendosje e kishin pranuar kushtin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për tërheqjen e Ligjit për Zgjedhje, numrat ishin të sigurt.

Gazeta Blic merr vesh se ishin 81 vota të sigurta për zgjedhjen e Vjosa Osmanit presidente.

”LDK ua kishte garantuar nga Grupi i saj Parlamentar 12 vota. Kjo ka qenë e ditur që nga fillimi. Vetëvendosje i kishte “garantuar” se i ka 69 vota, duke u bërë kuorumi prej 81 votave”, tha ky burim i Gazeta Blic.

Mirëpo, në momentin e fundit gjithçka ka ndryshuar.

Dy deputetët “problematik” Adem Hoxha, i cili nuk e kishte votuar as Qeverinë Kurti dhe deputeti tjetër nga komunteti rom, Fadil Gashi kanë dështuar në momentin e fundit.

”Vetëvendosje e kishte marrë të kryer votën e tyre, por ata në momentin e fundit nuk kanë ardhur në seancë”, tha ky burim i Gazeta Blic.

Hoxha e Gashi konsiderohen si deputetë që kontrollohen nga ana e Listës Serbe.

Ditë më parë, Gazeta Blic ka raportuar se Hoxha e Gashi kishin kushtet e tyre për ta votuar Osmanin.

Ata kërkonin nga një zëvendësministër si kusht për ta votuar Vjosa Osmanin.

Ndërkohë, edhe pas dy votimeve ka dështuar raindi i parë për të bërë kuorumin.

Në anën tjetër, nga LDK, Agim Veliu, Driton Selmanaj e Avdullah Hoti nuk e kanë votuar Osmanin për presidente.

Parlamenti i Kosovës ndërpreu të shtunën mbrëma seancën për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, meqë nuk pati kuorum të mjaftueshëm, njofton VOA, përcjell KDP.

Tetëdhjetë e katër deputetë ishin të pranishëm në seancë duke plotësuar kushtet për filmin e saj, meqë sipas kushtetutës së Kosovës në votim për presidentin duhet të marrin pjesë dy të tretat e deputetëve të parlamentit 120 vendesh të Kosovës.

Por, në kutinë e votimit, u hodhën më pak vota se 80 sa duhet të jenë të paktën gjë që vlerësohet se nuk ka kuorum të mjaftueshëm për zgjedhjen e presidentit.

Raundi i parë i votimeve u përsërit dy herë dhe ndërsa herën e parë pati 78 vota në kuti, herën e dytë ishin 79.

Vendimi se si do të vazhdohet më tej me procesin, pritet më vonë gjatë mbrëmjes.

Fillimi i seancës shënon hapjen e procesit të zgjedhjes së presidentit duke përmbushur kriterin e kushtetues se “zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimi të mandatit të Presidentit aktual”.

Ky mandat përfundon më 5 maj dhe data e fundit në të cilën parlamenti i Kosovës duhet të fillonte procesin e zgjedhjes së presidentit, është e hëna me 5 prill.

Lëvizja Vetëvendosje, fituese e zgjedhjeve të 14 shkurtit, paraqiti dy kandidatura për këtë post: Vjosa Osmani dhe Nasuf Bejta, që kishte kandidat në listën e lëvizjes Vetëvendosje. Pjesëmarrja në votim e dy e më shumë kandidatëve, është e domosdoshme në mënyrë që të mund të fillojë procedura për zgjedhjen e presidentit.

Sipas Kushtetutës, në dy raundet e para të votimit duhen 80 vota, ndërsa në raundin e tretë, presidenti mund të zgjidhet me shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh, por në votim duhet të marrin pjesë të paktën 80 deputetë.

Seanca për zgjedhjen e presidentit pasoi përplasje të ashpra politike në dy ditët e fundit.

Lëvizja Vetëvendosje, nuk arriti të premten të sigurojë numrin e mjaftueshëm të votave për të miratuar në procedurë të përshpejtuar ndryshimin e ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, kërkesë që u hodh papritmas duke nxitur shumë reagime e pakënaqësi të opozitës.

Madje Lidhja Demokratike e cila ishte zotuar se do të marrë pjesë në votimin për presidentin, tha se nuk do të ofrojë një mbështetje të tillë nëse nuk tërhiqet kërkesa e lëvizjes Vetëvendosje.

Të shtunën pasdite kërkesa u tërhoq duke bërë që në seancë të marrin pjesë edhe deputetët e Lidhjes Demokratike, por disa nga deputetët e saj nuk u përfshinë në votim, ndonëse ishin të pranishëm në seancë.

Partia Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë hedhur poshtë mundësinë që të votojnë kandidaten e lëvizjes Vetëvendosje për këtë post, Vjosa Osmani.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike, Enver Hoxhaj, tha se zoti Kurti ka vendosur ta emërojë zonjën Osmani si presidente.

‘Vjosa Osmani nuk po zgjidhet si presidente atë po e emëron zoti Kurti dhe zoti Kurti po e dërgon zonjën Osmani në presidencë me një qëllim, që të ketë një kontroll absolut mbi institucionet e pavarura, mbi gjyqësorin, mbi ushtrinë, mbi shërbimin inteligjent dhe mbi shërbimin e jashtëm, sikurse ka kontroll edhe mbi këtë Kuvend edhe mbi vet qeverinë. Sepse në fund të ditës, kështu është se si zoti Kurti e sheh shtetin dhe shoqërinë kosovare në përputhje me parullën që e kemi dëgjuar edhe në fushatë zgjedhore, krejt dhe drejt, krejt dhe drejt duhet t’i binden zotit Kurti”, tha ai.

Dështimi i zgjedhjes së presidentit do ta çonte vendin në zgjedhje të reja brenda 45 ditësh.

Që nga përfundimi i zgjedhjeve edhe diplomatët perëndimor kanë bërë thirrje që të shmanget një mundësi e tillë në një periudhë kur Kosova përballet me situatë të rëndë shëndetësore e ekonomike për shkak të pandemisë së COVID-19.

Para seancës ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, tha se “qëndrimi i qeverisë amerikane mbetet i pandryshuar. Ne mbështesim votimin në parlament. U bëjmë thirrje të gjithë deputetëve të parlamentit të përmbushin përgjegjësitë e tyre ndaj popullit të Kosovës duke marrë pjesë në votim për të siguruar kuorumin”, shkroi ai.

Edhe diplomatë të tjerë perëndimorë bënë thirrje për pjesëmarrje në votim.

Të fundit