E mërkurë, 19 Mars, 2025

Dhunohet fizikisht gazetari në Kosovë

Gazetari kosovar, Valon Syla, është dhunuar fizikisht ditën e sotme në Prishtinë. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të lagjes “Pejton” në rrugën “Robert Doll”.

Në pamjet e publikuara në mediat vendase shfaqen momentet kur gazetari Syla goditet me grushte nga një person.

Ky sulm fizik ndaj gazetarit Syla vjen pas shkrimeve të tij lidhur me fluksin e madh emigrantëve kosovarë jashtë vendit të cilët janë kthyer në Kosovë për festat e fundvitit në kohë pandemie.

Ndërkohë që në lidhje me ngjarjen reagoi edhe zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila tha se policia ka shkuar në vendngjarje dhe po kryhen hetime në lidhje e rastin.

“Rreth orës 12:00 kemi pranuar informatën se një person është sulmuar fizikisht në lagjen Pejton në Prishtinë. Menjëherë në vendngjarje kanë dalë njësitet e nevojshme policore dhe po merren me rastin”, tha Ahmeti./Opinion.al

Të fundit