E mërkurë, 26 Mars, 2025

BUKURIA MAGJIKE E KILIMANXHAROS

Në këtë copëz shkrimi dua të rrëfej një histori të largët në një botë të “humbur”.

 

Shkruan: Muhamet Mjeku / SHBA

 

Me xhiruesin Urim Ukimeri, gjatë qëndrimit 40 ditësh në Afrikën Perëndimore në vitin 1976, si “ekip” në minjatur i Televizionit të Prishtinës, patëm rast të ndeshnim një botë krejt tjetër prej asaj që e jetonim ndër ne. Qëndrimi ynë në kryeqytetin e Kenias, në Nairobi, na dha mundësi të rrallë të njihnim disa zona të kësaj pjese të Afrikës impresive, për të cilën dinim fare pak, vetëm në bazë të një broshurare të lexuara. Ne ishim atje, si ekip i vetëm për tërë rrjetin e Jugosllavisë së atëhershme ta përcillnim Konferencën e UNESCO-s që mbahej në Nairobi. Në këtë kontekst, gjatë qëndrimit tonë, për Televizionin e Prishtinës, realizuam dy-tre dokumentarë, një për Masajt, një rezervat që ndodhej disa kilometra larg Parkut Nacional të kryeqytetit të Kenias. Më pas, botova edhe një fejton në pak vazhdime në gazetën e përditshme “Rilindja” mbi jetën dhe kulturën e këtyre njerëzve të harruar edhe nga zoti.

Këtu, si të them, e ndjenim veten të “humbur” ngaqë s’ kishim kurrfarë lidhjesh komunikimi, për aq ditë (40) sa qëndruam në këtë kontinent, qoftë me familjet tona apo me TVP-në. Mirëpo, secila ditë për ne, ishte më atraktive se sa tjetra.
Në këtë copëz shkrimi dua të ndalem te magjia e bardhë në Kilimanxharo, sipas një legjende të popullatës atje. Meqenëse ishim vetëm 2 veta, mund të merrnim një kamerë atonike (pajar) që nuk jipte shumë mundësi për realizimin e gjithë atij pejsazhi të jetës në Afrikën fisnore.

Duke vizituar Parkun Nacional të Kenias, shkuam deri në afërsi me Tanzaninë, jo fort larg malit legjendar të Kilimanxharos. Përkthesi ynë që njihte gjuhën swahili që flisnin vendasit në rajonet e tyre dhe mentalitetin e fiseve, një student që kishte përfunduar fakultetin ekonomik në Universitetin e Zagrebit, na tregoi një histori mahnitëse për borën e bardhë që qëndron në naltësitë prej 5895 metrash në Kilimanxharo.

Një sundimtar, mund të thuhet fisesh, kishte përhapur lajmin se ai i cili do t’i sillte bukurinë magjive (borën) nga maja e Kilimanxharos, do të shpërblehej me një kapital të madh, që konsiderohej se do të kapërcente pasurinë e vet “perandorit”. Me shpërndarjen e lajmit, turma të tëra mësyen rrugën e magjisë së bardhë- Kilimanxharos. Rruga dukej e largët me plot skena horror, por shpresa ngjante triumfuese. Shumë njerëz u nisën, ndërkaq një numër fare i vogël, i kësaj turme të dërmuar, arrit atje që ta sillte borën tek “perendori”, kush më i pari që do të arrinte.

Këta njerëz të ngarkuar me borën e bardhë dhe ëndrrën e tyre për ta ndryshuar jetën, porsa binin poshtë, ajo u shkrihej nga dielli i fortë, ndërsa të dëshpruar shikonin duart e tyre bosh dhe niseshin prapë pas të njëtës ëndërr. Kjo odesiadë zgjati aq kohë sa ata, më në fund, e kuptuan se ajo bukuri e bardhë magjive, ishte e “mallkuar” nga dielli të mos zbriste poshtë. Sipas legjendës, shumë njerëz u zhdukën gjatë rrugës në përpjekje për ta prekur ëndrrën e tyre.

Në vitet e 60-ta të shekullit të kaluar, shumë vende të Afrikës u shkëputën nga kolonializmi evropian, duke u pëpjekur ta gjenin drejtimin e pavarësisë shtetërore. Anglezët ishin larguar nga Nairobi, por kishin lënë pas një qytet evropian, në krahasim me Addis Abeben e Etiopisë dhe Mogadishon e Somalisë, nga italianët.

Të fundit