E premte, 21 Mars, 2025

REGJISTRIM OBJEKTIV PËRTEJ POLITIZIMIT

Dikush gabimisht i kupton të drejtat e shqiptarëve, ardhmërinë dhe kohezionin shtetëror nën hijen e përqindjeve, të japësh apo të marrësh të drejta. Ky nuk duhet të jetë një koncept në ndërtimin e shtetit për shkak se shqiptarët janë entitet historik, kulturor dhe gjuhësor që kanë legjitimitet historik dhe të drejtat e tyre burojnë nga kjo premisë pranie të padiskutueshme historike dhe bashkë me këtë edhe premisë e ndërtimit të një shteti të përbashkët evropian me paradigmat tashmë të njohura të interkulturalitetit. Ky fakt pastaj determinon idenë e objektivitetit pa asnjë politizim të regjistrimit në funksion të projeksioneve kulturore, arsimore, ekonomike dhe përgjithësisht demokratike.

 

Shkruan: Bardhyl ZAIMI

Parlamenti tashmë ka miratuar ligjin për regjistrimin e popullsisë në Maqedoninë e Veriut. Ligjit i ka paraprirë një përplasje mes partive politike pozitë-opozitë, sidomos në kampin politik maqedonas. Partia më e madhe opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE, ka shfaqur dyshime nëse regjistrimi do të jetë real, ndërkohë që e ka bojkotuar miratimin e ligjit. Partitë politike në bllokun politik shqiptar e kanë votuar ligjin, por gjithashtu kanë shfaqur mosbesim në Entin Shtetëror të Statistikës. Sidoqoftë, me një sfond përplasjesh dhe mosbesimesh, ligji për regjistrimin është miratuar, ndërkohë që me një prill pritet që të filloj ky operacion statistikor, për të cilin kryeministri Zoran Zaev, ka theksuar se është tepër i domosdoshëm për krijimin e politikave ekonomike.

Ndërkohë, që VMRO-DPMNE, ka paralajmëruar mbledhjen e nënshkrimeve për anulimin e ligjit duket se çështja e regjistrimit edhe më tej do të politizohet. Partia opozitare maqedonase ka vlerësuar, se regjistrimi nuk do të tregojë numrin real të popullsisë, në veçanti përqindjen e shqiptarëve në shtet. VMRO-DPMNE është kundër përfshirjes së qytetarëve që jetojnë përkohësisht jashtë vendit në numrin e përgjithshëm të popullsisë, meqenëse kjo, sipas kësaj partie, do t’i prishte shifrat reale të popullatës që jeton në Maqedoninë e Veriut.

Në ndërkohë ka pasur edhe prononcime te pala shqiptare mbi këtë proces si një kundërvënie ndaj kësaj qasje të VMRO-DPMNE-së, e cila paraprakisht paragjykon rrjedhën e regjistrimit, ndërkohë që zgjidhjet ligjore që shihen si të drejta ka një tendencë që të përkthehen në një retorikë dyshuese për numrin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Shumë prononcime konfuze ditëve të fundit kanë krijuar një situatë interpretimesh të ndryshme. Përfaqësuesit e subjekteve politike shqiptare, por edhe aktorë tjerë të jetës publike ndaj këtyre tendencave për ta minuar procesin e regjistrimit iu janë përgjigjur me argumente më të thella që shkojnë në regjistrimet paraprake në kohën e komunizmit, kur numri i shqiptarëve gjithnjë ka qenë të diskutueshme dhe me shumë dyshime për shqiptarët.

Një problem më vete, sipas shumë analistëve politik paraqet edhe definimi në kushtetutë si 20 për qind i shqiptarëve, prej nga realisht vlerësohet se burojnë të drejtat e tyre gjuhësore, kulturore dhe të përfaqësimit. Pikërisht ky definim tashmë po jep shenjat e para të politizimit të regjistrimit.  Ka një tendencë nga disa subjekte politike për ta politizuar çështjen e regjistrimit, që ta kthejnë nga rrafshi i metodologjive objektive rigorozisht të përcaktuara në një arenë mobilizimesh populiste. Janë parti të opozitës maqedonase që tentojnë ta shndërrojnë çështjen e regjistrimit në një kauzë për përfitime politike, duke akuzuar për marrëveshje ndërmjet partnerëve të koalicionit për përqindje paraprakisht të dakorduar. Me gjasë ky politizim do të vazhdojë për të krijuar një lloj mosbesimi ndaj procesit të regjistrimit. Sidoqoftë, përveç dimensioneve tjera që ndërlidhen me praninë autentike të shqiptarëve në Maqedoninë Veriut, çështja e regjistrimit ndërlidhet edhe me definimin problematik dhe siç është cilësuar edhe nga subjektet politike në bllokun politik shqiptar dhe nga aktorë të tjerë të jetës publike nënçmues të shqiptarëve në kushtetutë si 20 përqindësh, që mbetet një problem real për t’u zgjidhur. Dikush gabimisht i kupton të drejtat e shqiptarëve dhe ardhmërinë dhe kohezionin shtetëror nën hijen e përqindjeve, të japësh apo të marrësh të drejta. Ky nuk duhet të jetë një koncept në ndërtimin e shtetit për shkak se shqiptarët janë entitet historik, kulturor dhe gjuhësor që kanë legjitimitet historik dhe të drejtat e tyre burojnë nga kjo premisë pranie të padiskutueshme historike dhe bashkë me këtë edhe premisë e ndërtimit të një shteti të përbashkët evropian me paradigmat tashmë të njohura të interkulturalitetit. Ky fakt pastaj determinon idenë e objektivitetit pa asnjë politizim të regjistrimit në funksion të projeksioneve kulturore, arsimore, ekonomike dhe përgjithësisht demokratike.

Pra regjistrimi duhet të jetë me të gjitha premisat një operacion objektiv për të nxjerrë numrin e qytetarëve në Maqedoninë e Veriut përtej tendencave për politizim. Mbetet të shihet nëse kësaj radhe do të arrihet që përfundimisht të kemi një regjistrim të besueshëm jashtë lojërave të zakonshme politike

Të fundit