Lideri Abazoviq, shkruan autori, është lidership në Ballkan, prej të cilit do të dalin leksione në të ardhmen; vizion, pragmatizëm dhe transparencë, në mënyrë që liderët e ardhshëm të ndjekin doktrinën dhe diskursin politik në rajon.
Shkruan: MERXHAN JAKUPI
Pas Luftës së Dytë Botërore, në periudhën e “luftës së ftohtë”, më se dyzet vjet gjysma e kombit shqiptar në Shqipërinë londineze jetonte nën një regjim më bizar dhe të egër, bastion stalinist, ndërsa gjysma tjetër nën Jugosllavinë e Titos, po ashtu të shtypur dhe si qytetar të rendit të dytë. Shqiptarët nën Jugosllavinë e Titos konsideroheshin si popull i prapambetur, duke mbetur të margjinalizuar dhe të diskriminuar. Jugosllavët ishin faktor në rajon, ndërsa në Evropën perëndimore popujt jugosllavë kishin imazh, reputacion dhe kredibilitet. Ata në Evropën perëndimore merrnin pjesë në fusha të ndryshme të jetës.
Pas luftës së ftohtë dhe shembjes së komunizmit, tri dekadat e fundit, shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë Veriore dhe provincat e tjera janë bërë faktorë në Ballkan, BE dhe SHBA. Siç ishin jugosllavët në periudhën e luftës së ftohtë, sot shqiptarët në Ballkan dhe botën perëndimore, në BE dhe SHBA kanë arritur të bëhen figura të njohura në shumë horizonte: muzikë, sport, biznes dhe fusha të tjera.
* * *
Një ndër figurat dhe personalitetet në Ballkanin perëndimor është lideri politik karizmatik në Mal të Zi, Dritan Abazoviq (Abazi). Ky politikan i ri, gjatë zgjedhjeve të vitit të kaluar në Podgoricë, tronditi shtypin, medien dhe rrjetet sociale në Ballkan e më gjerë. Dritani është lider i një subjekti politik. Nga ky lider, hiper-politikan varej e ardhmja dhe stabiliteti në Mal të Zi dhe rajon. Pas pavarësisë së Malit të Zi, lideri dhe kryeministri i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, u bë një ndër kundërshtarët më të rreptë të agjendës dhe diskursit të tij, i cili ishte bërë aleat me ish-republikat jugosllave, njohu pavarësinë e Kosovës, madje ky lider ultranacionalist e unitarist, ia tregoi dhëmbët e luanit dhe u bë kancer malinj për Beogradin dhe Banjallukën. Partitë opozitare serbe, fronti demokratik por-serb dhe pro-rus nga Beogradi, shfrytëzoheshin si marionetë që, pas fitores, qeveria e re e Malit të Zi, pro-serbe dhe pro-ruse, të jetë satelite dhe qeveri kukullash.
Në zgjedhjet e fundit, opozita në Mal të Zi nuk mund të fitonte shumicën e votave dhe në fund topin e kishte një lider i ri karizmatik shqiptar, Dritan Abazoviq. Kryeministri Milo Gjukanoviqi, këtij lideri prej të cilit varej fati i Malit të Zi, nëse do të vazhdojë drejt perëndimit dhe integrimit në BE ose do të kalojë në aleancë me Serbinë apo me Moskën, i ofroi edhe postin e kryeministrit, për t’u bërë pjesë e koalicionit të qeverisë së tij. Sipas disa të dhënave konfidenciale, Dritanit i janë ofruar edhe shuma marramendëse në valuta, pasuri të patundshme, vila, makina luksoze dhe top-femra modele.
Dritani, një kundërshtar i Gjukanoviqit, në opinionin publik shqiptar etiketohej dhe akuzohej se po mbështet politikën e Beogradit dhe se është një politikan pro-serb. Dritani, për të qenë pjesë e koalicionit të opozitës së Malit të Zi, kërkoi disa kushte. Një ndër to ishte që kjo qeveri të vazhdojë estabilishmentin dhe agjendën e politikës së jashtme, kundër pretendimeve për tërheqjen e njohjes së Kosovës. Në fund, formimi i një qeverie ekspertësh, ku Mali i Zi do të vazhdojë procesin e integrimit në BE, bashkë me reformat dhe mëkëmbjen ekonomike, si dhe të investimeve. Dritani u bë hero dhe ikonë në Mal të Zi dhe i dashur në disa ish-republika jugosllave.
Madje, në disa media serbe, kroate dhe boshnjake shpesh hasej sintagma: “Të kishim një lider karizmatik, siç është politikani shqiptar, Dritan Abazoviq, ndërsa në opinion serb dëgjohej fraza: “Sikur të ishte serb Dritan Abazoviqi!”
