E shtunë, 24 Maj, 2025

TRAGJEDIA E PAKUFISHME KOSOVARE

Jam përballur edhe me shkrimin me titull “Fëmijët e padukshëm të Kosovës: Trashëgimia e fshehtë e të dhunuarve në luftë”, i autores Serbeze Haxhiaj, e cila për herë të parë zbuloi fëmijët e lindur nga përdhunimi i grave shqiptare të Kosovës nga forcat serbe. Ky shkrim është nga ata që të zë frymën, që nuk të lë të qetë, pasi të vë përballë një realiteti tragjik pafund. Është një shkrim që të lë pa gojë, të shastis, të shtang, të lë të nemitur dhe ta plas zemrën!

Shkruan: Sefer TAHIRI

Në gazetari shkruaj nga prilli i vitit 1998 dhe plot 22 vite ballafaqohem drejtpërdrejt ose tërthorazi me Ballkanin e trazuar, me këtë rajon në të cilin janë provuar të gjitha format dhe metodat ekstreme të gjenocidit dhe krimeve kundër njerëzimit. Ballkani, në periudha të ndryshme të historisë, mbi nënqiellin e vet ka evidentuar shumë vepra çnjerëzore, të cilat shpesh kapin përmasa të pakufishme.

Vasfije Krasniqi – dëshmi e gjallë e dhunës në Kosovë 

Në tokën ballkanike, Kosova është njëra ndër hapësirat gjeografike të saj, e cila bart mbi supe faqe të errëta të historisë, ndërsa një pjesë e banorëve të saj kanë përjetuar torturat më tmerruese të luftës.

Vasfije Krasniqi Godman është kandidate për deputete, e propozuar nga Lëvizje Vetëvendosje. Ajo është përfaqësuese e denjë, që i troket ditë e natë ndërgjegjes njerëzore në nivel ballkanik, por edhe global. E lindur në vitin 1982, ajo i ka mbijetuar dhunës seksuale në Kosovë në vitin 1999. Është njëra ndër gratë e para shqiptare të Kosovës, e cila haptas ka dëshmuar dhunën seksuale, të ushtruar nga paramilitarët serbë gjatë luftës. Krasniqi, që në moshën 16-vjeçare ishte viktimë e dhunës seksuale, e ushtruar në fshatin Babinovc të Vushtrisë nga dy policë, njëri prej të cilëve ka qenë polic i regjimit të Sllobodan Millosheviqit. Zonja Krasniqi Godman është nënë e dy fëmijëve dhe jeton në Teksas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Me guxim qytetar, në një seancë të Komisionit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së në Uashington, ka kërkuar që shteti amerikan të kërkojë drejtësi për viktimat e krimeve të luftës. “Më pas qava shumë, duke iu përgjëruar atij (policit) që të më vriste. Jo, tha ai, nuk do ta bëj, sepse në këtë mënyrë do të vuash më shumë. Ai pati të drejtë. Kam vuajtur shumë.”, ka thënë Krasniqi.

Vasfije Krasniqi është nga mijëra gra që në Kosovë, syhapur e kanë parë tmerrin. Është ndër njerëzit, që në botë janë fare pak, që në një moment kanë preferuar vdekjen para jetës. Natyrisht në këtë dyluftim të madh shpesh ngadhënjen jeta.

Dhuna seksuale në Kosovë është e tmerrshme. Mendja njerëzore tronditet nga historia e saj në tokën kosovare, të cilën e kemi shumë të afërt për shumëçka. Madje, ka tragjedi mbi tragjedi!

Jorastësisht këtë shkrim gazetaresk e fillova me faktin që në profesionin e gazetarisë jam një kohë tepër të gjatë, më shumë se dy dekada dhe aq sa kam mundur e kam ruajtur distancën emocionale ndaj ngjarjeve dhe fenomeneve politike dhe shoqërore. Duke qenë se vendlindja ime është fshati Radushë i Shkupit, në të cilin në vitin 1992 ekzistonte kampi i refugjatëve, edhe pse tepër i ri, kam pasur rastin të komunikoj me refugjatët nga Bosnja, nga të cilët kam dëgjuar rrëfime rrëqethëse.

I njëjti kamp, më pas do të bëhet strehim për refugjatët nga Kosova në vitin 1999. Tashmë gazetar i gazetës së përditshme “Fakti”, bëja reportazhe të shumta me qytetarët nga Kosova, të cilët ishin larguar nga vendbanimet e tyre autoktone, për shkak të dhunës dhe terrorit nga pushtuese serb. Natyrisht, pas fillimit të luftës në Maqedoninë e Veriut në vitin 2001, sidomos duke qenë gazetar-korrespondent i Radios Evropa e Lirë nga Shkupi, kam raportuar nga vatrat e luftës, duke filluar nga Likova deri në Tetovë.

Nuk më ka ndodhur gjithë këto vite, për shkak të presionit emocional të ndërpres punën profesionale, pavarësisht se në cilin pozicion pune kam qenë, në media, arsim ose hulumtim shkencor.

