Ndotja e ajrit veçmë ka nisur të shfaqet në disa nga zonat e kryeqytetit, ku banorët pranojnë se si lëndë të parë për djegie përveç druve përdorin edhe goma e material tjetër helmues. Kryeqendra e Maqedonisë së Veriut, Shkupi, por edhe Tetova, në tre vitet të fundit kanë qenë në krye të listave botërore sa i përket ndotjes së ajrit, respektivisht pranisë së grimcave PM-10, shumë herë mbi normat e lejuara.
Autor: Isnija Xhelili
Në Maqedoninë e Veriut është rikthyer sërish gjendja alarmante e ndotjes së ajrit. Prania e grimcave PM10 e ka kaluar kufirin e rrezikut dhe vazhdon të rritet dhe në të gjithë territorin e vendit vërehet një shtresë mjegulle nga ndotja, këtë e tregon edhe indeksi i cilësisë së ajrit, nga ministria e ambientit dhe planifikimit hapsinor. Gjendja është shumë shqetësuese dhe alarmante dhe qytetarët thithin ajër me grimca kancerogjene shumëfish nga normalja
Edhe pse e ngritur shumë herë si çështje, e njëjta duhet ngritur për të ndërgjergjësuar autoritet përgjegjëse që të fillohet sa me parë me masa që të mund të zbatohen menjëherë, të cilat këto do të kenë ndikim pozitiv në uljen e ndotjes se ajrit. Për këtë çështje intervistuam përfaqësues nga Eco Guerila, ‘’Nëna dhe Fëmija’’, mjeke të mjeksisë së përgjithshme dhe qytetarë.
“Edhe para COVID-it nuk kanë punuar me kapacitete të plota dhe është lehtë të gjenden arsyemtime shkaku i pandemisë, por mendoj se është mirë të gjejnë mënyra dhe jo arsyetime për të parandaluar djegien e deponive, ndotjen e ajrit, pasi ndonjëherë ndotja e ajrit i ndihmon përhapjes së virusit”, thotë Arianit Xhaferi ,antar nga shoqata “Eco Guerila”.
Ai me rëndësi e konsideron angazhimin e qeverisë dhe të organeve përgjegjëse të investojnë më shumë në ruajtjen e mjedisit jetësor, sidomos në mënyrën e ngrohjes së më shumë institucioneve, që në vend druve e thëngjillit, si lëndë djegëse për ngrohje të përdorin gazin natyror ndërsa fabrikat e shumta ndotëse të instalojnë filtra industrial.
Institucioneve përgjegjëse nuk iu dëgjohet zëri
Një anëtare e Lëvizjes për këtë çështje shpreh përpjekjet që kanë bërë për të ndërgjegjësuar institucionet përkatëse që të marrin masat e duhura , madje ajo tregon fushatën e bërë bashkë me nënat të cilat kanë qenë aktive në fusha të ndryshme duke iu bashkëngjitur edhe qytetarë të cilët luftonin për të drejtat e tyre me kushtetutë.
E pyetur se institucionet përgjegjëse ose dhe qeveria a kanë marrë ndonjë vendim të prerë për këtë çështje,ajo tha se: “Të gjithë muajin nëntor e kemi pasur me ndotje. 90 % të ditëve kanë qenë me mbi 100, kurse këta tre ditët e fundit janë me ndotje mbi 175 dhe në ketë situatë komuna është dashur duke u bazuar në vendimin që është marr vjet në dhjetor se, nëse ndotja dy ditë me radhë është mbi 175% me MP10 në metër kub atëherë duhet të merren masa urgjente me një plan strategjik për përmirësim të kualitetit të ajrit. Por këta as planin nuk e kanë edhe as nuk ndërmarrin masa.”, deklaroi Elmedina Abdullahu antare nga Shoqata “Nëna dhe Fëmija”.
