Mendohet që kjo pako të kap një vlerë nga 50 deri më 60 milionë euro. Përfaqësues të qeverisë thonë se janë në fazën e fundit të finalizimit. Më herët Oda e Pavarur Hotelerike kishte kërkuar që të përfshihen në përgatitjen e kësaj pakoje, ndërkohë që kanë bërë të ditur se tashmë kanë vendosur komunikim me qeverinë, e cila ka pranuar disa nga pikat që kanë parashtruar.
KDP
Pakoja e pestë e masave ekonomike për mbështetje të ekonomisë dhe qytetarëve për ballafaqim me Kovid-19 do të peshojë mes 50 dhe 60 milionë euro si implikime të drejtpërdrejta të buxhetit, por si implikime fiskale do të jetë rreth 150 milionë euro. Pritet të finalizohet këtë javë nëse arrijmë konsensus me të gjithë aktorët e interesuar, ka konfirmuar zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi.
Ai ka theksuar se akoma janë duke u shqyrtuar detajet për pakon, që të përcaktohet saktë vlera e saj dhe theksoi se mbështetja për pagat nuk do të mungojë edhe në pakon e pestë të masave.
Do të ketë mbështetje financiare për pagat siç ishte më parë, sepse edhe ndihma e mëparshme nuk ishte e pakushtëzuar. Edhe më herët, duhej përmbushur disa kushte që ndihma të bëhej e pakthyeshme, të njëjtin mekanizëm e përdorim edhe tani. Tani po diskutohet për të dy opsionet me sindikatat, Odat ekonomike dhe të gjithë të tjerët – të vazhdohet me mbështetjen si më parë ose ajo të zëvendësohet me kredi pa interes. Këtë javë do të duhet të vendosim bashkërisht me të gjithë aktorët e interesuar se cila është masa më e mirë, duke pasur parasysh që ngadalë po rimëkëmbemi dhe po hyjmë në rinisjen e ekonomisë”, ka theksuar Bytyqi.
Ai ka theksuar se dhënia e vauçerëve për qytetarët ka qenë një masë ad-hok e bërë në një kohë krize dhe se me të janë mbuluar pothuajse 700 mijë qytetarë, por shtoi se grupi i masave që tani parashikohet përfshin një masë për ta shlyer interesin e mbetur që i kanë qytetarët në ndërmarrjet publike në nivelin lokal ose kombëtar, që, siç tha, do të thotë ndihmë më e madhe e drejtpërdrejtë për qytetarët. Në gjithë pakon ka më shumë se 20 masa nga e cila do të vijnë mjaft mjete për ata që janë më të rrezikuar.
“Nëse ka nevojë në muajt e ardhshëm, do të ketë masa të reja për qytetarët. Askush nuk mbetet jashtë masave, sepse të gjithë qytetarët janë të rëndësishëm për ne si Qeveri dhe do të mbulohen nga masat e ndryshme në pakot e ndryshme që i miratojmë. Si qeveri, e dimë që akoma do të ballafaqohemi me Kovid-19 dhe kjo është arsyeja pse ne kemi krijuar programe në ministritë resor në të cilat në disa programe i kemi shtuar me fonde shtesë për qytetarët”, ka bërë të ditur Bytyqi.
Propozimi i pakos së pestë i cili ende nuk është i finalizuar, përmban rreth njëzet masa që janë të targetuara të mbështesin sektorët dhe qytetarët më të prekur nga kriza shëndetësore dhe socio-ekonomike, me fokus në ruajtjen e likuiditetit të kompanive dhe shpëtimin e vendeve të punës. por edhe të nxisin kompanitë që të vazhdojnë të zhvillohen dhe rriten.
Ndërkohë, Oda e Pavarur Hotelerike kishte kërkuar që të jetë pjesë në përgatitjen e pakos së pestë për t’i parashtruar kërkesat e tyre. Brenda kohës ata kanë komunikuar me qeverinë dhe kanë lënë hapësirë edhe për një takim tjetër për të finalizuar përmbatjen financiare të pakos së pestë.
Kryetari i Odës së Pavarur Hotelerike (OPH), Zdravko Josifovski ka theksuar se OPH për herë të parë komunikoi drejtpërdrejtë me Qeverinë dhe në një farë mënyre, siç tha ai, “kontribuon në sjelljen e masave për mbështetje dhe ndihmë të industrisë gastronomike në vend”.
“Kishim pothuajse dy orë bisedime, diskutime dhe sqarime rreth kërkesave tona, si dhe prezantimi të pakos së masave të përgatitura nga shteti. Nga pesë kërkesat tona, tre pothuajse plotësisht janë përmbushur, kërkesa e katërt mbetet që të përpunohet, ndërsa në lidhje me të pestën nuk kishte. Me siguri muaji janar në një mënyrë është humbur sa i përket subvencionimit të pagave, por shteti punon dhe bën përpjekje se si t’i kompensojë në periudhën e ardhshme”, ka theksuar Josifovski.