E diel, 18 Maj, 2025

Liga Arabe dënon vendimin e Kosovës për hapjen e ambasadës në Jerusalem

Parlamenti arab, që është organi legjislativ i Ligës Arabe, ka dënuar “njohjen e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit nga Kosova”. Liga Arabe po ashtu ka dënuar vendimin që Kosova të vendosë ambasadën e saj në Jerusalem, raporton agjencia shtetërore e lajmeve të Jordanit, Petra.

Kjo Ligë i bëri thirrje Kosovës që të heqë dorë nga vendimi i saj “kundërthënës që shkel ligjin ndërkombëtar” dhe kërkoi nga Prishtina zyrtare që t’i përmbahet rezolutave ndërkombëtare mbi Jerusalemin.

Kryetari i Parlamentit arab, Adel Assomi ka theksuar se vendimi i Kosovës për ta njohur Jerusalemin, nuk ka ndikim ligjor në kuptimin se nuk do ta ndryshojë status quo-n historike të qytetit, duke shtuar se fati i Jerusalemit mund të përcaktohet vetëm përmes negociatave dhe jo përmes vendimeve të njëashme, që sipas tij, shkelin ligjin ndërkombëtar.

Ceremonia e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit

Liga Arabe është themeluar më 1945 dhe përbëhet nga 22 shtete anëtare, ku përfshihen Egjipti, Jordani, Kuvajti, Palestina, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahrejni, e të tjera.

Më 1 shkurt, Kosova dhe Izraeli formalizuan vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, vendim ky, që nga dy shtetet u cilësua si historik.

Të fundit