“Në futboll ka rëndësi që të përputhen gjërat në momentin e duhur”, kjo është një frazë që Besnik Hasi e përdor për të thënë që mundësia e dhënë për të drejtuar Kombëtaren, nuk ka qenë në momentin ideal. Mirëpo, në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, ish-kapiteni gjakovar i kuqezinjve ruan etikën në respekt të Rejas për të mos dhënë përgjigje të prerë për stolin e Kombëtares, por deklaron që edhe Duka e di se ka ardhur koha për trajner shqiptar. Cilido qoftë ai.
Në analizën e tij, Hasi e sheh të vështirë përballjen me Poloninë dhe Anglinë, teksa shprehet se me gjasë mund të mos marrim asnjë pikë ndaj tyre, porse shpjegon indirekt me shembullin e ekipit të tij në Arabinë Saudite kur përballet me gjigandët e Al Raedit se si mund ta provojë Shqipëria. “Duke bllokuar pikat e forta të kundërshtarit, duhet gjetur mënyra se si do sulmojmë. Pasi vetëm të mbrohemi, nuk mjafton. Shqipëria ka potencial dhe duhet guxuar pak më tepër”, deklaron Hasi që nuk kursen vlerësimet për çfarë ka parë së fundmi nga kuqezinjtë e Rejas.
Hasi, si është situata e pandemisë atje ku ju jetoni?
Këtu ka më pak vështirësi, sepse shtetin e kanë mbyllur prej thuajse 10 muajsh. Nuk hyn thuajse asnjeri nga jashtë. Që në kulmin e pandemisë, shkollat janë mbyllur dhe funksionojnë “on line”. Fatmirësisht shifrat e infektimeve apo njerëzve që humbin jetën, kanë rënë. Për popullin është dhënë mundësia e testimit falas nga shteti.
Po në futboll sa ka ndikuar pandemia?
Në mars u mbyll kampionati kur kishin mbetur 8 ndeshje. Ne të huajt u kthyem në vendet tona. Kur gjërat nisën të qetësohen, në korrik, rinisi puna për përfundimin e sezonit dhe nisur edicionin e ri.
Po për financat, a patët probleme dhe a u mbështetet nga shteti?
Përgjatë gjithë muajve që kemi qenë pa punë, na është mbajtur vetëm 50% e një rroge. Të gjitha kontratat e tjera i kanë respektuar. Pas kthimit, për një muaj u përgatitëm dhe përfunduam kampionatin deri në shtator. Pas një jave pushim, nisi sezoni aktual.
Mund të themi që nuk ndjehet efekti i pandemisë?
Jo, ndjehet, kanë probleme edhe këtu. Këtë e shoh në ndërrimin e trajnerëve. Kur erdha në fillim, në kampionat ishte rekord ndërrimi trajnerësh, ndërsa këtë vit s’është larguar asnjë, që në normalitet duhet të ishin larguar të paktën 6 apo 7. Vihet re edhe tek emrat e futbollistëve të huaj, nuk ka pasur afrime të bujshme.
Sa i kënaqur jeni nga ekipi?
Pritshmëritë janë që të bëjmë më mirë se vjet. Kur kemi ardhur, klubi ka qenë në dy vendet e fundit dhe për dy vite radhazi diskutonte mbijetesën. Nuk ishte i organizuar në mënyrë profesionale dhe bashkë me presidentin dhe stafin, kemi bërë një punë të mirë. Më pas, mbyllëm sezonin e parë në mes tabele, vendi i tetë nga 16. Në sezonin e dytë, vitin e kaluar, ishim në garë mes vendit të tretë dhe katërt deri në ndeshjen e fundit, por përfunduam në vend të gjashtë. Bëhet fjalë për një ekip që nuk ka buxhetin e klubeve të mëdha këtu.
Nga fillimi deri tani, çfarë ka ndryshuar në klub?
