E diel, 16 Mars, 2025

AHMETI: VETËM ME DIJE MUND TË JEMI KONKURRENT

Në 26 vjetorin e themelimit, Universiteti i Tetovës i ka ndarë titullin Doctor Honoris Causa, kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti. Gjatë pranimit të këtij titulli, Ahmeti ka theksuar se do të punojë pa u lodhur për avancimin e arsimit shqip

 KDP

Universiteti i Tetovës, ia ka ndarë titullin Doctor Honoris Causa, kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti. Pas pranimit të titullit, Ahmeti është shprehur se ky nderë iu dedikohet gjithë atyre që sakrifikuan për hapjen dhe ngritjen e këtij universiteti.

“Ky nder që më bëhet mua i dedikohet këtyre njerëzve që dhanë për hapjen dhe ngritjen e këtij universitet. Ky nder dhe ky çmim i bëhet Abdylselam Eminit me rastin e 26 vjetorit të rënies së tij. I bëhet të gjithë ushtarëve, atdhetarëve e misionarëve, patriotëve, mësuesve e pishtarëve të arsimit që mbajtën shpirtin gjallë duke ligjëruar në terr e në fshehtësi për lirinë e munguar dhe për sakrificat e panumërta të popullit e të kombit tonë”, ka theksuar Ahmeti.

Ahmeti është zotuar se do të vazhdojë pa u lodhur të punojë në ngritjen, avancimin e arsimit shqip, sepse sipas tij vetëm me dije dhe të përgatitur mund të jemi konkurrent në të gjita fushat.

“Në rritjen e cilësisë së arsimit shqip, rritjen e vlerave si dhe infrastrukturën e universiteteve, pajisjen e tyre, sepse jemi në shekull konkurrent dhe sot vetëm me konkurrencë të fortë mund të ecim përpara. Themelet i kemi ndërtuar, kalatë i kemi ndërtuar, por ata duhet t’i forcojmë dhe mirëmbajmë, sepse vetëm me dije, vetëm të përgatitur mirë mund të jemi konkurrent të denjë në të gjitha fushata”, ka theksuar Ahmeti.

Në arsyetimin për dhëninen e këtij titulli nga UT-ja vlerësohet kontributi i Ali Ahmetit në avancimin e arsimit shqip. Arsyetimi përfshinë biografinë e Ahmetit, e cila vlerësohet shumëdimensionale në rrafshin politik dhe kombëtar.

“Kontributi dhe bashkautorësia e z. Ahmeti mbi ndryshimet politiko-shoqërore në vend, përveç se me themelimin e dy ushtrive çlirimtare dhe pavarësinë e Kosovës, rezultoi edhe me ndryshimin e statusit juridik dhe politik të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, duke përfshirë ndryshimet kushtetuese në përputhje me Marrëveshjen e Ohrit, ndarjen territoriale dhe decentralizimin, përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të shqiptarëve në institucionet e shtetit, punësimin e mbi 20 mijë administratorëve në të gjitha institucionet shtetërore, zyrtarizimin e gjuhës shqipe dhe të flamurit kombëtar shqiptar, zyrtarizimin e Universitetit Shtetëror të Tetovës, themelimin e Universitetit Nënë Tereza në Shkup, respektimin e veprave dhe kontributeve të të gjithë heronjve dhe dëshmorëve të kombit – duke ngritur lapidare në të gjitha trevat shqiptare, marrjen e statusit vend kandidat për anëtarësim në BE, liberalizimin e vizave, anëtarësimin në NATO, hapjen e negociatave për anëtarësim në BE, demarkacionin e kufirit dhe njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe shumë projekte të tjera në drejtim të barazisë së plotë të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, përfshirë edhe emërimin e shqiptarëve në krye të Kuvendit, ministrive të mbrojtjes, të brendshme dhe të jashtme, gjykatave supreme dhe kushtetuese, avokatë shteti dhe populli”, thuhet në arsyetimin e komisionit për dhënien e titullit Doctor Honoris Causa në pjesën biografike.

Ndërkohë që ky titull mes tjerash i jepet për për kontributin e tij të shquar për çështjen kombëtare, për lirinë e popullit të Kosovës, për avancimin e të drejtave kombëtare dhe qytetare të shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut, për angazhimin e vazhdueshëm në integrimin e vendit dhe rajonit në familjen euroatlantike, për institucionalizimin dhe modernizimin e Universitetit të Tetovës, si institucion publik i arsimit të lartë.

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, Artan Grubi aktin e sotëm të Universitetit të Tetovës për t’i ndarë titullin Doctor Honoris Causa kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, e ka vlerësuar si një vendim të drejtë dhe një vendim i cili në të vërtetë e nderoi vetë universitetin e Tetovës dhe gjithë kombin shqiptar sepse ashtu siç do të thoshte dhe Niçeja, “vlerësimi për figurat e nderuara të kombit e lartëson atë.”

Universiteti i Tetovës ka shënuar 26 vjetorin e themelimit, ndërkohë që paraprakisht nga përfaqësues të këtij institucioni janë nderuar për sakrificën e dhënë shumë persona, të cilët gjatë fazës së themelimit në forma të ndryshme e kanë ndihmuar këtë institucion.

Ndryshe, me rastin e ndarjes së këtij titulli për liderin e BDI-së, kanë reaguar të rinjtë e partive opozitare shqiptare, të cilët e kanë ironizuar këtë akt nëpërmjet një ekspozite.

Të fundit