Shkruan: Muhamet MJEKU / SHBA
Shqiptarët, duke qenë të sunduar nga pushtues të ndryshëm, lanë pas një histori dramatike në ecjen e tyre në shekuj. Në këtë rrugëtim të gjatë, ata u ndeshën me peripeci të lloj-llojshme që rrallherë mund t’i gjesh edhe në literaturë fiktive apo në skenarë filmash. Rasti më poshtë është një karakteristikë.
***
Në Shalë të Bajgorës Ukshin Kovçica, Ahmet Selaci dhe Bislim Bajgora, kundërshtuan me forcë të armatosur pushtimin e Kosovës gjatë vitit 1945-1947, derisa ranë heroikisht për idealin e tyre që Kosova të hiqte prangat e pushtimit serb. Kësaj rezistence iu bashkua edhe djali i Ukshin Kovaçicës, Hashimi, i cili kishte një vajzë të fejuar në Gllamnik të Llapit. Në një bisedë që kam pasur me Nuhi Bajgorën në vjeshtën e vitit 1990, më pat rrëfyer, përveç tjerash, edhe për rastin e djalit të Ukshinit.
“Ai e kishte të zënë nusen në Gllamnik të Llapit. Mirëpo, për shkak të rezistencës që bëhej në Shalë të Bajgorës dhe në disa vise të tjera të Kosovës, nuk ishte e mundur të bëhej martesa”. Një ditë në këtë kohë, tregon Nuhi Bajgora, takova mikun në pazar të Prishtinës, i cili më tha se duhet të vini ta merrni nusen, edhe pse babë e bir, ishin duke rezistuar në malet e Kovaçicës kundër forcave të OZN-së dhe UDB-së (1945-1947).
“Unë, pa e pyetur Ukshinin as djalin e tij, shkova te miku në Gllamnik, e mora nusen dhe e çova në Kovaçicë dhe nga aty në malet ku ishin të strehuar ata dy në një bunker. E dija vendin ku ishte në një faqe mali, nga mund të shihej çdo lëvizjeje, në rast sulmi. Atë ditë binte borë, e zgjodha këtë ditë se mundësitë për të takuar dikë rrugës ishin të vogla. Era e përzirë me borë, një lloj furtune, zhdukte gjurmët që mos të zbuloheshim nga OZNA dhe nga ndonjë sy i lig që fatkeqësisht nuk ishin të pakët në atë kohë të keqe. Kur iu afrova vendit ë tyre si në shaka, Ukshini më tha: “Ku ke pa dasmë pa krushq, o Nuhë!”. I thashë, burrat bëjnë dasmë në shtëpi, por edhe në mal”.
Nusja ndejti plot 15 ditë në bunker por, për shkak të rrethanëve të rrezikshme që u krijuan, e kthyem në Kovaçicë te familja e Ukshinit, më tha Nuha, duke kujtuar këtë moment të rëndë të jetës së tij.
Ukshini depërtonte natën deri tek shtëpia dy-tri herë në javë për të marrë ushqim. Nuk i besonte askujt veç njërit që në fund i doli një mashtrues.
Vinin ditë të vështira. Vendi ku strehoheshin babë e bir, kishte indikacione se është diktuar nga OZNA dhe bashkëpuntorët që kishte ky shërbim serbo-jugosllav. Ukshini bëri lëvizje bashkë me djalin dhe shokun e tij të pandashëm Smail Sfarça drejt fshatit Vllahi, ku u bashkua me grupin e Ahmet Selacit dhe me dy nipat e Isa Boletinit, Isufin dhe Faikun me shokë. Pas një rezistence të jashtëzakonshme, më 18 e 19 shkurt të vitit 1947 ranë heroikisht në këtë zonë të Shalës, duke lënë të vrarë disa krerë të OZN-së dhe bashkëpunëtorë të këtij shërbimi famëkeq. Këtu ra edhe djali i Ukshinit, që s’ iu nda asnjëherë babait të tij deri në flijm.