Vetëm dy ditë para fillimit të procesit të regjistrimit, liderët e dy partive më të mëdha maqedonase – Zoran Zaevi i qeveritares LSDM dhe Hristijan Mickovski i opozitares VMRO-DPMNE kumtuan ujdinë e arritur midis tyre – shtyrjen e procesit për në shtator të këtij viti. Arsye zyrtare për këtë vendim – pandemia dhe mbrojtja e shëndetit të qytetarëve. Jozyrtarisht, përqindjet nuk kanë qenë të favorshme nga procesi i regjistrimit të diasporës së shtetit.
I pyetur nga gazetarët pse nuk ka asnjë lider të ndonjë partie shqiptare, Mickovski ishte përgjigjur: “Kësaj radhe deshëm të kemi kualitet, jo kuantitet në takim”. Zaev, ndërkaq, tha se paraprakisht është konsultuar edhe me partnerët e koalicionit – BDI e Ali Ahmetit dhe BESA e Bilall Kasamit, ndërkohë që paralajmëroi një takim të mërkurën me liderët e opozitës shqiptare – Ziadin Selën e ASH dhe Afrim Gashin e AAA.
Nga ana tjetër, kryeparlamentari Talat Xhaferi, një funksionar i BDI-së, tha se është kundër shtyrjes së regjistrimit. Por, ai nuk ishte i qartë nëse partia e tij do të votojë kundër një propozim-ndryshimi të ligjit të regjistrimit, me të cilin efektuohet marrëveshja Zaev-Mickovski.
I pyetur të komentojë sqarimin e kryetares së Tetovës se regjistrimi shtyhet, Xhaferi tha: “Ajo mund të shtyjë regjistrimin kur të jetë deputete”.
Zv/kryeministri Artan Grubi nga radhët e BDI-së ka qenë më i drejtpërdrejtë në qëndrimin ndaj këtij problemi. Në një intervistë për Euronews Albania, ai tha se shtyrja e regjistrimit në Maqedoninë e Veriut nuk erdhi për shkak të shqiptarëve, por të komunitetit maqedonas, pasi partitë politike të opozitës kërcënonin me bojkot të procesit. “Nga shtyrja e regjistrimit përfitojnë shqiptarët pasi që periudha për regjistrimin e diasporës zgjatet, nga 1 marsi siç ka nisur deri në 30 shtator d.m.th kemi 6 muaj të plotë për të regjistruar diasporën dhe shtyhet vetëm regjistrimi i popullsisë rezidente”.
Ndërkohë ministri i Jashtëm dhe funksionar i BDI-së, Bujar Osmani, ka konfirmuar se për shtyrjen e regjistrimit vizë ka dhënë edhe Ahmeti. “Para dhe gjatë takimit, kryeministri u këshillua me Presidentin Ali Ahmeti dhe ata ranë dakord të vazhdojnë regjistrimin e diasporës dhe të shtyjnë regjistrimin deri më 1 shtator,” i tha Osmani gazetës në gjuhën maqedonase “Sloboden Pecat”.
Dyshja opozitare Sela-Gashi ishin të qartë – nuk do të lejojmë shtyrjen e regjistrimit. Për të bllokuar prolongimin thanë se do të përdorin parimin e Badenterit, apo votimin e dyfishtë, një mekanizëm për mbrojtje nga majorizimi etnik i definuar në Marrëveshjen e Ohrit, e cila është pjesë e Kushtetutës.
“Ky është një film i njëjtë i parë në 2011, tani po shohim një episode tjetër”, tha Sela, duke rikujtuar dështimin e regjistrimit para 10 viteve pas një marrëveshje midis kryeministrit të atëhershëm Nikolla Gruevski dhe liderit të BDI-së, Ali Ahmeti.
Ndërkohë në media doli një amendament i opozitës shqiptare, i parashtruar në dhjetor të vitit 2020 ku u soll ligji, me të cilin kërkohej ndryshimi i datës së fillimit të regjistrimit me qëllim që i njëjti të mbahet në qershor.
Këtë dokument e ka postuar edhe Osmani në profilin e tij në Facebook.
Analistët e kanë quajtur këtë vendim jodemokratik dhe të rrezikshëm pasi mund të zhbëjë besimin qytetar në procesin e regjistrimit dhe të bëjë që i njëjti të mos mbahet as në shtator.
“Nëse arsye për shtyrjen është pandemia, atëherë rrjedhimisht nga 1 prilli duhet të mbyllet i tërë shteti. Ku është logjika të mbrohen qytetarët nga një bisedë 5-minutëshe me dy regjistrues, a të lihen çdo ditë të dalin në treg, të kryejnë punë në sportele, të shkojnë në dyqan e të pinë kafe…Kjo është nonsens. Andaj jam i bindur se pandemia nuk është shkaku i vërtetë i prolongimit të regjistrimit”, tha analisti Xhelal Neziri në emision Klan Debat të Seladin Xhezairit.
Publicisti Bardhyl Zaimi, ndërkaq, alarmoi për etnizimin e skenës politike të Maqedonisë së Veriut, gjë që mund të prodhojë probleme tjera më serioze. “Takimi i vetëm dy liderëve maqedonas është një porosi e homogjenizimit etnik te kampi politik maqedonas. Ky hap mund të nxisë edhe homogjenizim te kampi politik shqiptar, gjë që mund të prodhojë kriza tjera”, tha Zaimi. /KDP