Ka nisur në A2 këtë të hënë emisioni më i ri “Absolut 4”, ku të ftuar janë sekretari i përgjithshëm i PS, Taulant Balla, ai i PD, Gazmend Bardhi, si dhe analistët Lutfi Dervishi dhe Afrim Krasniqi.
Në nisje të emisionit, Taulant Balla u pyet për procesin e vaksinimit në vendin tonë dhe “zemërimin” me Bashkimin Europian. Balla u shpreh se aktualisht 10 vende kanë marrë 95% të vaksinave. Ai tha se BE duhet të ishte treguar më solidare.
“Kemi pasur dakordësi të plotë për miratimin e aktit normative prej të cilit përfitohet vaksina, e cila do të jetë falas. Besoj se kjo çështje nuk duhet të bëjë politik. Më ka bërë përshtypje diskutimi se nga erdhi vaksina, ku hyri, si hyri? E rëndësishme është që ne jemi sot krahas vendeve anëtare të BE, në të njëjtën fazë me ata për të mbrojtur ata që janë në vijën e parë të frontit.
Sot, 95 % e vaksinave ndodhen vetëm në 10 vende të botës. Besoj që biem të gjithë dakord që në këtë aspekt, BE duhet të ishte treguar më solidar. Sa kohë që vendet e Ballkanit Perëndimor janë vende që ose kanë marrë statusin e vendit kandidat ose janë duke firmosur marrëveshjen e stabilizim-asociimit, për 23 milionë banorë, unë mendoj se në duhet të ishin përfshirë. Bëhet fjalë për një çështje fryme”, u shpreh Balla.
Krasniqi: Mazhoranca nuk e ka sjellë ndryshimin, por është fat për të pasi s’ka opozitë
I ftuar në emisionin “Absolut 4” në A2, analisti Afrim Krasniqi komentoi punën e këtij parlamenti dhe të qeverisë gjatë këtyre 7 viteve.
Ai u shpreh se është lajm i mirë për vendin që sot ka nisur sezoni i fundit parlamentar, pasi sipas tij, legjislatura aktuale ka qenë një nga më të dobëtat në histori.
“Sot ishte fillimi i sezonit të fundit parlamentar dhe ky është një lajm i mirë për shqiptarët që një pjesë e deputetëve nuk do të jenë më pjesë në parlament sepse politika përfaqësuese në Shqipëri ka prekur fundin. Legjislatura aktuale ka qenë një nga më të dobëtat në historinë e tranzicionit shqiptar”, u shpreh Krasniqi.
Ne jemi i vetmi vend në historinë moderne të Europës, ku opozita dorëzon mandatet dhe i vetmi vend ku mazhoranca fiton 74 mandate dhe e mbyll me 95 mandate. Kjo ka ardhur për shkak të trafikut të lirë me deputetët e ardhur nga listat e opozitës. Asnjë nga reformat e mëdha nuk ka marrë zgjidhje. Vendimi më i rëndësishëm që është marrë është ndryshimi kushtetues. Ndoshta është parlamenti që ka ushtruar më pak kontrollin kushtetues mbi pushtetin ekzekutiv. Ka qenë krejt e kundërta.
Mazhoranca ka pasur një bilanc pozitiv në mandatin e parë, ndërsa mandati i dytë është konsum pushteti, sidomos në rastin e PS-së. Në këto rrethana nuk mund të flasim për program qeverisës, pasi nuk kemi as objektiva dhe asgjë të shkruar”.
Krasniqi theksoi se kjo mazhorancë nuk ka pse kërkon një mandatë të tretë, pasi nuk solli ndryshim gjatë kësaj periudhe. Në anën tjetër, ai u shpreh se është fat për mazhorancën, pasi vendi nuk ka opozitë. “Për shkak se të gjitha pushtet janë njësuar në grupe familjare, lobiste e grupe kontrolli, nuk ka më politik në Shqipëri. Ne flasim për mandat të tretë. Mandati kërkohet për të sjellë ndryshime për vendin, por mazhoranca e kishte këtë mundësi dhe nuk ka sjellë gjë. Fati i madh i mazhorancës është se Shqipëria nuk ka opozitë. Në këto rrethana është luks i madh sot të bëhet politik në Shqipëri, për sa kohë të gjithë vendimet merren dhe janë të ligjëruara”, tha Krasniqi.
https://a2news.com/emisione/absolut4/