Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini, në një intervistë në “Klan Debat” ka theksuar se përgjegjësia për mbrojtjen e mjedisit është e të gjithëve. Sipas tij, investimi në mbrojtjen e mjedisit është investim afatgjatë në shëndetin e njerëzve.
Nuredini ka theksuar se procedura për shpalljen e Malit Sharr është në përfundim e sipër, ndërkohë që vlerëson se kjo do të ketë ndikim pozitiv edhe për qytetarët, për zhvillimin e turizmit dhe bashkë me këtë edhe zhvillimin ekonomik. Kodra e Diellit, ka theksuar Nuredini është perla e Malit Shar, ndërkohë që është menduar që ajo të jetë “zemra” e parkut kombëtar që do të reflektojë zhvillim në gjithë rajonin e Pollogut. Ai ka paralajmëruar gjoba më të mëdha për ndotësit kryesorë. Gjithashtu ka paralajmëruar investime bazike për menaxhimin me mbeturinat në rajonin e Pollogut deri në 20 milionë euro.
Nuredini ka paralajmëruar investime për ruajtjen e mjedisit në rajonin e Pollogut, si investime bazike për deponitë. “Kemi një bashkëinvestim me shtetin zvicerian dhe bashkë me fondet e tyre kemi filluar rehabilitmin e një pjese me një pjesë të deponisë “Rusino”. Fillimisht do të investohen deri në 20 milionë euro në Pollog për një infrastrukturë bazike, ndërsa do të vazhdohet edhe më tej me investime për menaxhim”, ka theksuar ai.
Sipas tij, pandemia e ka bërë jetën shumë të vështirë për qytetarët, ka pasur efekte shumë negative në ekonomi, ndërkohë që ka mundur të shihet se sa e rëndësishme është kujdesi dhe ruajtje e mjedisit jetësor, sepse nëse mjedisi vazhdon të ndotet do të ketë pengesa në të ardhmen. “Nga pandemia mund të mësojmë diçka, që qeveria dhe pushteti lokal mund të ndërmarrin masa që të kujdesen për shëndetin e qytetarëve. Sa më pak që investohet sot në mjedisin, aq më shtreënjtë, si shtet dhe si qytetarë do ta paguajmë me shëndetin tonë në të ardhmen”, ka theksuar Nuredini.
Çështja e deponive dhe menaxhimit me mbeturinat mbetet një problem që kërkon zgjidhje. Nuredini ka theksuar se mungon infrastruktura bazike, mungojnë deponite me standarde.
“Nga raporti i BE-së kemi disa pika kritike. Ata kanë të drejtë. Sa i përket ligjeve, unë mund të flasë për ndryshimin e ligjit për mjedisin jetësor, që në radhë të parë do të identifikohen pikat e nxehta që vijnë nga deponitë industriale historike. Së pari obligohemi si shtet t’i identifikojmë ata, pastaj obligojmë shtetin dhe komunat dhe firmat private të zbatojnë një plan për rehabilitimin e tyre. E kemi ndryshimin e ligjit për kualitetin e ajrit, me të cilin i obligojmë komunat që të kenë një plan dhe nëse tejkalohen vlerat e ndotjes të ndërmarrin vendime për ndryshime në qarkullim të trafikut, ndryshimin e puës, instalimit të fabrikave, nëse nuk ndërmarrin masa ata ne si qeveri siç ndodhi në pandemic të marrim vendime. Gjithashtu kemi edhe gjashtë ligje të reja për mbeturinat nëpërmjet të cilave do të përcaktohet një mënyre e re e menaxhimit të mbeturinave “, ka theksuar Nuredini. Sipas tij, këto ligje do të vihen në zbatim.
Ndotja enorme e ajrit ka nxitur një bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë për t’i rritur gjobat për ndotësit kryesorë. “Kur flas për ndotësit kryesor flasë për firmat dhe jo për qytetarët, për firmat që kanë leje për funksionim”, ka theksuar ai.
Nuredini ka folur edhe për kombinatin “Jugokrom”. “Ky kombinat ka statusin siç ka qenë. Punët atje janë ndaluar. Filtrat nuk janë vendosur, pa filtra nuk do të hapet. Deri sa të vendosen filtrat dhe të investohet nuk do të hapet ai kombinat, sepse i kemi parë vlerat e ajrit në 2014 dhe tash i kemi shumë më të ulëta edhe pse akoma nuk janë aty ku duhet të jenë”, ka theksuar ai.
Nuredini ka theksuar se si ministri tashmë kanë një bashkëpunim të mirë me Inspektoratin Shtetëror. “I kanë intensifikuar kontrollet, duhet akoma t’i përkrahim që të ketë më shumë inspektorë dhe më shumë kontrolle. Ne jemi të hapur dhe i dëgjojmë organizatat joqeveritare edhe qytetarët normalisht, bashkëpunojmë me OJQ-të dhe duhet që më tepër kontrolle të bëhen në sektorin privat”, ka theksuar Nuredini.
Çdo njëri nga ne, ka theksuar ai, duhet të kujdeset për mjedisin dhe duhet të respektohen ligjet, sepse në një afat pak më të gjatë dhjetëvjeçarë duhet ta zhvillojmë turizmin dhe kjo është një mundësi për zhvillim ekonomik. “Kjo ndikon në çdo njërin nga ne, në pushtetin qendror dhe lokal, dhe çdo njëri duhet të marr përgjegjësi për këtë”, ka theksuar Nuredini.
Sipas tij, do të duhen edhe pak kohë për të konsultuar palët e interesit për shpalljen e Malit Sharr park nacional, në mënyrë që të shterren të gjitha dilemat dhe që të ketë një vendim afatgjatë. “Kemi bashkëpunuar me ndërkombëtarët, me ekspert të huaj, që ta ndryshojmë zonimin që t’iu përshtet nevojave të qytetarëve. Ndikimi do të jetë pozitiv, sepse kam dëgjuar se do të ketë ndkime negative, në asnjë mënyrë shpallja park kombëtar nuk do të ketë ndikim negativ. Unë si ministër kam marrë vendim që më mirë të humbim një dy-tre muaj kohë, që të konsultohemi, që kur të vendoset njëherë të jetë afatgjatë”, ka theksuar Nuredini.
Ai ka theksuar se javët e ardhshme ligji për shpalljen e Malit Sharr park nacional do të jetë në procedurë qeveritare. “Do të merren edhe njëherë mendimet e institucioneve të ndryshme edhe të pushtetit lokal edhe të palëve të interest dhe në fund besoj se të gjithë do të na përkrahin, sepse kjo është një mundësi për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm për gjithë rajonin e Pollogut”, ka theksuar Nuredini.
Sipas tij, Kodra e Diellit është një perlë që ka potencial shumë të madh. “Historikisht ka qenë e rëndësishme. Ideja është që Kodra e Diellit të jetë në mes, si zemër në parkun kombëtar dhe të zhvillohet në mënyrë të qëndrueshme”, ka theksuar ai.