E shtunë, 22 Mars, 2025

ZIGZAG: POLITIKË, ME DEMEK!

Pa ndonjë përjashtim, vendet dhe popujt e Ballkanit Perendimor, tash e tri dekada, e kanë kuptuar se zgjedhjet, fushatat, premtimet, jo të rregullta, por të parakoshme e të jashtëzakonshme, janë bërë kafshatë që kapërdihet! Me hatër o me tutë, me qejf o me zor. Krejt njësoj!

 

Shkruan: Seladin XHEZAIRI

 

Ngjarja e mëposhtme duhet të ketë ndodhur shekullin e kaluar, në vitet kur klasa politike në Republikën Socialiste të Maqedonisë, kishte nisur ta vetushqejë luftën kundër ‘nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptaromadh’, duk marrë për yrnek veprimet në Beograd e besa në Zagreb që çonin ujin përkatësisht në ‘Serbinë e Madhe’ dhe ‘Kroacinë e Madhe’, e duke i mëshuar fort njëri-tjetrit, por dhe atyre që kollaj mund të bëheshin mish për top! Ngjarjen ma ka dëftuar një ndër krerët e Brigadës shqiptare në Frontin e Sremit: Një bashkëluftëtar i tij, pas përfundimit të luftës, kishte marrë një pozitë në qytetin e Gostivarit dhe nuk është se nuk kishte qenë i suksesshëm. Deri në momentin kur, duke parë fushatën e egër kundër bashkëkombasve të tij, në një mbledhje komiteti kishte thirrur shokët e tij që të vënë gishtin në mendje:’Po, a për këtë luftuam?’… Pak kohë pas kësaj, Ai, si udheqës i ndërmarrjes, i cytur nga shokët e Komitetit, ishte nisur për në një udhëtim zyrtar për në Kroaci për të firmosur një kontratë me para në dorë. E bën një ndalesë në Kryeqytetin e RSFJ-së, dhe në gjum e sipër, milicia e zgjon, e bastisë, ia gjen çantën me plotë para dhe e akuzon për hiq më pak se për ‘tentim arratisjeje nga vendi’. Partizani i vjetër nga mllefi e inati, ndërron jetë atypëraty. Ajo që pason është si në film: Shokët e Komitetit i organizojnë përcjelljen e fundit me nderimet më të larta!

Nejse, në çelje thash se pa ndonjë përjashtim, vendet dhe popujt e Ballkanit Perendimor, tash e tri dekada, e kanë kuptuar se zgjedhjet, fushatat, premtimet, jo të rregullta, por të parakoshme e të jashtëzakonshme, janë bërë kafshatë që kapërdihet! Me hatër o me tutë, me qejf o me zor. Krejt njësoj! Shitësit e mjegullnajave elektorale japin e marrin për të arkëtuar sa më shumë vota. Një herë premtojnë këtë, e tjetrën herë, atë. Një herë na flasin për një shoqëri të përbashkët, e herën tjetër, na ‘kënaqin’ me vendosjen e përkatësisë kombëtare në kartën e identitetit, jo në, mazallah, pasaportë! Sikur e njëjta të mos figurojë në ekstraktin e lindjes!
Kjo – një!

E dyta: Një gjykatëse në Shkup na e paska regjistruar edhe një bashkësi fetare islame, këtë herë selefiste, në Maqedoninë e Veriut. I pamë, i lexuam e dëgjuam, reagimet e të gjithë protagonistëve, por një gjë nuk e kuptoj: Përse u ndalua Vranishkovski të krijojë Kishën e Dytë Ortodokse Maqedonase e përse u lejua regjistrimi i bashkësisë së re islame? Maqedonia (e Veriut), gjykoj unë, ka shumë probleme dhe përpjekja për të spostuar vëmendjen, qoftë edhe përmes kësaj e pa harruar përligjen e vitit të kaluar të ‘kreut’ të ri të BFI-së, nga ana e Gjykatës në Shkup që, nëse iu kujtohet u shpallë edhe në Gazetën Zyrtare, ka për t’i kushtuar shtetit e këtij pushteti! Për shkak se ajo e moçmja ‘le t’na shkojë tymi drejt pa çka se oxhaku është i shtrembër’ është, do pranuar, vetëm dëshirë. Asgjë mnë tepër. Përkundrazi, mund të jetë një dackë e rëndë. Edhe për shtetin, edhe për pushtetin!

Të fundit