E mërkurë, 9 Korrik, 2025

REGJISTRIMI NË “SKENËN” E PËRPLASJEVE PARTIAKE

Presidenti i shtetit ka kërkuar kompromis mes pushtetit dhe opozitës për muajin e mbajtjes së regjistrimit. Kryeministri Zaev ka shfaqur gatishmëri të bisedohet për prolongim, ndërkohë që VMRO-DPMNE e ka quajtur “hipokrizi” dhe të vonuar propozimin e presidentit. Analistët politikë me kohë kanë paralajmëruar për politizimin e regjistrimit. Duket se VMRO-ja opozitare është në kërkim të një kauze politike, por mbeten të paqarta prononcimet e fundit të presidentit dhe kryeministrit në kohën kur ligji është miratuar dhe operacioni statestikor pritet të fillojë me 1 prill.

 

Analizë e KDP

Përkundër faktit që tashmë është miratuar Ligji për regjistrimin e popullsisë, një operacion që pritet të realizohet nga 1 prilli, përplasjet mes partive poltike të pushtetit dhe opozitës kanë filluar të jenë më të nxehta. Duket se kjo përplasje gjithnjë e më tepër do të marr tone poltike. Gjatë ditëve të fundit kjo përplasje po intensifikohet, ndërkohë që presidenti i Maqedonisë së veriut, Stevo Pendarovski, ka kërkuar LSDM dhe VMRO-DPMNE të arrijnë një kompromis për muajin e realizimit të regjistrimit, duke propozuar muajin maj ose qershor.

Ky propozim i presidentit është kundërshtuar nga VMRO-DPMNE, e cila e ka vlerësuar si “hipokrizi”. Ndërkohë, kryeminsitri, Zoran Zaev, ka shfaqur gatishmëri për shtyrjen e regjistrimit.

“E pashë edhe propozimin e presidentit të shtetit Pendarovskit që të shtyhet regjistrimi për disa muaj, OK, unë jam gjithmonë i gatshëm, gjithçka vlen për t’u menduar. Gjatë verës e dimë se regjistrimi nuk realizohet, shtatori është fushatë, tetori është koha e zgjedhjeve lokale dhe të mendoni për një muaj ose dy, diku mesi i qershorit tashmë e shohim se atë e ka refuzuar opozita”, ka theksuar Zaev.

Opozita ka refuzuar ofertën e Pendarovskit, pasi siç thonë, është e vonuar. Ndërkohë, lideri i opozitës Hristijan Mickoski ka kërkuar që regjistrimi të anulohet për në prill të 2022-s.

VMRO-DPMNE ka filluar me grumbullimin e nënshkrimeve dhe kërkon regjistrimi të mbahet në prill të 2022-s. Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski ka bërë të ditur se opozita ka filluar grumbullimin e nënshkrimeve për anulimin e procesit të regjistrimit të popullsisë dhe i njëjti të mbahet në prill të 2022-s.

“Lëreni këtë proces që të realizohet në prill të 2022-s”, ka kërkuar Mickoski. Ai përsëritur kërkesën që regjistrimit të realizohet në formë elektronike. Sipas tij, kjo duhet të bëhet “që të mos rrezikohet shëndeti i popullatës”.

“Unë e di se ju doni t’i angazhoni aktivistët e juaj, ata të LSDM-së dhe BDI-së që të ju jepni një mëditje, që t’i motivojnë pak ata, sepse janë të pamotivuar deri në skaj që të punojnë për zgjedhje lokale. Por, besoni. Jeta dhe shëndeti i qytetarëve nuk ka çmim”, ka theksuar Mickoski.

VMRO-DPMNE ka theksuar ndërkohë se propozimi i tyre është i arsyeshëm, ndërsa propozimin e Pendarovskit e ka cilësuar si hipokrizi.

“Pendarovski është hipokrit. Nëse aq do të shqetësohej për regjistrimin, nuk do të ishte fundi i botës nëse do ta kundërshtonte Zaevin dhe nuk e nënshkruante Ligjin për regjistrim të falsifikuar. Vetë kërkesa e Pendarovskit për shtyrje të regjistrimit është vërtetim i asaj se pushteti nuk është i gatshëm për regjistrim legjitim dhe se kërkesat e VMRO-DPMNE-së në lidhje me regjistrimin janë të arsyeshme. Ky reagim i tij është i vonuar”, ka thkesuar nga VMRO-DPMNE-ja.

Ndërkohë, presidenti Pendarovski ka deklaruar se mund të bëhet kompromis për regjistrimin dhe të dy opsionet politike kundërshtuese ta zgjatin dorën, pushteti të pajtohet që regjistrimi të zbatohet në maj ose në qershor, ndërsa opozita të mos e bojkotojë.

Analistë politikë me kohë kishin paralajmëruar se regjistrimi mund të politizohet. Përplasjet e fundit vetëm e dëshmojnë një gjë të tillë. Duket se partia opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE është në kërkim të gjetjes së një kauze politike. Regjistrimi si një proces tashmë i vonuar me vite duket si një pretkst i mirë për të krijuar “trazime” politike. Ndërkohë që ligji është miratuar dhe parashihet që regjsitrimi të fillojë me 1 prill, prononcimet e fundit të presidentit të shtetit, por edhe përgjigjet e kryeministrit Zaev, lënë të kuptohet se “loja” poltike në emër të “kompromisit” mund të vazhdojë.

Me gjasë regjistrimi i popullsisë do të krijojë një çarje të madhe poltike, sidmos në bllokun poltik maqadonas, ku ekziston një drojë për bojkotimin nga një pjesë e popullatës e orketsruar nga VMRO-DPMNE. Partitë në bllokun politik shqiptar e kanë votuar ligjin për regjstrimin, ndërkohë që partitë opozitare kanë pasur vërejtjet e veta.

Të fundit