Dhjetë vjet qëndroi në krye të fronit shqiptar, e dyfishin e kësaj kohe si “mbret” në mërgim. Në të gjallë, Naltmadhnija e tij Ahmet Zogu, u bë subjekt adhurimesh, lajkash, urrejtjesh e kureshtjeje. Shkrimtari dhe publicisti ulqinak Ali Llunji, në fund të viteve ‘70 i kishte rënë në fije një korrespodenti të gazetës beogradase “Politika”, që kishte përcjellë për së afërmi ngjarjet në oborrin mbretëror shqiptar e më shumë se kaq. Ai ishte djali i dajës së Migjenit: Lazër Kokoshi. Me botimin e librit “Shqipëria e Mbretit Zogu në sytë e një reporteri”, literaturës së gjerë për Zogun i shtohet edhe një perspektivë jugosllave për “Albanski kralj”. “Është një kontribut fare modest për figurën e mbretit”, thotë Llunji
E lemerisur, ajo ia dha armën të shoqit, por pa fishekë. Verdhëza që po e mpakte malësorin matjan e kishte dobësuar aq shumë sa as nuk e ngrinte me dorë revolverin. Brenda pak ditësh, të pestën ditë të prillit, Zogu ra në komë. Katër ditë më vonë dha shpirt.
I lartësuar si “Naltmadhni” e i fshikulluar po aq, i dashur dhe urryer, me numër të njëjtë besnikësh e lajkatarësh sa edhe kundërshtarësh kryekreje, Ahmet Zogu ishte djaloshi i një familjeje me emër nga Mati, myhtari i krahinës, koloneli i përplot betejave në Shqipërinë neofite, ministri i Brendshëm që u vu në krye të xhandarmërisë, deputeti i Partisë Popullore, kryeministri, presidenti dhe në fund mbajtësi i kurorës së “Mbretit të Shqiptarëve”.
Ahmet Zogu
“Jetën ia trazoi okupimi italian”
“Zogu, them edhe unë, nuk pati edhe aq jetë të gjatë siç e kanë malësorët. Bëri 65 vjet. E sa ishte i lumtur? Kjo si të merret! Jetë e mbretit mërgimtar. Jetën ia kishte trazuar e turbulluar okupimi italian, arkitekt i planit të të cilit ishte ‘miku i tij’ i dikurshëm Benito Musolini. U hodh e u përhodh nëpër disa qytete e shtete”.
Shkruesi i këtyre radhëve nuk është diplomat, konsull dhe as nga të shumtit shkrimtarë që e përcollën Zogun në oborrësinë e vet, por edhe në mërgimin e tij të palavdishëm.
Gazetari shkodran Lazër Kokoshi ishte nga ata që mbretin e shqiptarëve, ashtu sikundër edhe jetën e tyre në mbretëri, e kronikoi vit pas viti në cilësinë e korrespodentit të gazetës monarkiste të Beogradit “Politika”.
Nënshkrimi i tij si korrespodent figuron në plot lajme, njoftime e komente për Shqipërinë. Me afërsi familjare me Migjenin, edhe Kokoshi, njësoj si nipi i tij, mbaroi shkollimin në Manastir. Rrëfimin e tij të pasur me shumë gjasë do ta flakëriste pluhuri i kohës nëse në vitin 1978 fati të mos rastiste ta piqte bashkë me gazetarin dhe publicistin ulqinak Ali Llunji.
Ai kishte marrë përsipër ta bënte fejtonin për një dokumentar televiziv për nder të 40-vjetorit të vdekjes së poetit të “Vargjeve të lira”, Millosh Gjergj Nikolla – Migjeni.
“Të njohurat e të panjohurat”
I ndërthurur si rrëfim i përbërë nga një intervistë e regjistruar me diktafon, copëza nga “blloku i kujtimeve” si dhe fashikuj me raporte, njoftime e dokumente ndonjëherë edhe sekrete, shkrimtari e publicisti Ali Llunji sjell librin “Shqipëria e Mbretit Zogu në sytë e një reporteri” (Botimet KOHA, mars 2021).
Sikundër shpjegon vetë autori, bashkëbisedimi me reporterin shkodran të gazetës “Politika” ishte përgatitur për botim në fillimvitet ’80.
“Për shkak të rrethanave tashmë të njohura politike në Kosovë, si shumë tituj të tjerë edhe ky nuk u botua”, tregon Llunji në parathënie të librit.
Prologu i bashkëbisedimit, nga personal bëhet një penetrim në të njohurat e të panjohurat e jetës shqiptare në Shqipërinë e para tetëdhjetë vjetëve.
