Në një komunikim me video të kancelares Merkel, presidentit Macron dhe atij rus, Putin është biseduar për një bashkëpunim të mundshëm tek vaksinat. Në fokus ishte vaksina Sputnik V, raporton DW, përcjell KDP.
Për politikën ruse është e qartë se vaksina ruse, Sputnik V do duhet të ndihmojë procesin e vaksinimit në BE. Por deri më tani nuk ka leje për këtë vaksinë në Bashkimin Europian. Presidenti francez, Emmanuel Macron, kancelarja gjermane, Angela Merkel biseduan me presidentin rus të martën (30.03) për një bashkëpunim të mundshëm në lidhje me vaksinën. Në komunikimin me video u fol edhe për Sputnik V, bëri të ditur zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert. Përdorimi i vaksinës varet nga vlerësimi i Agjencisë Europiane të Medikamenteve, EMA. Kjo do të bëhet “mbi bazën e të njëjtave normave” si për vaksinat e tjera, thuhet. Sipas të dhënave të Kremlinit në lidhjen me video u fol edhe për perspektivën e “furnizimeve të mundshme dhe prodhimit të përbashkët të këtij preparati në vendet e BE”.
EMA aktualisht po verifikon kërkesën për lejimin e vaksinës Sputnik V në BE. Në prill priten në Rusi ekspertë të EMA-s për vlerësimin e prodhimit dhe magazinimit të vaksinës. Koncerni farmaceutik rus, R-Pharm synon të prodhojë vaksinën nga qershori apo korriku në Bavari, në qytetin Illerstissen.
Gjermania ndërron kurs ndaj AstraZenecas
Fushata e vaksinimit në Gjermani merr sërish një kthesë të re. Pas njoftimeve për tromboza të reja në venat e trurit pas vaksinimit me AstraZeneca, kancelarja Angela Merkel dhe 16 landet gjermane në një konferencë të posaçme vendosën që vaksina AstraZeneca të jepet vetëm për njerëzit mbi moshën 60 vjeç. Për personat nën 60 vjeç kjo do të jetë ende e mundur, por pas “vlerësimit mjekësor dhe analizës individuale të rrezikut e sqarimit të plotë”, u tha.
“Besimi krijohet nga dija, që çdo dyshim, çdo rast i veçantë verifikohet”, tha Merkel duke iu referuar efekteve anësore të vaksinës dhe të mos fshihen nën rrogoz ato. Kancelarja pranoi se, vendimi për AstraZenecan sjell “pasiguri”, në të njëjtën kohë ajo kërkoi që të kihet besim tek vaksinimi. Kur të më vijë radha edhe unë do të vaksinohem, tha Merkel 66 vjeçare, “edhe me AstraZeneca”.

Shans për më të moshuarit
Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn theksoi, se qytetarët mund të kenë besim, që në Gjermani vaksinat e lejuara “mbikqyren me përgjegjësi të lartë”. Ai e cilësoi “një goditje që për një grup të caktuar moshe ka një rrezik të shtuar me një nga vaksinat që kemi në përdorim kundër pandemisë.” Prej kësaj krijohen pasiguri të reja. Por sipas Spahn mund të vaksinohen tani njerëzit mbi moshën 60 vjeçare më shpejt. “Në këtë kuptim do t’u lutesha të gjithë personave mbi 60 vjeç të marrin parasysh këtë ofertë vaksinimi.” Duke marrë në konsideratë të gjitha rreziqet vaksinimi është “vendimi më i mirë.”
Kufizimin e ri për AstraZenecan e dha Komisioni i Përhershëm i Vaksinimit në Gjermani, STIKO. Bazë për këtë janë të dhënat e mbledhura për shfaqjen “në raste të rralla por shumë të rënda të efekteve anësore trombotike”. Këto janë shfaqur 16 ditë pas vaksinimit kryesisht tek gratë e moshës nën 60 vjeç. Në Gjermani deri të martën janë shfaqur 31 raste me tromboza pas vaksinimit me AstraZenecan. 9 prej tyre kanë përfunduar me vdekje.
Në mesin e marsit Gjermania dhe vende të tjera vendosën pezullimin me vaksinimin me AstraZeneca, por pas miratimit të EMA-s, Agjencisë Europiane të Medikamenteve, vaksina vazhdoi të jepej sërish. Në fillim kjo vaksinë ishte rekomanduar për personat 18-64 vjeç, sepse nuk kishte të dhëna të mjaftueshme për mbrojtjen nga virusi për personat më të moshuar.
Edhe Maqedonia e Veriut ndjek Gjermaninë
Pas paraqitjes së trombozës te një 28 vjeçare që ishte vaksinuar në Serbi, Ministria e Shëndetësisë në Shkup vendosi të mos vaksinojë qytetarët ndër moshën 60 vjeçare.
Sipas ministrit Venko Filipçe, vaksina Astra Zeneka është e sigurt për grupmoshat e qytetarëve me të cilët kemi filluar vaksinimin sot. “Të gjithë qytetarët mbi 77 vjeç kanë aplikuar lirisht për t’u vaksinuar, nuk janë vërejtur efekte anësore.”
“Informacioni nga organet rregullatore nga Gjermania dhe Kanada nga dje është se kjo vaksinë do të përdoret përkohësisht vetëm në popullatën më të vjetër se 60 vjet.”
“Rastet jashtëzakonisht të rralla të efekteve anësore më të rënda trombotike nga Astra zeneka deri më tani kanë ndodhur vetëm tek njerëzit nën 60 vjeç.”
“Statistikisht, vetëm 1 rast për 125,000 të vaksinuar në 1 në 1 milion të vaksinuar kishte efekte të tilla që do të thotë se nuk ka vend për ndonjë panik.”
“Si një masë paraprake, sepse duam të jemi të sigurt, tani për tani ne nuk do të fillojmë të vaksinojmë qytetarë nën moshën 60 vjeç me këtë vaksinë deri në rekomandimet specifike të mëposhtme nga rregullatorët dhe prodhuesit.”, ka thënë Filipçe.