Këtë vit kemi dalë në qendrën e re sportive, ku tashmë kushtet janë më të mira pasi sa i përket infrastrukturës, kishim kushte shumë të dobëta. Kam më tepër staf pasi shtova edhe dy fizioterapistë, duke formuar një staf prej gjashtë personash. Këtë vit duhet të bëjmë më mirë, në çdo aspekt. Mirëpo, këtë start sezoni kemi pasur katër dëmtime të rënda. Me organikën prej 20 lojtarësh, 4 dëmtime ndikojnë. Shpresoj që në janar presidenti të bëjë afrime brenda vendit.
Si është aspekti i gjykimit atje?
Më parë kanë qenë arbitrat më të mirë europianë, të nivelit Champions, ndërsa këtë vit janë vendas. Vetëm në ndeshjen e fundit, ndaj Al Hilal, një nga ekipet më të forta, pësuam gol në të 84-ën, ndërsa në të 90-tën, VAR ka sinjalizuar penallti për ne por arbitri e pa dhe nuk e akordoi. Për atë veprim, federata, e ka pezulluar me disa javë.
Sa është mesatarja e buxhetit për klubet atje?
Nuk di t’jua them sepse ne paguhemi nga ministria e sportit. Ekipet kanë buxhet vjetor prej ministrisë dhe pastaj transferimet kalojnë nëpërmjet saj. Mirëpo, në ekipe të mëdha si Al Hilal, ka tifozë, apo sportdashës përreth që e ndihmojnë. Bëhet fjalë për princa me forca shumë të mëdha parash. Në ekipin tim, nuk kemi ndihma veç presidentit.
Le të flasim për Kombëtaren. Çfarë opinioni keni për shortin?
E vështirë! Kemi dy ekipe që me siguri do të mundemi në shtëpi edhe jashtë. Por, kemi ekipet e tjera që janë gjithashtu shumë të vështira. Me Anglinë kemi luajtur disa herë dhe e dimë çfarë force ka. Polonia ka rritje të madhe së fundmi, si dhe ka Levandovskin. Edhe Italia apo ekipe të tjera e kishin problem me të. Është më lart se Shqipëria.
Cili është objektivi i Shqipërisë dhe sa i mundur është vendi i dytë, siç deklaron Duka apo trajneri Reja?
Për mua është grup shumë i vështirë. Kuptohet që çdo herë duhet të kesh ambicien që të shkosh sa më larg. Kuptohet edhe deklarata e presidentit Duka apo e trajnerit. Në këtë moment, ata nuk mund të thonë që synojmë vetëm vendin e tretë, të katërt apo të pestë. Ata duhet të tregojnë ambicie që të kalojnë më tutje por realiteti nuk është i lehtë. Sepse Anglia dhe Polonia janë dy më të mirat. Pastaj, Hungaria është në të njëjtin nivel me Shqipërinë. Pikët e sigurta mbeten Andorra dhe San Marino. Për më tepër, varet çfarë ecurie do të ketë Kombëtarja këto eliminatore.
Si e keni parë së fundmi Kombëtaren?
Më herët nuk ka qenë dhe kaq mirë. Mirëpo, se fundmi kisha ndjenjën që ekipi kishte diçka më tepër, edhe pse me kundërshtarë jo shumë të fortë. Ekipi kombëtar tregonte diçka më tepër. Kam besim se Kombëtarja do të vazhdojë që të jetë në rritje. Në fazën mbrojtëse kemi futbollistë që luajnë në ekipe shumë të mira, në nivel të lartë.
A mjafton vetëm mbrojtja për të pasur sukses?
Pikërisht, me këtë mbrojtje të mirë, problemi është si do konsolidohet mesfusha dhe si do sulmosh ndaj këtyre ekipeve. Sepse po deshe të arrish vendin e dytë, duhet të gjesh mënyrën si do të sulmosh. Pra edhe kundër Anglisë dhe Polonisë, të mbrohesh si duhet, por edhe të shkosh përpara. Sepse të mbrohesh nuk është e mjaftueshme.
Hasi, krahas viteve me Kombëtaren, ju jeni trajner me shumë eksperiencë. Si duhet t’i përballojmë Poloninë dhe Anglinë?
