E hënë, 28 Prill, 2025

NISJA E BISEDIMEVE ME BE: BULLGARIA “PO” SHQIPËRISË, BLLOKON MAQEDONINË E VERIUT

Bullgaria përkrah negociatat e Shqipërisë për aderim në BE, sepse ajo plotësoi pjesën dërmuese nga kushtet e domosdoshme. Mirëpo, në momentin e tanishëm vendi nuk mund të përkrahë kornizën negociuese për anëtarësim evropian të Maqedonisë së Veriut. Këtë, siç njofton Radioja Bullgare, e tha në një brifing në Ministrinë e Punëve të Jashtme zëvendës kryeministrja dhe ministre e jashtme Ekaterina Zaharieva pas mbledhjes së sotme video të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE-së, në të cilën u diskutua zgjerimi, përcjell KDP.

Motivi për këtë, sipas medias bullgare, është se projekti i propozuar nuk pasqyron kërkesat bullgare, e pikërisht respektimin e formulës për gjuhën – “gjuhën zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, dhe jo “gjuhën maqedonase”; hartën udhërrëfyese për zbatimin e Marrëveshjes së Miqësisë dhe Fqinjësisë së Mirë midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut nga 2017 dhe të Marrëveshjes së Prespës dhe një tekst të qartë se pretendimet për pakicë maqedonase në Bullgari nuk do të mbështeten në asnjë formë.

Ministrja Zaharieva ka thënë se Bullgaria është e hapur për bisedime, por kjo kërkon edhe bashkëpunim nga ana e Maqedonisë së Veriut. Ajo vuri në dukje se parimet e fqinjësisë së mirë duhet të aplikohen në praktikë, jo vetëm të figurojnë në tekste. Ministrja Zaharieva tha se i ka informuar kolegët për bisedimet midis Sofjes dhe Shkupit dhe falënderoi për përpjekjet e presidencës gjermane.

Fillimi zyrtar i bisedimeve të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë pritej të ndodhte në një konferencë ndërqeveritare në muajin dhjetor. Vendimi i Bullgarisë, sipas VOA-s,  përbën një sfidë të mëtejshme ndaj ish-republikës jugosllave, së cilës iu desh të binte dakord për të shtuar fjalën “Veri” në emrin e saj zyrtar për të zgjidhur një mosmarrëveshje prej dekadash me Greqinë, me qëllimin për “të pastruar” rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE. Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë iu desh të prisnin deri në mars të këtij viti që t’iu hapej drita jeshile për bisedimet e anëtarësimit në BE, pasi Franca kishte shprehur skepticizëm në vitin 2019 lidhur me rezultatet e tyre mbi çështje të lidhura me demokracinë dhe luftën ndaj korrupsionit.

Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe katër vende të tjera të Ballkanit Perëndimor, si Bosnja, Kosova, Mali i Zi dhe Serbia po përpiqen t’i bashkohen BE-së pas luftërave etnike të viteve 1990 që çuan në shpërbërjen e Jugosllavisë.

Futja e Ballkanit Perëndimor në BE do të ndihmonte në rritjen e standardeve të jetesës dhe do të zbuste rritjen e ndikimit rus dhe kinez në rajon, thonë mbështetësit e kësaj qasjeje.

Bullgaria, e cila prej kohësh i ka nxitur përpjekje për integrimin në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor, kërkon garanci në kuadrin e negociatave në mënyrë që Shkupi të prodhojë rezultat mbi një traktat miqësie të vitit 2017 me Sofjen, që trajton kryesisht çështje historike.

Sofja zyrtare gjithashtu kërkon garanci se Maqedonia e Veriut nuk do të mbështesë asnjë pretendim ndaj një pakicë maqedonase në Bullgari. Bullgaria kërkon që dokumentet zyrtare të BE-së të shmangin përmendjen e “gjuhës maqedonase”, që thotë se rrjedh nga bullgarishtja.

Të fundit