Se çka kërkon qeveria bullgare nga Shkupi si duket nuk arrin ta kuptojë as kryeministri Zaev. Por, mund të dy jenë motivet për këtë ndryshim drastik të politikës së Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut: i pari – ndikimi dominues rus në politikën bullgare dhe i dyti – zgjedhjet parlamentare që pritet të mbahen në mars të vitit 2021.
Autor: Xhelal NEZIRI
Me veton bullgare ndaj nisjes së bisedimeve anëtarësuese me Bashkimin Evropian (BE), Maqedonia e Veriut po ballafaqohet me bllokadën e tretë radhazi në rrugën e saj euro-integruese. Nga viti 2008 e deri në vitin 2017 ishte Greqia ajo që përdorte të drejtën e vetos në NATO dhe BE për të pamundësuar vendin të arrijë këto qëllime strategjike, të vëna në themelet e shtetit që nga viti 1991. Me nënshkrimin e Marrëveshjes së Prespës me Greqinë më 17 qershor të vitit 2017, e cila përcaktoi emrin e ri të shtetit për përdorim të përgjithshëm (të jashtëm e të brendshëm), autoritetet e vendit menduan se bllokadat abstrakte do t’i takonin së kaluarës.
Por, në vend të datës për takimin e parë ndërministror, që do të shënonte fillimin e bisedimeve për anëtarësim, Shkupi u befasua me një frenim tjetër të papritur: në vitin 2019 Franca e ngriu procesin e nisjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut shkaku i metodologjisë, e cila sipas saj ishte e vjetruar dhe nuk jepte rezultate. Metodologjia grumbulloi 35 kapitujt në 6 kllastere dhe e bëri procesin të kthyeshëm në rast të cenimit të vlerave të arritura demokratike dhe të parashikueshëm, varësisht nga vullneti për reforma i qeverive të vendeve aspirantë. Kjo metodologji u vlerësua e mirë, si për Brukselin, ashtu edhe për vendet kandidate për anëtarësim, por mbeti e hapur dilema për motivin e kësaj bllokade nga ana e Francës. Disa e vlerësuan si tentim të presidentit Emanuel Macron që ta kthejë mbështetjen brenda Francës, ku e djathta ekstreme e Marine Le Penit fiton terren politik me agjendën anti-emigrante, ndërsa të tjerë e panë këtë veprim si një kundërshtim ndaj kancelares gjermane, Angela Merkel, e cila gjithnjë e më shumë merr një rol vendimtar në BE.
Metodologjia e re, megjithatë, nuk i eliminoi të gjitha pengesat. Në mars të po këtij viti Këshilli Evropian i dha dritë jeshile fillimit të procesit bisedues, por në dhjetor Sofja nuk lejoi që Shkupi të fillojë bisedimet shkaku i moszbatimit të Traktatit të Miqësisë dhe Fqinjësisë së Mirë nga ana e autoriteteve maqedonase. Njëjtë si në rastin e Greqisë, si shkas u mor një mosmarrëveshje tridhjetëvjeçare, e cila po ashtu ka rrënjë në të kaluarën jo të largët të vendit.
E vërteta për “të birësuarit”
Gjatë vitit 2016, kur në pushtet në Shkup erdhi qeveria e kryeministrit Zoran Zaev, ishin intensifikuar përpjekjet për mbylljen e përhershme të problemit me Greqinë, i cili kishte të bëjë me emrin “Maqedoni”, që mbante shteti. Ky rajon gjeografik, me një histori të bujshme, sot shtrihet në katër shtete: Maqedoni të Veriut, Greqi, Bullgari dhe një pjesë në Shqipëri. Andaj, për emrin e ri të shtetit, përveç Greqisë, ishin të përfshira të gjitha shtetet që kanë hise në këtë hapësirë gjeografike. Zgjidhja “Maqedoni e Veriut” sikur kënaqte pozicionin grek për emër me përcaktim gjeografik, por kishte ngjallur rezerva në Sofje. Historianë dhe politikanë bullgarë kishin alarmuar se ky emër, në fakt, parasheh pjesë veriore të Maqedonisë si gjeografi, ku bën pjesë edhe Pirini, që i takon Bullgarisë. Për këtë shkak Bullgaria insiston që të përdoret emri i plotë “Republika e Maqedonisë së Veriut”, që precizon qartë shtetin e jo gjeografinë.
Përveç kësaj, Bullgaria është ndjerë e anashkaluar nga Shkupi edhe në aspektin politik dhe ekonomik, sidomos në rastet e interesave të kompanive bullgare në vend.