(qesh…) Shiko… Çfarë të them…? Unë për shembull luajta tani ndaj e Al Hilalit, skuadër pesë herë më e mirë sesa ne. Çdo lojtar i tyre është klas, si të huajt edhe vendasit që ka. Nga skema 4-3-3 që kam aplikuar, punova me rreshtimin 3-5-2, me detyra specifike për prapavijën, por pa luajtur me 5 mbrojtës. Qëndroj me katër mbrojtës dhe njëri nga anësorët, është më tepër ofensiv. Dy qendrat e mbrojtjes, me dy anësorët, rrinin para dhe lija qendërmbrojtësin (e treshes) një kundër një me sulmuesin e tyre. E bëja këtë, që me mbrojtësit e mi anësorë, jo vetëm të bllokoja anësorët e tyre, por edhe të kisha mundësinë që kur kishim ne topin, të niseshim në kundërsulm. Sepse me ekipe të forta, nuk është çështja të kesh topin, por çfarë të bësh kur e ke në zotërim. Në çdo situatë, kërkoja një lojtar të avancuar të lirë për të vrapuar. Ju më pyetët për Shqipërinë dhe unë ju thashë çfarë bëra unë, duke dashur të shpjegoj që duhet gjetur mënyra që pikat më të forta të kundërshtarit t’i bllokosh dhe në të njëjtën kohë të reagosh dhe ndërtosh sulmet. Unë kam ekip shumë herë më të vogël se shumë këtu në kampionat, por zumë vendin e 6 vjet jo duke mbrojtur, por edhe duke sulmuar. Shpesh, mbrojtja më e mirë është sulmi.
Po sugjeroni edhe Shqipërinë për këtë?
Ekipin Kombëtar unë e kam parë së fundmi dhe është shumë më mirë sesa ka qenë në spektin organizativ. Kemi futbollistë shumë kualitativ në fazën mbrojtëse. Disa janë në moshë të re që do rriten ende. Duhet ta gjejmë mesfushën dhe mënyrën si do sulmojmë. Na duhet që në krahë të kemi të paktën një që ka shpejtësinë dhe një tjetër inteligjent që të futet mes vijave të fushës, për të krijuar epërsi numerike. Unë e kam idenë në kokën time si do e kisha bërë… Si do bëhet, nuk e di sepse është dikush tjetër aty (qesh…).
Po insistoj, një si Roshi dhe një si Hysaj duke i alternuar në krahë?
Kemi potencial, jua them me bindje. Por ka shumë, kanë dalë futbollistë të rinj. Po shihja lojtarët që kanë luajtur në Champions, si Uzuni etj. Ka disa elementë të rinj, me të cilët po të punosh nga aspekti ofensiv, do marrësh shumë nga kjo Shqipëri. Ka potencial! Me këtë ekip, duhet të guxosh edhe të bësh futboll ofensiv. Kemi Strakoshën në portë, kemi Gjimshitin që luan çdo ndeshje, mund Ajaksin dhe kalon grupet e Championsit për herë të dytë radhazi. Kemi Kumbullën që po rritet shumë, do bëhet… top. Kemi Hysajn, është klas dhe si motor. Mund të vrapojë pa fund, kundër çdokujt. Duhet ta zgjidhësh para, atje mund të krijojmë me këtë prapavijë që kemi.
Keni qenë dhe jeni gjithmonë kandidat potencial për Kombëtaren. A jeni gati të negocioni sërish me Dukën kur të jetë nevoja për trajner?
Nuk është e lehtë të flasësh për këtë. Presidenti Duka e di mendimin tim. Ai është njeri që i ka shërbyer Kombëtares për shumë vite. Arriti ta çojë ekipin edhe në Europian. Mirëpo, në futboll gjithmonë janë momentet kur duhet të përputhen gjërat. Deri tani kanë qenë shumë të huaj si trajnerë, ndoshta edhe të arsyeshme pasi kanë ardhur trajnerë me përvojë Europiane, etj. Mirëpo, dalëngadalë do të vijë dita. Në mos Besnik Hasi, do të jetë X-i po Y-i. do vijë dita për një trajner shqiptar. Sa i përket pyetjes, tani është e kotë të flasësh për një gjë që nuk e ke në dorë. Kombëtarja tani e ka një trajner dhe është mos respekt të jap një tjetër përgjigje.
