E shtunë, 22 Mars, 2025

SHKRETËTIRA E SHNDËRRIMEVE TË (PA)MUNDSHME

Dhe partitë politike, sidomos ata të pushtetit, që gjatë kohë qëndrojnë në majën e piramidës që ngritet nga kjo logjikë jo kozistente, e dinë këtë gjë dhe mrekullisht manovrojnë me “ketmanin” e heshtjes paszgjedhore. Një muaj ekstazë ideologjike linçimesh dhe shprese se mos po ndodh “ndryshimi” i shumëpritur për fatin e tyre dhe më pas kemi logjikën “të kapësh ndonjë lidhje”. Gradualisht opozitarizimi, “observimi kritik” i stinës zgjedhore kthehet në “normalitetin” e vetë, në skemën e njohur të përgjumjes sistematike që fillon të bluajë “prometheizmin” e shtabeve partiake dhe troll-qendrave në një “paqe të arsyeshme” që kërkon privilegjet e zakonshme të lidhjeve të përhershme “apartiake”.

Shkruan: Bardhyl Zaimi

Përtej reagimeve bjerrakohëse gjatë sezoneve zgjedhore, mendimi publik në hapësirën politike shqiptare mbetet një shkretëtirë e frikshme që prodhon zhgënjim, apati dhe moslëvizje. Nuk ekziston një mendim kritik permanent që artikulon pandërprerë degjenerimet e shumta politike dhe institucionale. Fatkeqësisht reagimi publik gjithnjë mbetet në kornizat e mendimit partiak dhe partizanisë që shpejt e humb kondicionin për të observuar realitetet e deformuara që si një gërmadhë deklaratash boshe qëndrojnë përpara rrugës për mbrothësi.

Pas “ekstazave” zgjedhore zakonisht ndodh një heshtje e pafundme, një apati politike dhe shoqërore që e zgjeron akoma më tepër shkretëtirën politike të përfaqësimit, që e zgjeron ironinë e përhershme të kacavjerrësve të pushtetit, të cilët të vetmin kualitet që posedojnë mbetet kallëpi partiak dhe “meritokracia” që buron nga një hapësirë e ngushtë veprimi që ndërlidhet me grumbullim votash, me “temena” ndaj hierarkive partiake dhe me idenë që ia vlen gjithçka të bësh vetëm të jesh diku afër pushtetit.

Në hapësirën e shkretë ndërmjet dy sezoneve zgjedhore nuk do të mund të gjesh më “promethe” të persekutuar të kauzave të mëdha, nuk do të mund të gjesh më “rebelë”, që e shtrijnë observimin kritik ndaj fenomeneve të shumta negative, ndaj gjithë asaj që përfaqëson trishtueshëm reduktim të qeverisjes së mirë në një administrim të ftohtë kalkulues. Zërat e fortë me decibela kundërshtimi fals për kauza “të mëdha” që i kemi parë përgjatë gati 3 dekadash tranzicioni ngadalë shuhen në kalkulime të kuptueshme, në zvenitje përfitimesh dhe postesh që mund të sigurohen nga kanale nëntokësore miqësish “apartiake”.

Dhe partitë politike, sidomos ata të pushtetit, që gjatë kohë qëndrojnë në majën e piramidës që ngritet nga kjo logjikë jo kozistente, e dinë këtë gjë dhe mrekullisht manovrojnë me “ketmanin” e heshtjes paszgjedhore. Një muaj ekstazë ideologjike linçimesh dhe shprese se mos po ndodh “ndryshimi” i shumëpritur për fatin e tyre dhe më pas kemi logjikën “ të kapësh ndonjë lidhje”. Gradualisht opozitarizimi, observimi kritik i stinës zgjedhore kthehet në “normalitetin” e vetë, në skemën e njohur të përgjumjes sistematike që fillon të bluajë “prometheizmin” e shtabeve partiake dhe troll-qendrave në një “paqe të arsyeshme” që kërkon privilegjet e zakonshme të lidhjeve të përhershme “misterioze”.