“Detyrë e imja parësore ishte të ofroja fakte dhe të dhëna për opinionin lexues jugosllav për Shqipërinë dhe popullin shqiptar shtresash të ndryshme”, kishte nisur rrëfimin e vet Kokoshi, për ditët kur u akreditua si korrespodent i të përditshmes serbe në kryeqytetin shqiptar.
“Dosje sekrete” nga Legata jugosllave
E gjithë historia që shtrihet në mbi dyqind faqe të librit është e njohur dhe e panjohur: e njohur për ndërliqshmërinë e politikës shqiptare në kohë të Mbretërisë, për shtrëngicën ekonomike e sekuenca historike të mirënjohura; por e panjohur për ato që zbardhen nga fashikuj dosjesh sekrete të Legatës jugosllave në Tiranë, të thënash diplomatësh e të ngarkuarish të tjerë që përcillnin me vigjilencë zhdrivillimet e asokohshme.
Është, pra, një ngrehinë masive shkrimore që merret nga gjërat më të imta e deri te perpleksitetet e politikës së madhe ku në lojë hyjnë edhe superfuqi të kohës, si Anglia, Italia e Franca.
Zogu – një revolucionar?
Në të gjallë të tij, veçmas pas kurorëzimit si mbret, interesi evropian për Shqipërinë u shtua si asnjëherë më parë. A nuk ishte e tillë martesa ekstravagante rojaliste me “trëndafilin e bardhë të Hungarisë”, siç quhej kontesha me emrin e gjatë Géraldine Margit Virginia Olga Mária Apponyi de Nagy-Appony? Megjithatë, përshkrimet e kësillojta për Shqipërinë ishin të tilla që e ekzotizonin gjithçkajen në mënyrë orientaliste. Ndonjëri prej tyre, si kartonisti belg Hergé, në një nga episodet e “Aventurave të Tintinit” do të alegorizonte pikërisht me oborrin e mbretit shqiptar.
Ajo që dikur kishte thënë gazetari emërmadh italian Indro Montanelli tek “Albania una e mille” (Shqipëria një dhe njëmijë), se Zogu mund të quhet revolucionari i vërtetë i jetës në Shqipëri, merr një tundje koke si miratim edhe nga një korrespodent si Kokoshi.
“Reforma – drejt përparimit e modernizmit”
Në Shqipërinë post-osmane me inercinë e tradicionalizmit e fanatizmit mysliman, përpjekjet e Zogut ngjajnë analoge me ato të Mustafa Qemalit, “babait” të turqve, në Turqinë e pas-kalifatit dhe sulltanatit. Të tilla mund të vlerësohen ndërhyrjet në zhbërjen e simbolikave të ideologjisë osmaniste e islamike, siç ishin ferexhetë e femrave. Dhe Kokoshi këtë reformë e cilëson si “ndër të parat dhe më të rëndësishmet” drejt përparimit dhe modernizimit.
“Sepse ky hap – shkruan ai – në aspektin ligjor femrës shqiptare ia dha të drejtën për pjesëmarrje aktive në jetën shoqërore, duke ia siguruar edhe lirinë”.
Njësoj siç do të bënte edhe Ataturku në Turqi, Zogu në Shqipëri vijoi me heqjen e fezit të kuq që e vinin në kokë myslimanë e katolikë, madje edhe ortodoksë shqiptarë.
Për observuesit e jetës shqiptare, madje edhe për ata më pak zhbirues, hetohej një “ringjallje e traditave të vjetra” pas rënies së pushtetit osman.
“Plisi është sërish i popullarizuar në shtresat qytetare”, shkruan korrespodenti shkodran i së përditshmes jugosllave.
“Një nyje e ditëve të para”
Për Zogun ekziston një kështjellë shkrimore me emra studiuesish e historianësh të rinj e të vjetër, si Owen Pearson, Joseph Swire e Bernd Fischer, pa përmendur këtu edhe një lagje të tërë studiuesish shqiptarë.
Hyrja e Zogut në skenën politike si kryeministër e president është e nyjëtuar me marrëdhëniet me Jugosllavinë, sidomos kur kjo e fundit e përkrahu me mjete ushtarake, financiare e diplomatike rikthimin e tij në pushtet dhe rrëzimin e qeverisë jetëshkurtër të Nolit.
Në të shumtën e herëve, mëpastajshmëria e ngjarjeve historike është shpjeguar si një manovrim i zgjuar e largpamës i Zogut për të dalë nga pezhishkat jugosllave përmes afrimit me Italinë.
Por, sipas atyre që raportonte Kokoshi dhe atyre që fliteshin brenda Legatës jugosllave në Tiranë, gjendja nuk ishte tamam kështu.