Ju keni luajtur ndaj saj, si kanë qenë përballjet me Anglinë?
(Qesh…) Po qesh sepse sa herë më kujtohet një episod ndaj Anglisë. Anglia kishte shumë yje, mirëpo Bekam ishte më i famshmi. Një episod në mesfushë, me një sparkatë Lalës, dy apo tre vetë ne. Por, nuk mbaron me kaq. Sepse në këtë moment, u grumbulluan të gjithë dhe Bekam nuk kishte fare lidhje. Kthej kokën dhe shoh Xhumbën që i bërtiste Bekamit. Duke mos ditur asnjë fjalë anglisht, po shante Bekamin, edhe pa e ditur se çfarë po i thoshte. Bekam i tha: “Çfarë ke me mua? S’kam lidhje në këtë rast”. Mirëpo Xhumba vazhdonte. I them: “Ore Xhumba, po çfarë ke mër burr se s’kishte të bënte Bekami?!”. “Ku di unë, thjesht po e shaj…”, më tha, dhe më vinte për të qeshur. Ai e kishte në kokë, për ta sharë lojtarin më të famshëm në atë moment.
Po në aspektin sportiv?
Ishin shumë të vështira, por kujton që kemi bërë ndeshje të mirë. Me aq mundësi sa kishim ne. Kishim shumë shpirt gare dhe grupi, por përballë tyre nuk mjaftonin për rezultat pozitiv. Neve na ka munguar ambicia, mendësia që ta synonim kualifikimin. Sepse nuk e shihnim veten aq lart sa që mund të kualifikohemi. Asgjë tjetër, pasi ishim grup, ishim shokë, prisnim me padurim datën e Kombëtares.
Strakosha në 2001, një tjetër në 2020. Çfarë ndjesie është?
(qesh…) E këndshme. Më vjen shumë mirë edhe për Foton, që djali i tij u bë mbase edhe më i mirë sesa ai.
Sipas jush, nëse i krahasoni, kush është më i mirë?
Strakosha xhunior (Thomas) për mua është më lart. Futbolli ka ndryshuar sepse tani portieri luan shumë me këmbë. Në kohën e Fotos nuk ndodhte aq shumë. Në vijë, ndoshta janë të dy të njëjtë, por ndoshta i jap Fotos pak më shumë avantazhe. Kurse në dalje, djali është më i mirë. Ama Foto kishte personalitet. Më vjen keq për Foton, por xhuniorin e çoj pak më lart (Qesh…). Luan në Lacio, Seria A, Champions… Pa harruar që është i ri dhe ka akoma progres përpara.
Çfarë përshtypje keni për grupin e Kosovës?
Me Spanjën, Suedinë, Greqinë dhe Gjeorgjinë, Kosova e ka edhe më të vështirë sesa Shqipëria. Sepse, problemi nuk është te grupi, por te pritshmëria. Pa mungesa, në Ligën e Kombeve, Kosovën e shihja të kualifikuar. Tani, çdokush pret më tepër nga Kosova. Edhe ndaj meje këtu me ekipin, nuk presin më justifikime, por duan më shumë dhe kaq. Kosova ka një sulmues, që Shqipërisë i mungon dhe kualitetin kryesor e ka përpara. Janë të rinj dhe të gjithë do rriten në lojë.
Do të jetë pengesë apo motivim për lojtarët problemi i diplomacisë që nuk njihet nga Spanja, Gjeorgjia dhe Greqia?
100% do të jetë motivim. Lojtarët e Kosovës e kanë motivim për vendin, sepse kanë vuajtur shumë. Kjo gjë do t’i motivojë shumë, aspak çorientim.
OLSI TUJANI-PANORAMASPORT.AL