Por, është aspekti etno-kulturor dhe historik që e bën këtë kontest mbase dhjetëfish më të rëndë për t’u zgjidhur sesa ai me Greqinë. Nëse Greqia nuk e pranonte identitetin politik (kombin gjeografiko-qytetar) të shtetasve të Maqedonisë së Veriut, Bullgaria nuk e pranon etninë, popullin dhe qenësinë maqedonase. Më saktë, Sofja u thotë maqedonasve etnikë se “ju nuk jeni ju”. Narrativi i Bullgarisë thotë se gjuha maqedonase është krijuar nga Jugosllavia e Titos në vitin 1945 mbi dialektin bullgar. Kjo është një goditje drejtpërdrejt mbi shtyllën kryesore identitare. Gjuha është tipari përbashkues për një grup njerëzish, që i bën të dallueshëm nga të tjerët. Gjuha është shtyllë kryesore e shumë etnive (popujve), përfshirë këtu edhe shqiptarët. Së këndejmi, porosia e bllokadës bullgare drejt maqedonasve është: “ju jeni bullgarë, ju ka asimiluar Jugosllavia!”. Është një qasje si ndaj një fëmije të birësuar, të cilit në një moshë të caktuar vendoset t’i tregohet e vërteta për prindërit.
Pse Traktati nuk e zgjodhi problemin?
Traktati i Miqësisë dhe Fqinjësisë së Mirë, i nënshkruar një vit para Marrëveshjes së Prespës, nuk e zgjidhi problemin maqedonaso-bullgar, por vetëm se i obligoi Shkupin dhe Sofjen që nëpërmjet një qasjeje gjithëpërfshirëse ta tejkalojnë kontestin. Në fakt, Bullgaria e ka njohur ndër të parat pavarësinë e Maqedonisë së Veriut, por e ka kontestuar ekzistimin e gjuhës maqedonase dhe historisë së popullit maqedonas para vitit 1944.
Neni 8 i Traktatit ka të bëjë drejtpërdrejt me zgjidhjen e këtyre mosmarrëveshjeve nga një Komision i përbashkët, i përbërë nga historianë dhe ekspertë, duke u bazuar vetëm në të dhënat historike dhe me qasje shkencore. Paragrafi i parë i nenit thotë se “të dy Palët Kontraktuese do të inkurajojnë bashkëpunimin e tyre aktiv dhe të papenguar në fushat e kulturës, arsimit, kujdesit shëndetësor, politikës sociale dhe sporteve”. Paragrafi i dytë qartëson se “me qëllim forcimin e besimit të tyre të ndërsjellë, jo më vonë se tre muaj nga hyrja në fuqi e këtij Traktati, të dy Palët Kontraktuese do të krijojnë, mbi baza pariteti, një Komision të Përbashkët Ekspertësh për Çështjet Historike dhe të Edukimit, që synon të kontribuojnë në interpretimin objektiv, shkencor të ngjarjeve historike, të bazuara në burime historike autentike dhe të bazuara në prova. Komisioni do t’u dorëzojë qeverive të të dyja Palëve Kontraktuese një raport vjetor për punën e tij”. Ndërkaq, paragrafi i tretë i këtij neni thotë: “Me një marrëveshje të ndërsjellë, të dy Palët Kontraktuese do të organizojnë kremtime të përbashkëta të ngjarjeve dhe personaliteteve të përbashkëta historike, me qëllim të forcimit të marrëdhënieve të tyre të fqinjësisë së mirë, në frymën e vlerave evropiane.”.
Me këtë dokument palët janë obliguar që të mos mbështesin aksione dhe propagandë armiqësore ndaj njëra-tjetrës, me ç’rast Bullgaria obligohet ta ndihmojë Maqedoninë e Veriut në përmbushjen e qëllimit të saj për t’u bërë anëtare e NATO-s dhe BE-së. Madje, është formuar edhe një komision ndër-ministror i nivelit të lartë, i cili obligohet të mblidhet një herë në vit për ta vlerësuar dinamikën e implementimit të Traktatit.
Në Traktat gjuha maqedonase është e definuar si “gjuha zyrtare siç është e përcaktuar në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, por i njëjti formulim përdoret edhe për gjuhën bullgare. Me ndryshimet kushtetuese, që burojnë nga Marrëveshja e Prespës me Greqinë, gjuha maqedonase definohet si një nga gjuhët e sllavëve të jugut, me qëllim që të bëhet e qartë se e njëjta nuk ka asnjë lidhje me gjuhën e maqedonasve antikë.
