Por, në Maqedoninë e Veriut, ky kuptim mbi rolin e deputetit tashmë është zhbërë dhe nga figura dhe fuqia e tij ka mbetur fatkeqësisht vetëm një karikaturë që ekspozohet në emër të partisë politike pa asnjë përmbajtje demokratike dhe politike brenda vetes. Një karikaturë “demokratike” që performohet nga “nëna” parti, nga urdhërat e saj, që tashmë ia ka uzurpuar të gjitha atributet e “përfaqësuesit të popullit”, duke e shndërruar kështu në një makineri votuese e koordinuar në përpikëmëri nga autoriteti i “nënës parti”.
Shkruan: Bardhyl Zaimi
Demokracia është debat i pandërprerë. Demokracia është hapësirë idesh, angazhimesh dhe aksioni në të mirë të qytetarëve. Në sistemet parlamentare, zakonisht, deputetët, ose siç jemi mësuar t’i quajmë të zgjedhurit e popullit kanë rolin vendimtar në artikulimin e zërit të elektoratit që përfaqësojnë. Parlamenti mbetet njëri ndër pushtetet e fuqishme që në ndërveprim me qeverinë krijojnë politikat publike. Partitë politike janë konstituentë të jetës demokratike, por deputetët mbeten zëri autentik i elektoratit që përfaqësojnë. Roli i partive opozitare gjithashtu është pjesë e një ndërveprimi që nënkupton një qeverisje sa më demokratike dhe në përputhje me një interes sa më të gjerë qytetarësh.
Roli i deputëteve mbetet i dyfishtë; në shjelljen e ligjeve , por edhe në adresimin e interesave të qytettarëve që përfaqësojnë. Ata realisht duhet që gjatë gjithë kohës të jenë në komunikim të drejtpërdrejtë me zgjedhësit, me problemet e tyre, të cilat duhet të adresojnë dhe t’i shndërrojnë në vendime që shkojnë në favor të zgjidhjes së problemeve me të cilat ballafaqohen.
Puna e deputetëve nuk kufizohet vetëm në këtë komunikim dhe vetëm me praninë e tyre në parlament. Janë nëj sërë komisionesh, në të cilat deputetët marrin pjesë dhe ku ata mund të inkorporojnë vullnetin e zgjedhësve. Imuniteti i deputetit nënkupton punën specifike, e cila thellësisht duhet të jetë e pavarur dhe në funskion të elektoratit që përfaqëson. Gjithë tërësia e statusit ligjor krijon mundësinë që një deputet të ketë pavarësinë e vetë në mendim dhe në afishimin e problemeve, pavarësisht nga qeveria dhe pavarësisht nga partia të cilën e reprezenton.
Dhe, në këtë rast mund të rëndisim edhe një varg rolesh dhe kuptimesh që dimensionojn deputetin si pjesë të jetës demokratike dhe të qeverisjes së mirë që mund të hasen si leksione nëpër libra. Esenciale mbetet që në sistemet parlamentare roli i deputetit mbetet vendimtar në përformimin e jetës demokratike dhe bashkë me këtë edhe në formësimin e qeverisjes në të mirë të qytetarëve, siç vjen në formën autentike që nga antikiteti grek dhe që nënkupton qeverisjen e demosit.
Por, në Maqedoninë e Veriut, ky kuptim mbi rolin e deputetit tashmë është zhbërë dhe nga figura dhe fuqia e tij ka mbetur fatkeqësisht vetëm një karikaturë që ekspozohet në emër të partisë politike pa asnjë përmbajtje demokratike dhe politike brenda vetes. Një karikaturë “demokratike” që performohet nga “nëna” parti, nga urdhërat e saj, që tashmë ia ka uzurpuar të gjitha atributet e “përfaqësuesit të popullit”, duke e shndërruar kështu në një makineri votuese e koordinuar në përpikëmëri nga autoriteti i “nënës parti”.
Në historikun e parlamentarizimit të Maqedonisë së Veriut, më herët ka pasur edhe momente kur aktivizmi i deputetëve ka qenë i jashtëzakonshëm. Gjithsesi, atëbotë, ka pasur një parlament tjetër, me figura deputetësh që kanë pasur përmbajtje politike dhe demokratike brenda vetes, përmasë të cilën e kanë shtrirë edhe në hapësirën e debatit, duke i dhënë kështu jetë debatit politik dhe demokratik. Kjo është faza e parë e pluralizimit, e dëshirës për të debatuar, e ideve dhe e përplasjeve demokratike, që shënon edhe kohë e një participimi substancial edhe të qytetarëve në jetën demokratike.
Me kalimin e kohës, ky profil i deputetit fillon të vdiret në proporcion me autoritarizmin e liderëve dhe të partisë. Gradualisht kjo përmasë e deputetit po reduktohet në emra anonim listash zgjedhore që vlerë të vetme kanë dëgjueshmërinë ndaj partisë, që vlerë të vetme kanë aftësinë për të qenë pjesë e listave pa ofruar asnjë cilësi, asnjë përgjegjësi ndaj votuesve që e kanë zgjedhur. Për këtë shkak, zakonisht, pas zgjedhjeve, kemi një shkëputje të tërësishme të deputetit nga elektorati dhe kështu në vend që të jetë zëri i elektoratit, ai shndërrohet në një numër votues në parlament pa të drejtën për të kundërshtuar çfarëdo vendimi të partisë edhe atëherë kur një vendim, një politik, nuk është në përputhje me interesin e elektoratit.
Kemi pra një shkëputje fatale të deputetit nga misioni i tij për të përfaqësuar zërin e elektoratit, ndërkohë që identifikimi i tij bëhët tërësisht me partinë, me elitat politike që gjithashtu mbeten të shkëputura nga interesi i elektoratit. Nuk është e rastit që kemi një mungesë të jashtëzakonshme të deputetëve në debatet televizive, ndërkohë që me tepër flasin për problemete analistët politik sesa ata.
Deputeti tashmë nuk është pjesë e debatit në parlament dhe përgjithësisht në hapësirën publike. Ai tashmë është një “karikaturë” në duart e nënës parti. Ai nuk mund të mendojë me kokën e vetë, sepse ka kush mendon për të. Ai nuk përfaqëson elektoratin që e ka zgjedhur, por përfaqëson elitat partiake, të cilat kujdesen që ai të jetë një qenie pa mendim, një qenie që nuk komunikon me zgjedhësit për problemet, pra kujdesen që të jetë tërësisht një qenie e dëgjueshme në funksion të këtij autoritarizmi.
Pikërisht, bashkë me këtë reduktim të rolit të deputetit, tashmë kemi edhe atrofim të debatit demokratik dhe të ndryshmërisë politike, e cila nuk mund të gjejë zërin autentik që vjen si artikulim interesave të qytetarëve.
Për më tepër, ky lloj i demokracisë e përjashton debatin, i përjasjton problemet dhe e përjashton interesin e përbashkët qytetar si esencë e jetës demokratike dhe politike. Për këtë shkak ne më tepër do të kemi refrene partishë që ripërësëriten nga debputëtët, sesa artkulime autentike që vijnë si zë e qytetarëve që përfaqësojnë. Kjo është koha e demokracisë së reduktuar dhe të dirigjuar nga autoriteti i partisë. Kjo është koha deputetëve që janë vetëm numra në listat zgjedhore, pa zë dhe pa mendim politik dhe demokratik.