Prej ditës së martë fillon shpërndarja e vaksinës së tretë të miratuar për përdorim emergjent në Shtetet e Bashkuara, njofton VOA, përcjell KDP. Sipas një zyrtari të lartë të administratës rreth 4 milionë doza të vaksinës Johnson & Johnson do të jenë në dispozicion prej mëngjesit të së martës krahas dy vaksinave të miratuara më parë, ato të kompanive Pfizer/BioNTech dhe Moderna-s.
Vaksina e kompanisë Johnson & Johnson pritej me padurim nga zyrtarët amerikanë të shëndetësisë kryesisht për faktin se ajo përdoret me një doze të vetme. Por zyrtarët u kanë kërkuar amerikanëve të marrin cilindo vaksinë që është në dispozicion për ta, duke përsëritur se të treja janë të sigurta dhe efektive.
Sipas të dhënave nga një studim që përfshinte tre kontinente vaksina e kompanisë Johnson & Johnson është 85% efektive kundër sëmundjeve të rënda, shtrimeve në spital dhe vdekjeve nga COVID. Ajo ofron mbrojtje edhe në vendet ku po përhapet varianti i Afrikës së Jugut.
Kompania Johnson & Johnson po kërkon gjithashtu autorizim për përdorimin të vaksinës në Evropë dhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Studimi i firmës “Kekst CNC” tregon se 89% e britanikëve janë tani pro-vaksinimit, krahasuar me 65 për qind në shtator të vitit të kaluar. Në Suedi 76 për qind janë në favor, krahasuar me 51 për qind në shtator. Sipas studimit, 68 për qind e meshkujve në mbarë botën e mbështesin vaksinimin, por mes grave kjo shifër është më e ulët, 55 për qind.
Vaksina e kompanisë Johnson & Johnson, e cila merret me një dozë të vetme mbron nga COVID-19, u miratua në fund të shkurtit.
Shkencëtarët e Administratës së Ushqimit dhe Barnave konfirmuan se në përgjithësi vaksina është rreth 66% efektive në parandalimin e rasteve të lehta si dhe ato të rënda të COVID-19-s. Agjencia tha gjithashtu tha se vaksina që merret me një dozë të vetme e kompanisë J & J, mund të ndihmojë në shpejtimin e procesit të vaksinimit dhe është e sigurt për t’u përdorur.
J&J testoi vaksinën e parë me dozë të vetme tek 44,000 njerëz në SHBA, Amerikën Latine dhe Afrikën e Jugut. Për shkak të varianteve të ndryshme të virusit, që po qarkullojnë në vende të ndryshme, studiuesit analizuan rezultatet gjeografikisht. J&J njoftoi më parë se vaksina funksionoi më mirë në SHBA duke garantuar një efektivitet prej 72% ndaj rasteve të lehta e të rënda të COVID-19-s, krahasuar me 66% në Amerikën Latine dhe 57% në Afrikën e Jugut.
Megjithatë në çdo vend vaksina dëshmoi se ishte shumë efektive kundër simptomave të rënda dhe rezultatet e hershme të studimit treguan se nuk kishte asnjë shtrime në spital ose vdekje duke filluar 28 ditë pas vaksinimit.