Menjëherë pas ratifikimit të Traktatit në dy parlamentet përfaqësuese, kryeministrat e dy vendeve – Bojko Borisov dhe Zoran Zaev – në gusht të vitit 2018 e kremtuan bashkë festën e Ilindenit dhe e nderuan figurën e Goce Dellçevit. Ishte hera e parë që kryeministrat e dy vendeve të nderojnë ngjarje dhe figura historike, për të cilat secila palë mëton se i takojnë ekskluzivisht asaj.
Para se ta bllokojë nisjen e bisedimeve, Parlamenti në Sofje kishte miratuar unanimisht një Memorandum që ia dërgoi BE-së. Aty kërkohej nga Shkupi që ta respektojë Traktatin. Bullgaria kërkonte që obligimet e marra nga Traktati të jenë pjesë e kornizës biseduese të BE-së në takimin e parë ndërministror midis Brukselit dhe Shkupit, që ishte paraparë të mbahej në dhjetor të vitit 2020.
Në këtë dokument Sofja këmbëngul se gjuha maqedonase është prodhim politik i Jugosllavisë dhe se gjatë përdorimit të këtij termi të përdoret me asterisk (yll), i cili do të qartësonte se kjo gjuhë është “…në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut”. Kjo, në fakt, është në përputhje me Traktatin e Miqësisë dhe Fqinjësisë së Mirë. Në Memorandum gjithashtu shkruhet se, para formimit të Jugosllavisë, gjithë popullsia sllave në këtë rajon është vetidentifikuar me përkatësi etnike bullgare, ka folur në një nga shtatë dialektet e kodifikuara bullgare, ndërsa gjuha maqedonase, mbi të cilat konstruktohet edhe etnia, kanë qenë prodhim i Beogradit dhe Serbisë.
Deri në dhjetor, kur u mbajt mbledhja e Këshillit Evropian për Çështje të Përgjithshme, Qeveria e Maqedonisë së Veriut bëri çmos që ta bindë Sofjen ta tërheqë veton: hoqi mbishkrimet nga monumentet historike ku shkruhej “okupatori fashist bullgar”, ktheu disa statuja të veprimtarëve bullgarë, i vendosi si prioritet projektet infrastrukturore të Korridorit 8, ofroi miratimin në parlament të një deklarate ku vendi obligohet që mos përzihet në punët e brendshme të Bullgarisë, shprehu gatishmëri për publikimin e protokolleve për të cilat janë marrë vesh anëtarët e Komisionit (Shën Kliment Ohridski dhe Qirili dhe Metodij, si figura të historisë së përbashkët), u tregua e gatshme që hapësira ajrore e vendit të ruhet nga forcat bullgare si anëtare e NATO-s, shfaqi gatishmëri për restaurimin e monumenteve dhe varrezave bullgare dhe miratimin e një ligji për zhdëmtimin e viktimave të komunizmit në Maqedoni, ku Sofja pretendon se ka pasur shumë bullgarë që kanë refuzuar “të konvertohen” në maqedonas. Të gjitha këto pika janë pjesë e “Non Paper”-it, të cilin në fillim të dhjetorit autoriteteve në Sofje ua dorëzoi Vllado Buçkovski, i dërguar special i vendit në Bullgari.
Ku qëndron problemi?
Edhe pas gjithë këtyre përpjekjeve, Sofja nuk hoqi dorë nga vetoja. Zaevi u shpreh i dëshpëruar dhe i lënduar nga “vëllezërit bullgarë”. Tha se kjo nuk është miqësi, aq më pak vëllazëri. Vendet e rajonit, si Kosova dhe Serbia, u demotivuan të bëjnë kompromise të rënda për perspektivën evropiane. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, duke marrë shembullin e Maqedonisë së Veriut, që e ndërroi edhe emrin për euro-integrime, tha se BE-ja nuk do ta anëtarësojë Serbinë edhe nëse e pranon Kosovën.
Se çka kërkon qeveria bullgare nga Shkupi si duket nuk arrin ta kuptojë as kryeministri Zaev. Por, mund të dy jenë motivet për këtë ndryshim drastik të politikës së Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut: i pari – ndikimi dominues rus në politikën bullgare dhe i dyti – zgjedhjet parlamentare që pritet të mbahen në mars të vitit 2021.
