E shtunë, 22 Mars, 2025

KRONIKA E NJË ARRATISJEJE TË “ PARALAJMËRUAR”

Shefja e Prokurorisë, Villma Ruskovska thotë se informacioni për paraburgim të Mijallkovit nuk ka rrjedhur nga ata. Në opinion ka pasur reagime të shumta, ndërkohë që opozita ka akuzuar për “marrëveshje” me qeverinë. Kryeministri Zaev ka shfaqur zhgënjimin e tij dhe ka theksuar se nuk ka një marrëveshje të tillë. Ai gjithashtu ka paralajmëruar edhe përgjegjësi institucionale. Për ish shefin e policisë sekrete tashmë ka edhe një urdhërarrest ndërkombëtar, ndërkohë që të premten pritet të finalizohet aktgjykimi për përfshirjen e tij në rastin “Target-Fortesa”

KDP

Të gjithë janë në kërkim të ish shefit të policisë sekrete të Maqedonisë së Veriut, Sasho Mijallkov, një emër prapa të cilit dyshohet se qëndrojnë shumë inkriminime gjatë kohës së qeverisjes së ish kryeministrit Gruevski. Ish shefi i policisë sekrete mendohet të ketë qenë  “koka” nën hije e regjimit të Gruevskit, ndërkohë që për të është hapur një proces gjyqësor që pritet të finalizohet të premten.

Gjatë një seance të mëhershme gjyqësor, ai kishte deklaruar se “ me arratisje nuk zgjidhen problemet”, por përkundër “fjalës së dhënë”, ai ndërkohë është zhdukur në kohën kur prokurorja ka shqiptuar masën e paraburgimit.

Ka pasur ndërkohë reagime të shumta në opinion mbi këtë arratisje, sidomos për fatktin e ngjashmërimeve me ish kryeministrin Gruevski, i cili ishte arratisur në Hungari. Pikërisht këto ngjashmëri, por edhe zotimet e mëhershme të kryeministrit Zaev, kanë krijuar dyshime për një marrëveshje të mundshme politike që është shtruar si dilemë në opinion.

Për kryeministrin Zaev kjo është edhe një zhgënjim pas arratisjes së Gruevskit. Ai ka theksuar se nuk ka marrëveshje politike, ndërsa nëse nuk e gjejnë do të kërkojë edhe përgjegjësi.

“Absolutisht nuk ka marrëveshje politike, unë jam i lumtur që si i pari në pushtetin ekzekutiv kemi siguruar kushte në kohë pas regjimit, pas vjedhjes së shtetit, me gjithë ndikimet dhe fuqitë është organizuar proces juridik i  cili po finalizohet”, ka deklaruar Zaev.

Shefja e Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Villma Ruskovska ka mohuar se informacioni për paraburgimin e ish-drejtorit të DSK-së, Sasho Mijallkov ka dalë nga ata.

“Nuk ekziston një mundësi e tillë, sepse informacionin e parë të cilin unë e dërgova në MPB e shkruaja vetë në kabinet në orët e pasdites të së shtunës dhe nuk ishte askush në punë përveç meje. Dje, të dielën, erdhën vetëm kolegët Lençe Ristovska dhe Trajçe Pelivanov tashmë me propozim të përgatitur për gjykatë për përcaktimin e masës së paraburgimit kështu që përveç neve të treve të dielën nuk e dinte askush. Absolutisht e përjashtoj mundësinë se informacioni ka dalë nga Prokuroria”, ka deklaruar Ruskovska.

Mijallkovi është i pakapshëm dhe policia nuk arriti t’ia dorëzojë vendimin për arrestin shtëpiak, që si masë të kujdesit, me kërkesë të prokurorisë e solli Gjykata Penale. Ministria e Punëve të Brendshme fillimisht shpalli urdhërarrest kombëtar, ndërsa pasdite edhe urdhërarrest ndërkombëtar për Mijallkovin. Në ndërkohë, në stacionin policor në bisedë informative po thirren anëtarë të familjes së Mijallkovit dhe sigurimit të tij.

Ka ardhur ndërkohë edhe një reagim nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

“Jemi të vetëdijshëm për këta raporte, dhe po e ndjekim nga afër situatën”, ka theksuar shkurt për Zërin e Amerikës zëdhënësi i Stejt Departamentit me rastin e arratisjes së Sasho Mijallkov.

Ditën e premte duhet të shpallet vendimi përfundimtar për Sasho Mijallkov i cili akuzohet për përgjimet masive në rastin “Target-Fortesa”

Kreu i shtetit, Stevo Pendarovski, u bëri thirrje institucioneve ta gjejnë të arratisurin Sasho Mijalkov. Ai gjithashtu pret përgjegjësi nëse konstatohen lëshime në arratisjen e ish-shefit të policisë sekrete.

“Zhvillime të tilla janë të papranueshme për një vend që pret të fillojë negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, dhe që po punon shumë për të reformuar sistemin gjyqësor dhe për të ndërtuar besimin në shtetin e së drejtës.” Kjo diskrediton përpjekjet dhe shpresat për të trajtuar krimin dhe korrupsionin e lartë”, ka theksuar presidenti, Stevo Pendarovski,

Partitë politike kanë kërkuar llogari nga Qeveria. Sipas VMRO – DPMNE-së, arratisja e Sasho Mijalkovit e konfirmon koalicionin Zaev – Mijalkov. Por, nuk tregojnë nëse në atë koalicion është edhe i arratisuri Nikolla Gruevski. VMRO DPMNE, ku Mijalkov ishte anëtar dhe u përjashtua nga partia, kërkon që ai të nxirret para drejtësisë brenda 24 orëve.

“Kushdo që ikën nga drejtësia duhet të mbajë përgjegjësi dhe përgjegjësia e kësaj Qeverie është t’i sigurojë ata që ikin nga drejtësia, respektivisht kushdo që ka kryer vepër penale dhe për atë gjithsesi ka aktvendim, duhet të mbajë përgjegjësi”, ka theksuar Aleksandar Nikollovski nga VMRO – DPMNE

 

“E majta” nuk është habitur nga arratisja e Mijalkov. Ata përgjegjësinë ia adresuan Zaevit. Partia ka kërkuar përgjegjësi penale nga zyrtarët.

“Është e qartë se në këtë rast, siç ishte rasti me arratisjet e mëparshme të kriminelëve të dënuar, strukturat menaxhuese të Ministrisë së Brendshme janë bashkëpunëtorë të drejtpërdrejtë në përmbushjen e premtimeve që kryeministri Zaev u dha kriminelëve të regjimit të kaluar”.

Aleanca për Shqiptarët vendosi afishe të Sasho Mijallkovit para ndërtesës së Ministrisë së Brendshme për t’i zgjuar zyrtarët që flenë.

Gjykata penale të premten do ta shpallë vendimin në rastin e përgjimit masiv “Target- Fortesa”. Shumë dilema ndërkohë janë hapur për funksionimin e shtetit ligjor dhe efikasitetit të policisë. Jo njëherë ka pasur kritika për sistemin e “kalbur” gjyqësor. Një reformë rrënjësore mbetet e domosdoshme për fillimin e funskionimit të sistemit të drejtësisë.

Të fundit