E premte, 21 Mars, 2025

DRITË VAZHDIMËSIE

Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Poezisë, dua të veçoj dy emra, dy universe poetike të një gjenerate të re, që me shumë kreativitet po shfaqen në poezinë shqipe. Nurie Emrullai dhe Valdeta Dulahi, janë dy emra që sjellin një ndjeshmëri poetike të nivelit europian. Mbetet kaq e nevojshme që sistemi i letërsisë shqipe të krijojë tanësinë e vetë, duke inkorporuar dialogun letrar dhe bashkë me këtë edhe tanësinë e universit të letërsisë shqipe. Fatmirësisht ky dialog tashmë ka filluar, por mbetet i pamjaftueshëm!
Nga Bardhyl Zaimi
Njeriu në këtë botë është një banor poetik (Holderlin)

Një gjeneratë e jashtëzakonshme krijuesish tashmë me shumë dinjitet, secili me vokacionin e vetë kanë vënë vulën e orgjinalitetit në hapësirën e poezisë shqiptare këtu, duke krijuar një sistem referencial krijimtarie në nivelin e tërësisë së poezisë shqipe. Emra tashmë të etabluar sikundër janë Lulzim Haziri, Lindita Ahmeti, Salajdin Salihu, Shazim Mehmeti, Ahmet Selmani, Daim Miftari,Vjollcë Berisha, Arlind Farizi etj, kanë krijuar mrekullisht polifoninë e një universi që vjen përmes ligjerimeve të konsoliduara poetike. Por, sot, në Ditën Ndërkombëtare të Poezisë, dua të veçoj dy emra, dy universe poetike të një gjenerate të re, që me shumë kreativitet po shfaqen në poezinë shqipe.

Nurie Emrullai dhe Valdeta Dulahi, janë dy emra që sjellin një ndjeshmëri poetike të nivelit europian. Mbetet kaq e nevojshme që sistemi i letërsisë shqipe të krijojë tanësinë e vetë, duke inkorporuar dialogun letrar dhe bashkë me këtë edhe tanësinë e universit të letërsisë shqipe. Fatmirësisht ky dialog tashmë ka filluar, por mbetet i pamjaftueshëm!
NURIE EMRULLAI
Një tjetër si unë
I njëjti fat më ra në hise dhe mua.
U përcoll nga gjyshja tek nëna, nga nëna tek unë.
Unë jam tjetra që mohohem.
Por nuk jam e vetmja.
Jam pjesë e historisë.
Në vetminë time presin gjithë gratë për t’u parë e dëgjuar.
Nuk harroj: “Unë duhet ta shoh veten!”
Po qe bota një çmendinë,
pacientet gra do përjashtohen veç se janë gra.
Po, s’jam vetëm.
Jemi të gjitha në radhë për t’ia mësuar vetes: “Lirinë e mendjes.”
Lufta jonë është luftë vështrimesh. Luftë dufmash e mërmërimash.
Nuk jam vetëm as në shtëpi, as në histori.
Nuk jam vetëm kur jap veten për dashuri.
Nuk jam vetëm kur gjykohem.
Nuk jam vetëm kur them:
“Se unë dua kështu!”
Nuk jam vetëm kur them:
“Jo! Sonte nuk të dëshiroj.”
Nuk jam vetëm kur qaj dhe shpreh lëndim.
Jam e vetëdijshme se nuk është dobësi.
Nuk jam vetëm kur ngre zërin dhe ia ndal dorën atij
që për çdo natë bie i pirë mbi mua,
Kur erën e alkoolit nuk e duroj në frymë.
Nuk jam vetëm kur them:
“Dua, dëshiroj, ëndërroj”
Kur them:
“Unë, vetja ime”
Se të gjithë jemi tjetra
Me kujtesë të trashëguar.
kujtesa vlen të mos harrojmë kush ishim
“Evë që fton në mëkat”
Mëkati është pjesë e jona.
Nuk do fsheh hyjnoren time ndër njerëzoren.
Kam lejuar yjet e trupit tim të vezullojnë.
Hap diellin tim dhe shumohem në pafund diej që do e ecin tokës sime.
Ti dëgjo: Unë, s’do jem tjetra që mohohem.
VALDETA DULAHI
Sakura
Tashmë kur nuk zotëroj dot as veten.
Pak botë ka mbetur brenda meje.
Do të bëhem shpejt dhè
e stinët do kalojnë mbi mua.
Dimri do më shndërrojë në shtojzovalle të bardhë, krejt të bardhë.
Vera do më ngjallë mbi kolovajzë,
nga ato që lokja më patë ndërtuar nën dardhë,
tjetër kolovajzë as s’pata ëndërruar,
se nuk pata parë.
Lulet e qershisë do më bëjnë kurorë
e aroma e tyre do më bëj erë.
Atë kam ëndërruar përherë,
të isha aromë lule qershie.
Ani se vetëm në një stinë do jetoja.
Ç’rëndësi ka koha kur zotëron jetën?
Vjeshta do më lajë mykun e mermerit, ndoshta dhe mua erën e tokës.
Ajo ishte jeta për mua:
Aroma e luleve të qershisë.
Era e tokës pas shiut.
Fërshëllima e furtunës së acarit.
Tingulli plluq – plluq i shiut që rridhte pullazeve pasi kishte pushuar.
Hëna me lëmë mbi Gjurin Dinak.
Tashmë kur nuri i saj ka rrënë mbi mua
asgjë nuk kërkoj nën zotërim
veç harrimit se ekzistova.
Pastaj lutuni që lulet e qershisë të rrojnë më gjatë.
* Gjuri Dinak- mikotoponim: Gjuri = Guri, Dinak ( Dy- nak) = Binjak

Të fundit