E mërkurë, 9 Korrik, 2025

KUFIJTË E RUSISË NUK JANË TË QËNDRUESHËM

Autor: Janusz Bugajski

Kërcënimet e Moskës ndaj shteteve të Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë ndarjen e mundshme të Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës, fshehin frikën e madhe se kufijtë e vetë Rusisë nuk janë të qëndrueshëm. Ndërsa Federata Ruse artificiale po hyn në një krizë të thelluar ekonomike dhe politike, pretendimet e fqinjëve për t’u kthyer territorit e marrë përmes pushtimit perandorak do të shumëfishohen.

Pas maskave të saj Cariste, Sovjetike e Putiniste, Rusia Moskovite ka qenë ngahera një strukturë perandorake ekspansioniste. Sidoqoftë, çdo perandori e zgjeruar përmes pushtimit dhe kolonizimit është përballur me tkurrje ose kolaps në një moment të historisë së vet, përfshirë Federatën aktuale Ruse. Rënia e shtetit të Rusisë do të përshpejtohet edhe nga vendet fqinje të cilët kanë pakënaqësi historike.

Shpërbërja e Bashkimit Sovjetik dhe bllokut Sovjetik tridhjetë vjet më parë shënoi kolapsin e perandorisë së jashtme të Rusisë. Por ajo nuk adresoi të ardhmen e perandorisë së brendshme të Rusisë, e përbërë nga 85 subjekte federale, duke përfshirë 22 republika etnike dhe disa rajone të veçanta të privuara nga vetëvendosja dhe të cilët janë pre e centralizimit, shtypjes dhe varfërimit në rritje.

Bashkëpunimi midis Rusisë dhe Kinës për të ulur ndikimin global të Shteteve të Bashkuara është një martesë për interesa strategjike. Teksa problemet e brendshme të Rusisë dhe aspiratat e jashtme të Kinës rriten me shpejtësi, kjo (martesë) ka të ngjarë të përfundojë me një divorc të armatosur. Pekini do të ishte ndër të parët e shumë fqinjëve të Rusisë që do pretendonin territoret e marra dikur nga Moska.

Kina ia kalon Rusisë si nga popullsia ashtu edhe nga fuqia ekonomike, ndërsa po bëhet ushtarakisht e barabartë. Ajo është gjithashtu më këmbëngulëse dhe më e vendosur në zhvillimin e saj afatgjatë. Ndërhyrja e Pekinit në zonat e zotëruara nga Rusia në Lindjen e Largët do të bazohet në traktate historike të padrejta, si dhe në hartat ushtarake të Kinës që nuk i kanë rivijëzuar kufijtë.

Gjatë shekullit XIX, Kina e dobësuar humbi ndaj Rusisë rreth 600,000 milje katrore të territorit të saj. Këto zona të gjera në Siberi dhe përgjatë bregdetit të Paqësorit shihen nga një numër në rritje kinezësh si “territore të humbura”. Pretendimet historike mbështeten edhe mbi pabarazitë e mëdha në popullsi. Mbi 130 milion njerëz jetojnë në tre provincat kineze në kufi me rajonet ruse, ku popullsia është më pak se 8 milion. Kina tashmë po zëvendëson Rusinë si fuqi dominuese  në Azinë Qendrore dhe nevoja për burime dhe hapësirë jetese do i shtojë kërkesat e saj.

Pretendimet e Kinës do të jenë veçse maja e ajsbergut. Japonia kërkon kthimin e katër ishujve në arqipelagun Kuril, të cilat u morën nga Bashkimi Sovjetik drejt fundit të Luftës së Dytë Botërore, pasi Tokio ishte dorëzuar përballë SHBA-ve. Japonia deklaron se këto Territore Veriore janë pushtuar në mënyrë të paligjshme nga Rusia dhe i përkasin provincës së saj të Hokkaido-s.

Eksklava e Kaliningradit në bregdetin Baltik është një tjetër (tokë) e mbetur nga Lufta e Dytë Botërore, të cilën Stalini e mori nga Gjermania dhe e bëri pjesë të Federatës Ruse. Statusi përfundimtar i Kaliningradit mbetet i papërcaktuar dhe i hapur për diskutim. Pavarësisht se e kontrollojnë de facto, as BRSS dhe as Rusia nuk kanë të drejtë de jure mbi statusin e saj përfundimtar, përmes një traktati paqeje. Ka pasur propozime që ai (Kalingradi) të deklarohet shtet i veçantë në Baltik ose për ta ndarë territorin e tij midis Polonisë dhe Lituanisë fqinje.

Rishtas, janë ngritur pretendime nga mjaft shtete evropiane për territore të aneksuara ose të pushtuara nga Kremlini i Putinit. Ukraina mund ta përdorë mundësinë e trazirave brenda Rusisë për të rimarrë gadishullin e Krimesë dhe zonat e okupuara të Donbasit. Gjeorgjia dhe Moldavia gjithashtu do të bëjnë presion për kthimin e territoreve të okupuara nga Rusia dhe aleatët e saj. Abhazia dhe Osetia e Jugut u morën me forcë nga Gjeorgjia dhe u shpallën shtete të pavarura, ndërsa rajoni i Transnistrisë i pushtuar prej Rusisë e mban Moldavinë pa stabilitet.

Ndonëse Turqia nuk ka pretendime territoriale ndaj Federatës Ruse, ajo ka lidhje të gjera gjuhësore, fetare dhe kulturore me disa grupe etnike që do të kërkojnë autonomi ose ndarje të plotë. Zyrtarët rusë janë të shqetësuar për kërcënimin e pan-turqizmit përmes një bashkimi të kombeve turke, disa prej të cilëve kanë republika etnike brenda Rusisë, por u mungon autonomia e mirëfilltë. Angazhimi i Ankarasë mund të inkurajojë Tatarët, Bashkirët, Karaçajët dhe Ballkarët, ashtu si dhe kombet jo-turke me shumicë myslimane, përfshirë Çerkezët, Çeçenët dhe Ingushët, për të kërkuar sovranitetin në rajone të paqëndrueshme në Kaukazin Verior dhe Vollgën e Mesme.

Përfshirja në rritje e Kinës dhe Turqisë së bashku me çdo shkëputje në shtetin rus do të inkurajonte grupet etnike e tjera të kërkonin pavarësinë, duke përfshirë republika të pasura me burime, si Saka-Jakutia, apo shtete dikur të pavarura, si Tuva. Disa të tjerë mund të anojnë drejt vendeve fqinje për shkak të lidhjeve të gjata etnike dhe gjuhësore, edhe nëse ata nuk ka pretendime të zëshme mbi territorin rus. Kjo ka të ngjarë të jetë rasti i republikës Burjat dhe Mongolisë apo republikës Karelian dhe Finlandës. Në vitet e paqëndrueshme  që afrohen, Moskës do t’i duhet të shuajë të gjitha zjarret e çlirimit kombëtar në përhapje.

 

Marrë nga Gazeta Dita

Të fundit