Gjithashtu theksoi se: “ Me mijëra euro janë harxhuar për të mbuluar fondin e të sëmurëve, për pastrimin e pikave të kuqe, të gjitha këto të shkaktuara nga ndotja e këtij lloji. Nëse institucionet tona do të ishin të ndërgjegjshme, atëherë sigurisht që në kohë do të kishim një zgjidhje. Por meqënëse nuk janë në nivel të tillë, ju bëj apel qytetarëve që të gjitha ato familje që kanë mundësi që nga ngrohja tradicionale ajo e drurëve apo edhe ajo me naftë e qymyr të kalojnë në nxemje me rrymë, ku shumë më pak harxhojnë. Të shmangin qarkullimin me vetura në qytet, të mos ndezin mbeturinat, në mënyrë që të gjithë të kontribojmë për ruajtjen e ambientit tonë sepse ky ambient, është i të gjithë ne pavarsisht asaj se institucionet ose persona të caktuar nuk duan të dinë për këtë gjë”, përfundon ajo.
Alarmi i mjekëve: Ajri i ndotur, rrezikim i shëndetit
“Një ndotje e këtillë shihet si rrezik potencial për shëndetin e njeriut dhe ata të cilët e ndjejnë më shumë janë personat me sëmundje kronike, fëmijët.Problem tjetër është sepse ka disa sëmundje që janë të lidhura me ndotjen e ajrit e pastaj janë faktorë për paraqitjen e sëmundjeve si kanceri, sëmundjet e zemrës, të mushkërive, astma, bronkiti, alergji të ndryshme” shprehet Lulije Ibraimi -mjeke e përgjithshme. Ajo rekomandon: që në ditët me ndotje të lartë të mos dilet në ambiente të hapura dhe të vëndojnë maska për të parandaluar thithjen e ndotur, si dhe per tu mbojtur gjithashtu edhe nga semundja e perhapur siç është COVID-19.
Për tu përballur më lehtë me ndotjen e ajrit, mjekët japin këshilla nga më të ndryshmet ku mes tjerash rekomandojne: përdorim të ushqimit të shëndetshëm dhe vitaminës C, stërvitjet të kryhen në parqe dhe jo në ambiente përreth rrugëve dhe atë herët në mengjes ose vonë në mbrëmje si dhe të shmanget ecja në këmbë ose me biçikletë në rrugët e mbingarkuara në trafik ku niveli i ndotjes është më i lartë.
Qytetarët të shqetësuar për shëndetin, kërkojnë zgjidhje sa më parë
Qytetarët e anketuar shprehen të revoltuar me institucionet e shtetit tonë duke thënë se duan zgjidhje sa më parë.
Kadri Xhelili qytetar i pyetur për këtë shprehet i shqetësuar për nivelin e lartë të ndotjes së ajrit i cili po përsëritet vazhdimisht dhe askush nuk po ndërmerr masa përkatëse dhe të duhura për këtë problematikë. “ Sikur të ishim në një shtet normal kjo do të ishte harruar por shteti ynë si duket nuk i intereson kjo dhe shikon vetëm tenderët dhe jemi dëshmitar të aferave të ndryshme korruptive, turp për ta. Situata është e qartë nuk duhet që një rezultat të tillë të na tregojnë matësit e ndotjes së ajrit në qytet dhe në vende të ndryshme, por e kemi parë edhe vizualisht, sidomos në mëngjes vërehet më shumë, dhe në fund atë ne e thithim dhe pasataj ankohemi për shëndetin.”- përfundoi ai.
Sipas raportit të fundit të Agjencisë evropiane të mjedisit, ndotja e ajrit mbetet rreziku më i madh ekologjik ndaj shëndetit në Maqedoninë e Veriut. Sipas listës së publikuar mbi vdekjet në vendet e rajonit dhe të Evropës, Maqedonia e Veriut renditet e 30-ta me 120 vdekje në 100 mijë banorë.Por, analiza e agjencisë tregon se në 90% të vdekjeve të lidhura me ndotjen janë sëmundje jongjitëse pasi kanë të bëjnë kryesisht me kancerin, sëmundjet kardiovaskulare, e sëmundje tjera.