E mërkurë, 9 Korrik, 2025

Analisti Bardhyl Zaimi: Ja pse politizohet regjistrimi

Bardhyl Zaimi, analist, thotë se ka një tendencë nga disa subjekte politike për ta politizuar çështjen e regjistrimit, që ta kthejnë nga rrafshi i metodologjive objektive rigorozisht të përcaktuara në një arenë mobilizimesh populiste. Sipas tij, janë parti të opozitës maqedonase që tentojnë ta shndërrojnë çështjen e regjistrimit në një kauzë për përfitime politike, duke akuzuar për marrëveshje ndërmjet partnerëve të koalicionit për përqindje paraprakisht të dakorduar. “Me gjasë ky politizim do të vazhdojë për të krijuar një lloj mosbesimi ndaj procesit të regjistrimit. Sidoqoftë, përveç dimensioneve tjera që ndërlidhen me praninë autentike të shqiptarëve në Maqedoninë Veriut, çështja e regjistrimit ndërlidhet edhe me definimin problematik dhe nënçmues të shqiptarëve në kushtetutë si 20 përqindësh, që mbetet një problem real për t’u zgjidhur. Dikush gabimisht i kupton të drejtat e shqiptarëve dhe ardhmërinë dhe kohezionin shtetëror nën hijen e përqindjeve, të japësh apo të marrësh të drejta. Ky nuk duhet të jetë një koncept në ndërtimin e shtetit për shkak se shqiptarët janë entitet historik, kulturor dhe gjuhësor që kanë legjitimitet historik dhe të drejtat e tyre burojnë nga kjo premisë pranie të padiskutueshme historike dhe bashkë me këtë edhe premisë e ndërtimit të një shteti të përbashkët evropian me paradigmat tashmë të njohura të interkulturalitetit”, ka theksuar Zaimi duke shtuar se ky fakt pastaj determinon idenë e objektivitetit pa asnjë politizim të regjistrimit në funksion të projeksioneve kulturore,arsimore, ekonomike dhe përgjithësisht demokratike.

huazuar nga Koha mk

Të fundit