Si anëtare e 30-të e NATO-s, Maqedonia e Veriut nga Rusia dhe Kina shihet si “thembra e Akilit” e Aleancës. Bllokada për nisjen e bisedimeve me BE i krijon sërish hapësirë manovrimi Rusisë. Autoritetet në Moskë nuk ishin aq të lumtura me Marrëveshjen e Prespës, andaj tentuan ta minojnë referendumin dhe ndryshimet kushtetuese për miratimin e saj, kjo nga shkaku se zhbllokohej integrimi i Maqedonisë së Veriut në strukturat euroatlantike, gjë që e minimizon ndikimin rus në vend.
Rezultatet nga Traktati me Maqedoninë e Veriut, ndërkohë, e kanë ndihmuar qeverinë e Bojko Borisovit dhe Krasimir Karakaçanovit, që ta përmirësojë shkallën e mbështetjes, në një kohë kur gati tërë Bullgaria ballafaqohej me protesta masive. Mijëra protestues e akuzonin qeverinë për korrupsion dhe mbrojtje të oligarkëve. Gjithçka filloi më 7 gusht, kur Hristo Ivanov – lider i një partie të vogël centriste – u ndalua të shkojë në një nga plazhet e Detit të Zi, pasi qeveria ia kishte dhënë me koncesion ish-politikanit nga pakica turke, Ahmet Dogan. Reagimi i Ivanovit e mori edhe mbështetjen e presidentit të shtetit, Rumen Radev, i cili në këtë posti u zgjodh në vitin 2016 si kandidat i Partisë Socialiste Bullgare, që aktualisht është opozitë e GERB-it djathtist të Borisovit. Pas këtij reagimi, prokurori publik bullgar, Ivan Geshev, ndërmori aksion, duke u futur në kabinetin e presidentit dhe duke arrestuar dy anëtarë të tij. Ky aksion u pa si hakmarrje politike e Borisovit ndaj Radevit, gjë që i motivoi edhe më shumë protestuesit. Kriza politike u thellua kur u publikuan të dhëna se prokurori Geshev ka lidhje me Doganin dhe se përfiton nga mbështetja që i jep GERB-it. Radevi dhe Partia Socialiste Bullgare, që përbën opozitën, shquhet për lidhje të mira me Moskën. Ndërkaq, Borisovi, i cili drejton të djathtën GERB, ka preferuar më shumë lidhjen me Gjermaninë dhe SHBA-të, edhe pse shpesh ka ditur të kalkulojë edhe me Rusinë.
Interesi shqiptar
Problemi me Bullgarinë është ekskluzivisht etnik maqedonas, që nuk i prek drejtpërdrejt shqiptarët dhe etnitë e tjera. Andaj, ka politikanë e historianë shqiptarë që preferojnë të ndenjurit anësh. Faktorët politikë të shqiptarëve etnikë në Maqedoninë e Veriut qëndruan anash gjatë kohë në mosmarrëveshjen me Greqinë, edhe pse aty prekej edhe më shumë interesi i tyre si shtetas.
Edhe pse këtu nuk cenohet interesi etnik i shqiptarëve, megjithatë ka ndikim të madh negativ shtetëror ose politik. Bllokada për BE nuk është vetëm për maqedonasit etnikë. Aty janë të kapur në kurthet e historisë të gjitha etnitë, qytetarët që jetojnë në Maqedoninë e Veriut e që i mban gjallë ëndrra evropiane. Nga 2009 vendi ka marrë rekomandimin e parë për hapjen e bisedimeve për anëtarësim në BE, por deri më sot ende nuk e ka mbajtur as takimin e parë ndërministror. Ndërkohë, në vitin 2012 dhe 2014 Mali i Zi dhe Serbia filluan negociatat dhe tashmë kanë mbyllur disa kapituj.
Bashkimi Evropian (BE) i ka vendosur qartë mekanizmat e zgjerimit, ku kërkohet vota e çdo vendi anëtar, pra një konsensus i plotë. Ky mekanizëm e ka vënë në pozitë të njëjtë Maltën me afër 600 mijë banorë dhe Gjermaninë me 80 milionë banorë. Ideja e kancelares gjermane Merkel për një Evropë të dy shpejtësive duket se bëhet imperativ tani, kur Ballkani është afër dyerve të BE bashkë me armiqësitë e tyre shekullore. Njëjtë si metodologjia, duhet ndryshuar edhe peshorja e fuqisë politike dhe e drejta e vetos.
Ky tekst është shkruar për Revistën Shenja