Muajt e parë të 1925-s do të kalonin me përgjërime të tëra nga pushteti i ri që Jugosllavia të sillte ndihma për Shqipërinë e shpërfytyruar nga kriza e thellë ekonomike. Me një demonstrim diplomatik të “vullnetit të mirë”, Zogu do të hapte shkolla në gjuhën serbe në Shkodër e katundin Vrrakë, ashtu sikundër edhe shkolla në gjuhën maqedonase në fshatrat sllavofone në viset e Prespës shqiptare.
“Shpresat nga Beogradi”
Edhe kur shtetet përreth po i bënin hesapet mirë për të lidhur aleanca strategjike në një kohë polarizimesh të thella në Evropë, Zogu kishte kthyer sytë plot shpresë kah Beogradi. Ai kërkonte nga mbreti jugosllav, Aleksandar Karagjorgjeviq, përkrahje për thellimin e marrëdhënieve ekonomike dhe pranimin e Shqipërisë në Antantën e Vogël.
“Këto kërkesa nuk qenë plotësuar. Prandaj, Qeveria e Zogut bëri ratifikimin e disa marrëveshjeve të rëndësisë ekonomike me Anglinë dhe Italinë”, citohet Kokoshi.
“Incidenti Gjurashkoviq”
Ndonëse Jugosllavia në dukje kishte hequr dorë nga orvatjet në drejtim të Shqipërisë, marrëdhëniet dypalëshe ishin stërkequr. Kështu, korrespodenti Kokoshi kishte mësuar nga një koleg serb që Beogradi po jepte shenja për përmbysjen e pushtetit zogist. Kështu, (para)politika serbe po e përkrahte dhëndrin e Zogut, Ceno bej Kryeziun. Sipas atyre që thuheshin e shkruheshin në Legatën jugosllave në Shqipëri, Zogu dyshonte në lojalitetin e ministrit Kryeziu: kjo ishte arsyeja pse e mënjanoi nga pozita delikate e ministrit të Brendshëm, duke e emëruar të ngarkuar me punë në Beograd e më pas edhe në Pragë.
Kulmi i kësaj gjendjeje të nderë do të mbërrinte me të ashtuquajturin “incidenti Gjurashkoviq”. Siç e shpjegon Kokoshi, bëhej fjalë për korrespodencat e fshehta që mbante me Beogradin Ceno bej Kryeziu. Ky i fundit niste letra të gjata, me karakter informativ, të cilat më pas përktheheshin në serbisht.
“Organet e Legatës jugosllave e kishin lejuar përkthyesin Gjurashkoviq që letrat – përkatësisht materialet sekrete – t’i merrte për përkthim në banesën e tij në Durrës. Kjo arsyetohej se orari zyrtar në Legatë nuk mjaftonte që përkthimi të bëhej me kohë. Xhandarmëria e Durrësit bastisi banesën dhe mori të gjitha dosjet e dyshimta, letrat origjinale e të përkthyera, ndërsa nëpunësin e legatës e burgosi me akuzë se ishte marrë me spiunazhë kundër mbretërisë”.
Pakti me Italinë
Sipas perspektivës jugosllave, Zogu, me qëllim që të gjente një shtegdalje, u shtrëngua të lidhte miqësi e pakte me Italinë, mes të tjerash edhe “me synim që ta konsolidonte pozicionin përbrenda mbretërisë”.
Duke komentuar Paktin e Mbrojtjes, Kokoshi thotë se Shqipëria dhe Italia u zotuan të mbronin pavarësinë dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës nga sulmet ushtarake eventuale ngado që vinin.
Në sytë e një reporteri si Kokoshi – ashtu si për shumicën e observuesve të kohës – la përshtypje të thellë ardhja ekstravagante në Shqipëri e ministrit të Jashtëm të Musolinit, Galeazzo Ciano. E tillë kishte qenë vizita e tij në Tiranë, sepse ai e pilotoi vetë avionin me të cilin kapëtoi Adriatikun. Me të do të fillonte episodi i një miqësie të shtrenjtë për Zogun, por me një çmim që do t’i kushtonte rëndë pak kohë më vonë.
Antagonizmi mes Romës dhe Beogradit, për të cilin Naltmadhnija e tij kishte shpresuar aq shumë, ndonjëherë arriti në nivele relaksimi. Kjo u vërtetua me rastin e vizitës së kontit Çiano në Beograd, kah fundi i janarit 1939. Në ato që u cilësuan në shtyp si bisedime të hapura e miqësore, të dy palët e kishin përmendur si “zgjidhje më të përshtatshme” ndarjen e Shqipërisë dhe daljen e Jugosllavisë në brigjet detare shqiptare.
Marrë nga Koha.net