Konkursi profesional që shkakton vuajtje njerëzore

Por, një gjë e tillë më ndodhi! Rrjeti Hulumtues Reporterial Ballkanik (BIRN) më ftoi të jem anëtar i jurisë profesionale për dhënien e çmimit të Bashkimit Evropian për gazetari hulumtuese në Kosovë gjatë vitit 2020. Natyrisht, pranova. Aq më tepër që ka qenë pozicion që më nderonte profesionalisht, por në të njëjtën kohë më vinte para përgjegjësisë profesionale për evaluim të shkrimeve gazetareske hulumtuese. Por, kjo detyrë nuk do të ishte aspak e lehtë jo vetëm për faktin që m’u nda një detyrë përzgjedhëse midis shumë shkrimeve gazetareske, të cilat në masë madhe ishin tepër cilësore dhe trajtonin tema e çështje të ndryshme, kryesisht mbi krimin, korrupsionin, klientelizmin dhe abuzimin e individëve dhe grupeve të ndryshme joformale me pushtetin.

Mirëpo, në mesin e shkrimeve jam përballur edhe me shkrimin me titull “Fëmijët e padukshëm të Kosovës: Trashëgimia e fshehtë e të dhunuarve në luftë”, i autores Serbeze Haxhiaj, e cila për publikun shqiptar dhe atë ndërkombëtar për herë të parë zbuloi fëmijët e lindur nga përdhunimi i grave shqiptare të Kosovës nga forcat serbe gjatë luftës. Një temë, e cila ka qenë tabu, ndërsa fëmijët e lindur në këtë mënyrë janë mbajtur sekret. duke u braktisur, adoptuar ose rritur në qendra strehimi!

Zakonisht, punën e vlerësimit të shkrimeve hulumtuese e bëj gjatë natës, ndërsa subjektivisht më duhet të pranoj se ky shkrim të pllakos. Është nga ata që të zë frymën, që nuk të lë të qetë, pasi të vë përballë një realiteti tragjik pafund. Është një shkrim që të lë pa gojë, të shastis, të shtang, të lë të nemitur dhe ta plas zemrën!

“Vajza e F.K., tani 19 vjeçe, është një nga fëmijët e lindur si rezultat i përdhunimit gjatë luftës në Kosovë, e cila nuk i di rrethanat e lindjes së saj. Të tjerët si ajo janë braktisur nga nënat e tyre, janë adoptuar më vonë ose janë rritur në jetimore. Ka pasur, gjithashtu, raste kur fëmijët janë mbytur nga nënat ose mbajtur fshehtë nga ato duke ua fshirë përfundimisht gjurmët e fakteve rreth lindjes së tyre”, shkruan gazetarja Haxhiaj në shkrimin e saj.

Ky shkrim shpjegon se si një nënë e re kishte vendosur t’i japë fund jetës së fëmijës së saj. “Sanije Miftari, një infermiere në Klinikën e Gjinekologjisë në Spitalin Publik në Prishtinë, kujton një mëngjes të ftohtë shkurti të vitit 2000 kur ajo kreu kontrollin rutinë të foshnjave dhe lehonave. Pak momente më vonë ajo kishte dëgjuar kuzhinieren që po shpërndante ushqimin duke thënë se gruaja në shtratin afër dritares në dhomën 363 po i bënte diçka foshnjës së saj. Miftari tregon se ajo pa një fytyrë të tmerruar të nënës së re, duke thënë se foshnja e saj nuk ishte mirë. Infermierët panë të nxirat rreth qafës së bebes, duke thirrur drejtorin dhe policinë. Dukej që ajo kishte tentuar ta mbyste fëmijën, por foshnja ishte ende gjallë”, tregon Miftari. Në regjistrin e Spitalit thuhet se lindja ka qenë normale, foshnja kishte lindur 2.9 kg dhe ishte e gjatë  51 centimetra. Në dosje, po ashtu, thuhet se në orën 12:35 të po asaj dite foshnja kishte vdekur. Raporti i autopsisë i datës 8 shkurt 2000, po ashtu, thotë se vdekja ishte shkaktuar nga mbytja.

Gazetaria duhet punuar me zemër

Jo vetëm ne që jemi rritur me Kosovën dhe me ndodhitë në të, por cilido njeri, që ka mundësinë ta lexojë këtë rrëfim tepër prekës dhe të ndjeshëm, nuk mund që rijë indiferent, pavarësisht se nga gazetarët kërkohet të jenë të “ftohtë akull”, përkatësisht më pak emotiv. Thua se gazetari është mbinjeri ose njeri i jashtëzakonshëm!

Pas leximit të këtij shkrimi, nuk ka ditë të Zotit që nuk mendoj për fatet tepër tragjike të këtyre njerëzve, por edhe mbi faktin që në gazetari jo të gjithë mund të përballen me “tema të rënda”! Studentëve të komunikimit u them shpesh se gazetari duhet të ketë guxim qytetar dhe intelektual, por duhet thënë edhe se duhet të ketë edhe zemër.

Meqë jemi në vlugun e fushatës zgjedhore në Kosovë, qeveria e ardhshme do të ishte mirë të mendojë për masa rehabilitimi të këtyre djemve dhe vajzave, të cilët në jetën e tyre, pa asnjë pikë faji, vuajnë dënime të brendshme shpirtërore, vuajtje të mëdha, që nuk maten me asgjë. Meritojnë një përkujdesje të veçantë sociale dhe një qeveri e përgjegjshme do ta bëjë këtë. Madje, jam i sigurt.

Shkrim mori çmimin e parë, si më i vlerësuari nga juria, pasi ai u dha zë fëmijëve të lindur si rezultat i përdhunimit!

Shkrim i publikuar në revistën “Shenja”

Të fundit