Ky duket të jetë pejsazhi fatal i “observimeve” kritike sezonale që më pas shndërrohet në një shkretëtirë mbijetese pa një kundërvenie më të vogël ndaj qeverisjes që pason për katër vjet. Ky është peizazhi i vlimeve sezonale që nuk arrin të strukturohet një një kritikë kozistente argumentuese që përpiqet pandërprerë të korrigjojë gjërat pavarësisht nga injeksionet ideologjike të sezoneve zgjedhore, pavarësisht nga humbja ose fitorja në kohë zgjedhjesh.

Ky habitus mbijetese tashmë ka krijuar gjendjen e përhershme të riciklimit të emrave të njëjtë të funksionarëve, të tribalizimit politik që jeton në lehtësinë e padurueshme të petkut partiak, pa pasur idenë më të vogël për mbrothësinë e përgjithshme, e cila tejkalon idenë e kundërvënieve sezonale, por edhe idenë e “trofeve” të fitores që etablon mediokritetin në jetën institucionale.

Së këndejmi, kemi kacavjerrësit e përhershëm të pushteteve që dinë të kapin taktin e posteve dhe privilegjeve dhe margjinalizimin e njerëzve që përfaqësojnë vlera dhe integritet. Është një sistem i komplikuar ndërvarësish që ua mësyjnë privilegjeve të pushtetit dhe në të do të gjesh edhe “rebelat” sezonal, edhe “promothetë” e kauzave të mëdha, por edhe cinikët e përhershëm të “vazhdimësisë” së pushtetit.

Shqiptarët e Maqedonisë nuk kanë arritur që të krijojnë një ndjeshmëri kundërvënie të përhershme vlerash që do të strukturohej si përhershmëri observimesh kritike, pa ideologji përfituese dhe pa inate të çfarëdoshme. Edhe ai pak mendim që është vërejtur dhe që ka bërë përpjekje që të shtrijë praninë e vetë në sheshin e interesit të përgjithshëm është varrosur nga dy taborët që puqen në një përngjasim paradoksal. Kjo ka krijuar rrethin vicioz, shkretëtirën e përhershme të dy skajeve të litarit që e ushqejnë të njëjtën gjendje deprimuese të kufizuar në rickilime idesh të deplasuara dhe në ngërçe politike dhe shoqërore që shënojnë vendnumërim.

Tashmë nuk mjafton të thuhet se është koha për ndryshim, sepse ky ndryshim gjithnjë është projektuar në suaza të kësaj shkretëtire të injorancës dhe mediokritetit që lejon “beteja” meskine ideologjike sedrash të përkohshme, duke mos arritur që të çajë hapësirën e lirisë në prurje tjera politike dhe shoqërore që janë në sinkron me sistemin e vlerave europiane. Nuk dihet tashmë se kur mund të krijohet një momentum tjetër shndërrimi esencial, përjashto këtu momentumet false parazgjedhore që ushqehen nga po e njëjta logjikë.

Shqiptarët e Maqedonisë kanë nevojë për një mendim korrekt kritik, për kundërvënie të kultivuara dhe të kulturuara që do të reflektonin mbi gjendjen e përhershme dhe të pashpresë të shumicës së qytetarëve përtej “optimizmit të injektuar të pushtetit dhe përtej refleksioneve bjerrakohëse zgjedhore të kundërvënieve boshe opozitare. Fatkeqësisht në hapësirën publike gjithnjë “shkëlqejnë” reagimet, zërat e kauzave personale që dinë të kapin zhgënjimin e e pa zë të pjesës dërrmuese, së cilës i duhet kohë që të identifikojë artikulimin e një aspirate të afishuar me kohë për mbrothësi.

“Tregtarët e flamujve” janë aty, për të ngritur “zërin e padrejtësisë” dhe për të çuar përpara kauzat personale. Fatkeqësisht ata mbeten të respektuar në dallaveret e tyre, në refleksionet e momentit, që shfrytëzohen për të krijuar “moralitetin” shoqëror sipas masës së tyre të përfitimeve. Jemi në hall të madh. Konsolidimi i një mendimi publik korrekt, kreativ dhe të përgjegjshëm mbetet një imperativ i domosdoshëm për të dalë nga kjo hipokrizi e gjithanshme. Vetëm një sistem vlerash mund të krijojë një shndërrim kaq shumë të pritur. Gjithçka tjetër është vazhdim i gjendjes së deritashme që prodhon amalgamën e pakteve fatale që shfaqen në sezoan zgjedhore si “armiq” të përbetuar”!

 

Të fundit