Një gazetar i gazetës “Frankfurt Allgemeine Zeitung”, kishte pyetur Dritanin, po t’i ofrohej posti për kryeministër ose president, a do ta kishte pranuar, apo, po të kishte ofertë për bashkëngjitje opozitës më relevante Vetëvendosja në Kosovë. Dritani kishte deklaruar se ishte shqiptar, por edhe qytetar dhe shtetas i Malit të Zi, ndaj dhe dëshiron të kontribuojë në procesin e integrimit të vendit në BE dhe me këtë më së miri do të kontribuonte në zhvillimin e komunave me shumicë shqiptare, në mënyrë që të investohej më shumë dhe të ndalohej ikja e shqiptarëve nga vendbanimet e tyre me shumicë shqiptare, siç janë Ulqini, Tuzi etj.
Edhe gazeta Die Zeit shkruan se një subjekt politik, alternativa qytetare, parti qytetare, siç është partia URA e liderit Dritan Abazoviq në Mal të Zi, një të tillë ka nevojë ta kenë edhe në Bosnjë dhe Maqedoninë e Veriut. Lideri Abazoviq, shkruan autori, është lidership në Ballkan, prej të cilit do të dalin leksione në të ardhmen; vizion, pragmatizëm dhe transparencë, në mënyrë që liderët e ardhshëm të ndjekin doktrinën dhe diskursin politik në rajon.
BEOGRADI PRISTE TËRHEQJEN E NJOHJES SË KOSOVËS NGA MALI I ZI
Beogradi dhe Banjalluka, me fitoren e opozitës dhe frontit demokratik pro-serb, kanë pritur ndryshime në Mal të Zi. Si premtim i partive opozitare pro-serbe dhe pro-ruse, kanë pritur që qeveria e re të tërheq njohjen e Kosovës, ndryshimin e simboleve, flamurit dhe himnit. Beogradi ka pasur shpresa se situata jo stabile dhe e brishtë, qytetarët e ndarë në dy taborë, në fund Mali i Zi që ka qenë faktor gjeostrategjik, ekonomik e politik për Serbinë, do të kthehej e bëhej një satelit dhe aleat, në boshtin ortodoks Beograd-Banjallukë-Podgoricë.
Shumica e analistëve dhe opinioni publik mendojnë se po të mos pavarësohej Mali i Zi në vitin 2006, do ta kishte më vështirë pavarësimin edhe Kosova. Sipas tyre, madje edhe diplomatëve perëndimorë, dalja e Malit të Zi nga Jugosllavia e mbetur e Millosheviqit, sikur i dha dritë jeshile edhe për pavarësinë e Kosovës. Kishte zëra dhe dilema brenda bashkësisë ndërkombëtare, nëse duhej të mbështetej një federatë apo konfederatë mes Serbisë, Malit të Zi dhe Kosovës.
DRITAN ABAZOVIQI U NGRIT NË NJË POLITIKAN IDHULL
Qeveria e re në mënyrë eksplicite po vazhdon me mos ndryshimin e politikës së jashtme, me mos tërheqjen e pavarësisë së Kosovës, ku si protagonist po del Dritan Abazoviqi. Beogradi dhe Moska kanë mbetur të zhgënjyer, duke menduar se pas ardhjes në pushtet të opozitës pro-serbe dhe pro-ruse, Mali i Zi do t’ia kthejë shpinën Perëndimit. Një ndër shkaqet që qeveria e re nuk u bë vasal, promotor, për mos kthimin nga Beogradi, Banjalluka dhe Moska, gjithsesi se ishte partia URA, me liderin Dritan Abazoviq.
Sipas disa medieve dhe analistëve politikë, Dritani mund ta ketë fatin e keq si lideri demokrat serb, Zoran Xhinxhiq, i cili pësoi nga një atentat. Dritani vetë ka pranuar se ka kërcënime telefonatash anonime të grupeve sekrete radikale dhe ekstremiste serbe. Ata janë të zhgënjyer, të frustruar nga prishja e projekteve dhe planeve, që, edhe pas largimit nga skena politike e Gjukanoviqit, po del një protagonist tjetër dhe ky është pikërisht shqiptari Dritan Abazoviq, ndaj të cilit shumica e serbëve kanë një urrejtje patologjike, albanofobi, sikundër ndaj të gjithë shqiptarëve në Ballkan.
Në anën tjetër, nga një pjesë e opinionit publik shqiptar ndaj Dritan Abazoviqit ka paragjykime, etiketime, intriga se është pro-serb e pro-sllav. Më së shumti këto dyshime vijnë nga mbiemri i tij Abazoviq. Dihet që prapashtesa – iq dhe viq tek mbiemrat e shqiptarëve kanë mbetur si relikte asimilimi nga ish-Jugosllavia, që mund të vërehen edhe në disa pjesë të Maqedonisë së Veriut, me prapashtesën – ski ose ov, si në disa fshatra të komunës së Velesit, Prilepit, Manastirit, Krushevës etj., sikundër edhe tek shqiptarët e Malit të Zi, si në Plavë, Guci, madje edhe në Tuz e Ulqin etj., ku një pjesë e popullatës është asimiluar në boshnjakë.